Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë publikisht për propozimin e Partisë Demokratike për një Vetting në Politikë. Në një bisedë me gazetaren Eni Vasili në Open në Top Channel, Rama ka thënë se ky propozim do dërgohet për shqyrtim në Komisionin e Venecias.

“Siç është do ta fusim në qese, gurin që kanë hedhur në lumë, do ta çojmë në Komisionin e Venecias, aty ka dhe lumë, dhe do ta shikojnë. Nëse Komisioni thotë që kjo është në përputhje me Vettingun, do ta votojmë, nëse Komisioni i Venecias thotë “ej po atë gurin që hodhët aty pse e hodhët edhe këtu”, do t’i themi “e kuptoni sa artist është Luli?“,-ka thënë Rama.

Më tej, Kryeministri tha se nuk i trembet këtij procesi dhe se mund të nisë nga Rama i pari dhe pasuria e tij. 

“Do isha i lumtur sikur të hapeshin të gjitha librat e pasurive dhe shpenzimeve të politikanëve, të familjarëve dhe krushqve të tyre. Të gjitha. Të merreshin të gjitha shpenzimet e udhëtimeve, hotelet, shpenzimet që kanë bërë, lindjet, martesat, sëmundjet. Dhe të zbardheshin të gjitha burimet e të ardhurave që kanë buruar pasuri me shpenzime të larta. Të zbardheshin të gjitha. Do isha i lumtur. Jam i interesuar që të niste nga sarajet e mia”, u shpreh Rama.

2 javë më parë Partia Demokratike dhe kryetari Lulzim Basha shpallën propozimin për një Vetting në politikë. Në propozimin e Partisë Demokratike, parashikohet një proces Vetting-u në politikë, për të gjetur lidhjet e tyre me krimin, por jo kontroll pasurisë së politikanëve dhe familjarëve të tyre. Është kjo pika që ka hapur kundërshti me mazhorancën. Kryeministri Edi Rama, ka kërkuar që procesi i Vetting-ut në politikë, nëse do të kryhet, duhet të përfshijë në një skaner të plotë, politikanët dhe pasurinë e familjarëve të tyre, përveç lidhjeve me krimin.

PD ka dorëzuar 2 ditë më parë amendamentet në Kuvend për këtë projektligj. Në përgjigjen që kanë dhënë socialistët, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka thënë se ky proces nuk mund të zhvillohet në kohën që po zhvillohet Reforma në Drejtësi, pasi duhet të përfundojë Vetting-u në Drejtësi që më pas të bëhet edhe Vettingu në politikë.