KORÇE - Partia Socialiste zhvilloi sot një tryezë konsultimi për arsimin në qytetin e Korçës, gjatë të cilës lideri Edi Rama tha se mësuesit janë kthyer në instrumentë politikë ndërsa drejtorët e shkollave në gjuetarë shtrigash për anëtarët e PS-së.

Rama pohoi se buxheti për arsimin nuk mund të shkurtohet kurrë, ndërsa theksoi se arsimi ka nevojë për reforma të thella dhe risistemim, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për papunësinë e të rinjve, gjë që sipas Ramës është një problem madhor në Shqipëri.

“Fëmijët, nxënësit, studentët, të mund të edukohen në shkollë me një mësues që është i marrë peng është i trembur dhe është i kthyer në instrument politik. Në rast se në botën e zhvilluar ka një trekëndësh që është i përjashtuar, komuniteti nuk ekziston, relacioni me pushtetin është vetëm një relacion interesi ditor, të jap rrogën më jep shërbimin dhe shërbimi nuk është aftësimi i nxënesve përmes dijes dhe edukimit por shërbimi është vendosja e kontrollit politik mbi nxënësit. Sot drejtorët e shkollës janë kthyer në gjuetarë shtrigash”, u shpreh Rama.

Lideri socialist tha se arsimi duhet të jetë një detyrim atdhetar por realiteti tregon se analfabetizmi është rritur duke shkuar në masën 15%.

(eç/shqiptarja.com)