Rama-Thaçi: Në nëntor, mbledhja
e përbashkët e qeverive në Prizren

Rama-Thaçi: Në nëntor, mbledhja<br />e përbashkët e qeverive në Prizren
TIRANË –  Kryeministri i ardhshëm I Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kanë vendosur të mbajnë një mbledhje të përbashkët të qeverive të dy vendeve në muajin nëntor në qytetin e Prizrenit për të vendosur sëbashku, piketat e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
 
Këtë e kanë deklaruar sot, të dy kryeministrat, nga selia e Partisë Socialiste, ku kreu i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi kreu takimin e programuar me kryesocialistin e Shqipërisë.

Në konferencën e shtypit që u mbajt pas takimit dypalësh, Rama tha: " Ishte një privilegj i posaçëm, që sot të mirëpresim këtu në këtë godinë kryeministrin e Kosovës, mikun tonë Hashim Thaçin.

Patëm një bisedë që është vazhdimi i një komunikimi sistematik, që kemi mbajtur gjithmonë, por edhe për të vendosur më tutje piketat e një bashkëpunimi që vullneti ynë është ta intensifikojmë. Po ashtu, vullneti i Kryeministrit dhe i Qeverisë së Kosovës është ai që ka qenë gjithmonë, me bindjen e plotë se vetëm përmes intensifikimit të bashkëpunimit, ne mund të krijojmë më shumë mundësi për gjithë shqiptarët këtej dhe andej kufirit në të gjitha planet.

Unë besoj dhe ne të gjithë besojmë që hapat e hedhur me shumë kurajo dhe me një vizion të kthjellët për ardhmërinë e Kosovës por edhe të gjithë rajonit nga kryeministri dhe nga qeveria e Kosovës drejt marrëveshjes me palën serbe dhe qëndrimi koherent i qeverisë së Kosovës dhe i kryeministrit në funksion të rritjes së hapësirave të paqes dhe bashkëpunimit në rajon, përbëjnë për të gjithë ne një pikë referimi në raport me atë çka duhet të bëjmë.

Së fundmi, ramë në një mendje me Kryeministrin që pas vizitës së menjëhershme që unë dhe një pjesë e konsiderueshme e ministrave do të bëjmë në Prishtinë, sapo të kemi kryer normalizimin e qeverisë, të fillojmë menjëherë përgatitjen e një takimi dy palësh mes të dy qeverive, një takim i përbashkët që ne do ta kthejmë në një institucion për ti dhënë një shtytje të fortë bashkëpunimit mes nesh, në të gjitha ato fusha që bashkarish kemi identifikuar.

Jam i bindur që bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Thaçi personalisht do të sjellë hapa të tjerë në rrugën e një bashkëpunimi, që nuk fillon me këtë qeveri dhe sigurisht do të mbetet rruga e përbashkët drejt ëndrrës së bashkimit nën qiellin e Europës së bashkuar."

THAÇI: SHQIPERIA EVROPIANE NENKUPTON EDHE KOSOVEN EVROPIANE

Më pas e mori fjalën Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha: "Ndjehem tepër mirë dhe i privilegjuar që sot takohemi me mikun dhe Kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë Edi Rama. Më lejoni që në emrin tim, të qeverisë së Republikës së Kosovës, të qytetarëve të Kosovës t’ju uroj për fitoren tuaj në zgjedhjet e 23 qershorit.

Mendoj që kjo ka qenë një sfidë europiane për Shqipërinë, ju e tejkaluar, e keni marrë besimin e qytetarëve të Shqipërisë. Do ta keni bashkëpunimin e ngushtë të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timin personal.

Qeveria e Kosovës, qytetarët e Kosovës, ashtu siç kanë shprehur besim të plotë qytetarët e Shqipërisë kanë besim në qëllimin dhe vizionin tuaj për Shqipërinë europiane, në angazhimet tuaja reformatore për Shqipërinë, për shqiptarët. Shqipëria europiane nënkupton edhe Kosovën europiane. 

Në takimet që kemi zhvilluar ditë më parë, edhe në Zagreb jemi takuar gjithashtu, edhe në Prizren dhe sot në selinë e Partisë Socialiste vetëm pak ditë përpara sesa ta merrni përgjegjësinë, duke ju uruar për marrjen e përgjegjësisë së re, jemi dakorduar për hapat e parë që do t’i ndërmarrim, e para me vizitën që do të bëjë kryeministri Rama në Kosovë në ditët e ardhshme me një pjesë të kabinetit qeveritar.

Gjithashtu,"- përfundoi Thaçi, - jemi dakorduar që ne gjatë muajit nëntor të mbajmë edhe mbledhjen e parë të dy kabineteve qeveritare të Shqipërisë dhe të Kosovës në Prizren. Gjithashtu të angazhohemi edhe për festimin e 101-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Ndërsa do të punojmë bashkërisht që të kemi angazhime edhe më të mëdha, edhe më të shpejta, edhe më efektive, më efikase, edhe për Shqipërinë europiane, edhe për Kosovën europiane."

RAMA: FOTOJA E DITES - NGA BISEDA ME KRYEMINISTRIN THAÇI NE SELINE E PS

Pas takimit, Kryesocialisti Edi Rama ka publikuar në Fb, atë që ai e quan "Fotoja e ditës" - bashkëbisedimin e zhvilluar sot në zyrën e tij me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe anëtarët e kabineteve respektive.

rama thaci
(Fotoja e takimit të zhvilluar sot në selinë e PS-së në Tiranë)

Redaksia online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit