VLORE - Pas mbledhjes së hapur, pasdite kryeministri Rama ka zhvilluar dje një takim të mbyllur vetëm me shtabin e strukturimit të partisë në Vlorë e Gjirokastër. Në takim morën pjesë deputetët e të dy qarqeve, kryetarët e bashkive dhe disa nga drejtuesit kryesore të institucioneve të jugut. Burime nga kjo mbledhje thanë për “Shqiptarja.com” se për herë të parë mbas shumë kohësh, kreu i PS-së ka ulur në një tryezë koordinatorin Koço Kokëdhima dhe deputetin Fatmir Toçi.

Ky i fundit ka pasur prej kohësh kritika për Kokëdhimën dhe mënyrën e drejtimit të PS-së në Vlorë prej tij, të cilat i ka shprehur disa herë, duke mos u paraqitur më pas në takimet organizative të Kokëdhimës.

Rama u ka kërkuar dy deputetëve të ulen bashkë dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe mbledhja është shoqëruar me nota të larta humori, që duket se ka shënuar një bindje të përbashkët të deputetëve ndaj kreut të partisë.

Kryeministri e ka “ngacmuar” Toçin duke e thirrur “ky beu i jugut” ndërsa deputeti i është përgjigjur se “nuk e kam quajtur beu i jugut, por Ali Pashë Tepelena. Po sot nuk qe as si Ali Pasha, por si Enveri”. Kjo përgjigje është përcjellë me të qeshura.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)