Rama ulet me biznesmenët grekë:
Iku koha e gjobave arbitrare mbi ju

Rama ulet me biznesmenët grekë:<br />Iku koha e gjobave arbitrare mbi ju
TIRANË – Shoqata e biznesmenëve grekë në Shqipëri ka kërkuar përgjigje të drejtpërdrejta nga Kryeministri Edi Rama për të gjitha barrierat apo lehtësitë që Qeveria e re i ka krijuar sipërmarrësve në tërësi dhe atyre grekë në veçanti. Rama, i shoqëruar nga deputeti Eduard Shalësi, Anastas Angjeli etj. ka marrë pjesë në dialogun e drejtpërdrejtë dhe ka dhënë garanci se sipërmarrjeve të huaja, jo vetëm që po u krijohen lehtësira, por u jepet akses në Këshillin Ekonomik Kombëtar të paraqesin problemet e tyre dhe të marrin përgjigje të menjëhershme, pa burokracira; për më tepër, ai garantoi se ka marrë fund koha e gjobave arbitrare.

BIZNES GREKE: TE DY VENDET TONA PO ECIN DHE NE GARANTOJME SE DO T'JU MBESHTESIM

Përfaqësuesi i sipërmarrësve grekë, Kujonas, tha: “Unë vetë jam i inkurajuar nga fakti që ju keni stimuluar dialogun me biznesin. Greqia tani është duke dalë nga kriza dhe duke hyrë me sukses në tregjet ndërkombëtare; Investitorët e huaj e kanë vlerësuar që ne i kaluam me sukses të gjitha ciklet që kishim me Eurogrupin dhe jemi mirëkëmbur, por, edhe Shqipëria gjendet në një fazë të jashtëzakonshme dhe,  falë iniciativës së Kryeministrit, ka një pamje pozitive: ka rritur të ardhurat për frymë dhe madje jetëgjatësia këtu është rritur me thuajse shtatë vjet e gjysëm; po ashtu, edhe treguesit e FMN-së për të ardhmen janë pozitivë. Doja të thoja se ka arsye të jemi të gëzuar se të dy vendet tona po ecin e këtë mund t’ua themi biznesmenëve grekë. Ekonomitë tona janë të lidhura dhe unë e them publikisht se vendi ynë do t’ju mbështesë.”

KRYEMINISTRI RAMA: KENI KESHILLIN KOMBETAR PER ÇDO PROBLEM, JO ME GJOBA NDAJ JUSH

Pasi mori fjalën, Kryeministrit Rama prezantoi ndryshimet që janë bërë dhe po bëhen për të mbështetur sipërmarrësit, veçanërisht faktin që Qeveria ka marrë përsipër shlyerjen e borxheve; faktin qç ka ngritur Këshillin Kombëtar Ekonomik dhe faktin që të ardhurat e saj nuk vijnë më nga gjobat mbi biznesin. Po ashtu, ai vlerësoi hapjen e vendeve të reja të punës në vend në për shumë vjet shqiptarët janë mbështetur tek emigracioni. Në këtë pikë ai madje kujtoi faktin se, si deputeti Shalsi ka qënë emigrant në Greqi dhe ai vetë, emigrant në Francë, kjo nuk është gjë e keqe, por një eksperiencë më shumë në bagazhin e jetës së gjithkujt.

"Këshilli Ekonomik Kombëtar,"- tha Rama, - "është një instrument që na ka dhënë mundësinë të diskutojmë në mënyrë të përmuajshme, marrjen e vendimeve të rëndësishme për biznesin dhe ne duam ta shndrrojmë në një institucion të rëndësishëm kundër korrupsionit dhe arbitraritetit. E kemi thënë dhe do ta themi përherë se do të bëjmë çmos që shërbimin në tatime e dogana ta rrisim, por nga ana tjetër ne kemi nevojë për partneritetin e sipërmarrjes për të luftuar të gjithë fenomenet negative në qasjen e sjelljen e shtetit ndaj sipërmarrjes. Ju siguroj se cilido sipërmarrës që do paraqesë një ankesë në këtë Këshill, do të lehtësohet shumë shpejt nga barra dhe madje do të japë edhe një kontribut për biznesmenët e tjerë."

Kreu i Qeverisë preku edhe një temë delikate, siç ishin gjobat mbi biznesin. "Unë jam shumë I kënaqur nga puna e doganave dhe tatimeve,"- tha ai, - "sepse arritëm 150 milionë USD të ardhura pa gjoba. Zëri I tretë në masën e të ardhurave, një vit më parë, ishin gjobat. Përfytyrojeni pak sesi mund të jetë zëri I tretë në buxhetin e shtetit për të ardhurat, gjobat ndaj sipërmarrjeve. Ju e keni provuar vetë siç e kanë pësuar sipërmarrjet e tjera se në çfarë stresi e brutaliteti ka qënë e detyruar të jetojë çdo kompani përballë një shteti që në vend të garantojë çdo kompani të punojë, e ka parë atë si një burim kreditimi.

Rruga që kemi përpara,"- përfundoi Rama, - "nuk është fushë me lule dhe as në zbritje, por është në ngjitje dhe e vetmja rrugë e kthimit të figurës së sipërmarrësit në një figurë të pacenueshme, si një model, ashtu siç janë artistët, sportistët."

Më pas, biznesmenët grekë, kryesisht të sektorit bankar, nisën pyetjet ndaj Kryeministrit, të cilave ai iu përgjigj aty për aty.

Redaksia online
(armanda shtëmbari/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta