Rama tek Guvernatori i BSH-së
Fullani: Mos iu bind Berishës

Rama tek Guvernatori i BSH-së<br />Fullani: Mos iu bind Berishës
 TIRANE - Pas presidentit të Republikës dhe kryeprokurorit Llalla, kryeministri i ardhshëm Edi Rama ka zhvilluar dje një takim kokë më kokë me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, që ka zgjatur më shumë se të tjerët, për rreth një orë e gjysëm.

Asnjë informacion nuk është dhënë, as nga zyra e shtypit e PS dhe as nga ajo e Bankës Qendrore, lidhur me atë se çfarë është biseduar konkretisht në këtë takim, por vetë kohëzgjatja jo e zakonshme flet qartë për rëndësinë e problematikës që është prekur nga dy personalitetet.

Në fakt, në pamundësi për të krijuar një ”urë lidhëse” të dy qeverive – që do të ishte shumë frytdhënëse në një shoqëri demokratike – me një ekip të përbashkët, që të merrej të paktën me njohjen e situatës financiare të vendit, Rama ka takuar, menjëherë pas kryetarit të shtetit dhe kryehetuesit të krimit, atë që konsiderohet si faktor kyç të politikës monetare të vendit, mbikëqyrës të ekulibrave makroekonomikë, kreun e Bankës së Shqipërisë.

Kjo flet për rëndësinë që merr, në situatën aktuale, gjendja e arkës së shtetit, në kuadër të përkeqësimit të të ardhurave buxhetore, ndërkohë që qeveria në ikje nuk rresht së shpenzuari, duke rritur defiçitin.

Guvernatori nuk është në gjendje të frenojë ankandet e jashtëzakonshme, që po zhvillon ministria e Financave, me shifra të ekzagjeruara, të cilët rritin tej mase borxhin e brendshëm, duke qenë se BSH vepron vetëm si operator i qeverisë në këtë rast. Kështu, edhe në rast se kreu i PS ja ka kërkuar një gjë të tillë, ankandet teorikisht nuk mund të anulohen. Por, të paktën, BSH mund të frenojë shpenzime jorentabël, që mund të kërkohen nga qeveria, si në të kaluarën. Duke filluar nga mosblerja e bonove me afat 12-mujor maturimi. Por, e dukshme është që kryeministri i ardhshëm i vendit ka kërkuar që Fullani të mos i bindet Berishës dhe Bodes për shpenzime që shkatërrojnë financat e shtetit.

Rama ka paralajmëruar një auditim ndërkombëtar të Financave publike sipas modelit sllovak, para se të hartohen reforma për përmirësimin e situatës ekonomike. Ndërkohë, një nga domosdoshmëritë, për të cilën, si kreu i Partisë Socialiste, ashtu edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, janë shprehur pozivitisht, është rikthimi i Fondit Monetar në pozitën e mëparshme në Shqipëri.
 
HESHTJA INFORMATIVE

 RAMA NUK HEDH ASNJË LAJM NË TWITTER PËR FULLANIN

Ndryshe nga sa ka vepruar me rastin e takimeve të tjera me krerë të institucioneve të pavarura, Edi Rama ka parapëlqyer të mbajë heshtje të plotë për atë, çka ka biseduar me guvernatorin Fullani. Mund të mendohet se biseda ka prekur tema delikate, duke filluar nga roli i kreut të BSH në shpenzime ekstra, për të cilat ai nuk ka kundërshtuar, të paktën derisa u rizgjodh për një mandat të dytë 7-vjeçar, i propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe nga vetë Sali Berisha, publikisht.
 
ANGJELI

Sipas ish-ministrit të Financave dhe deputet i PS, Anastas Angjeli, Rama duhet të ketë kërkuar nga Fullani që ky të luajë rolin e rëndësishëm kushtetues në kuadër të politikave monetare, duke u vënë fre kërkesave shpërdoruese nga qeveria.
 
BRAÇE

Ka qenë më i ashpër në komentin e vet deputeti socialist Erjon Braçe, sipas të cilit guvernatori duhet të thotë të vërtetën lidhur me shpenzimet - jashtë çdo limiti - elektorale të Berishës, borxhin publik e kreditë e këqia.

Lajmi fillimisht u publikua më 8 korrik ora 12: 45 dhe u përditësua më 9 korrik ora 07:00

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Biden kërkon 24 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, Elon Musk: Kjo nuk është mirë

Biden kërkon 24 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, Elon Musk: Kjo nuk është mirë