TIRANE, 22 Nentor /ATSH/- Pas protestës së Partisë Demokratike kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe taksave, ka reaguar kryeministri Edi Rama. Në një postim në rrjetin social "Facebook", kryeministri Rama shkruan se qeveria që ai drejton është e vendosur për të nxjerrë vendin nga situata në të cilën ndodhet, dhe nga "llumi i gënjeshtrave e shpifjeve".
"Asgjë e askush s'do na ndalë në nxjerrjen e Shqipërisë nga llumi i gënjeshtrave, shpifjeve, iluzioneve, hajdutërisë, dhe maskarallëkut politik!", shkruan kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë thekson se për të patur më shumë punësim e mirëqeni, duhet të të gjithë të tregohen korrektë në zbatimin e ligjit.
"Që të kemi më shumë punësim e mirëqenie duhet mos vjedhim dritat mos zaptojmë hapësirat publike mos gënjejmë veten që ka zhvillim pa mund!", shkruan Rama. e.xh/./a.g/











