(...vijon nga dje)
Ramiz Alia - Unë këtu fola për anët pozitive por a ka gjë negative në këtë. Tani negative nuk do të thosha unë, të paktën këtu nuk shoh ndonjë gjë negative, por opinioni i brendshëm në vendin tonë duhet pasur parasysh sepse në opinionin e brendshëm mund të ketë edhe mendime, pra ashtu si mund të ketë edhe mendime të kundërta. Tani nuk do të thosha kundër se nuk besoj që të ketë të këtij karakteri, por domethënë që ta shikojnë si ndonjë gjë të panevojshme. Pse të panevojshme? Nuk po flas për opinionin pro se opinioni pro do të ketë ato argumente që përmenda unë, do ta shikojë si një gjë që do të lidhet me autoritetin e Shqipërisë, me politikën e saj.
Kurse aspekti më i përmbajtur mund të jetë në këto çështja, e para, mund ta konsiderojnë të tepërt pse të vejë Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor për këto çështje, nuk është nevoja sepse janë mësuar me një politikë tradicionale, atje vete gjithmonë ministri i Punëve të Jashtme dhe duke vajtur tani Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor kjo është një thyerje e një rregulli. Por thyerja e një rregulli mos vallë është thyerja e një politike, pra ky mund të jetë dyshimi që mund të lindë. Mos vallë në këtë mënyrë strategjia politike pëson ndryshim dhe të mos kuptojmë që këtu është fjala për strategjinë politike, por këtu në fakt është fjala për taktikën diplomatike. Por ka të drejtë një farë opinioni që ta ketë këtë mendim pikërisht duke marrë parasysh që nuk është mësuar me një politikë të tillë, ndërsa në botë kjo është një politikë e zakonshme, nuk është absolutisht ndonjë gjë e re për ne, është një politikë e jashtëzakonshme.
Tani, a do të jemi në gjendje ta bindim këtë lloj opinioni? Ç’domethënë ta bindim, nuk është se ne do të bëjmë referendume, por e kam fjalën që çdo qytetar i vendit duhet ta kuptojë, ta interpretojë drejt sepse, në fund të fundit, çdo masë politike që bëjmë ne, çdo hap që hedhim duhet të ketë mirëkuptimin dhe opinionin e masave të gjera popullore, kjo është në interesin tonë. Prandaj dhe mendova që mund të shkëmbejmë dhe ne ndonjë mendim këtu. Me tepër nuk kam se ç’të them. Kjo çështje duhet të ketë aprovimin e Presidiumit se unë atje vete si Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kaq kisha unë. Si mendoni ju?
Shoku Faik Çinaj: Është shumë mirë që të shkoni ju.
Shoku Petrit Gaçe: Është shumë mirë që të shkoni ju. Unë këtu shikoj, përveç gjërave të mira, asgjë të keqe, përveç pluseve nuk shikoj minuse. Mund të ketë elementë të tillë këtu brenda që mund të dalin se janë mësuar me atë politikë tradicionale, por ama mos sot, nesër, ne do ta bëjmë një gjë të tillë sepse koha na imponon gjërat dhe do t’i mësojë këta njerëz.
Vajtja juaj është një gjë tjetër se sa me fjalime se ndryshe është fizikisht kur paraqitet njeriu. Tjetër është për shembull të flasë në auditor njeriu dhe tjetër kur e dëgjon në një pllakë të incizuar.
Tani sa do të fitohet tjetër problem është ai, do të ketë pluse dhe minuse. Dihet, do të ketë opinione të ndryshme do të flasin pse erdhi tani dhe jo më përpara, plot komente do të ketë. Megjithatë është ajo që thatë ju, që do të ketë ofensivë. Pritshmëria nuk është taktikë e goditur, duhet me qenë më të guximshëm në këtë drejtim. Duhet një çikë novatorizëm si në çdo sektor, pse t’i druhemi gjësë së re, ashtu siç është në të gjithë sektorët e jetës edhe diplomacia e ka këtë. Nuk ka arsye që të qëndrojmë gjithmonë në atë traditë të vjetër, mirë e kemi pasur, por edhe do ta pasqyrojmë këtë traditë nuk jemi në statikë 11 që të qëndrojmë në një vend. Mua më duket se vendimi i Byrosë Politike është një hap i goditur. Nuk ka pse të kemi rezerva brenda kaq shumë.
Shoku Ramiz Alia: Jo, nuk është puna te rezervat. Unë këtë e shtroj për zgjidhje se do të dalë një detyrë para Partisë që duhen sqaruar njerëzit. Nuk është ndonjë rezervë opozitare. Është një rezervë se ja t’i marrim njerëzit si janë. Disa do ta keni në atë kuptim siç thashë, disa të tjerë mund ta kenë një shqetësim njerëzor se jo mos i ndodhë gjë. Pra dua të them që bashkohet. Por unë mendoj se çdo gjë kalohet.
Shoku Rita Marko: Unë mendoj që ky vendim është i drejtë dhe është vazhdim i këtyre masave që marrim ne dhe në drejtim të politikës së jashtme. Për arsye që ju thatë ne duhet të jemi prezentë në mbledhje të tilla ku marrin pjesë të gjithë kryetarët e shteteve. Duke marrë pjesë ju do të keni dhe kontakte se ndryshe është kur takoheni ju, ndryshe kur takohen të tjerë. Unë mendoj që kjo do të ndikojë në opinionin ndërkombëtar dhe do të japë impulse. Armiku mundohet që të errësojë imazhin e Shqipërisë, por fakt është që ai nuk ka ku të kapet. Takimet e fundit me të huajt që u pritën te ne, e dhanë efektin e duhur. Mendoj që vajtja juaj në OKB është me rëndësi të madhe dhe do të keni suksese. Po pjesa dërrmuese e popullit këtë do ta mbështesë, populli e do këtë që të flasin përfaqësuesit tanë.
Shoku Ramiz Alia: Mbrëmë dëgjova në orën 2230 radio Barin. Jepte një koment për këtë çështje dhe thoshte: “Nuk kanë bërë gjë dhe nuk e kuptoj, - thoshte ai, - pse po bëhet zhurmë. Për ambasadën italiane e ka kërkuar vetë ambasada italiane, - thoshte ai, - nuk e di vetë, - thoshte ai, - që e ka kërkuar ambasada italiane dhe ambasada gjermane edhe ajo ka kërkuar vetë. Pra, - vazhdon ai, - asnjë gjë nuk po bëjnë këta”. Domethënë e kam fjalën këtu që korrente ka gjithmonë.Mirë, tjetër gjë, keni gjë.
Shoku Rahman Hanku: Unë them këtë shoku Ramiz, që të gjithë do ta presin mirë edhe populli ynë edhe e gjithë bota. Bile do të thosha edhe këtë shoku Ramiz, që do të mësojnë edhe diplomatët tanë. Diplomacia jonë do të jetë në sulm. Unë nuk shoh asgjë të keqe këtu, veç të mirë.
Shoku Kristaq Rama: Ç’është e vërteta që opinioni i popullit do të jetë shumë i mirë. Theksoj edhe këtë, që ato takimet tuaja me këta të huajt populli i ka ndjekur shumë dhe e ndjen këtë peshën e fjalës. Prandaj e theksoj edhe këtë që fjala juaj atje do të dëgjohet më shumë dhe vëmendja do të jetë më e madhe përveç thelbit që fjalimi juaj do të ndryshojë nga të gjitha fjalimet e tjera që janë mbajtur deri më sot atje.
Shoku Xhafer Spahiu: Vajtja juaj atje do ta ndryshojë imazhin e krijuar pa të drejtë për Shqipërinë. Do ta ndryshojë këtë imazh se është vetë forumi i OKB-së që përbëhet nga të gjitha vendet e botës, pra vetë përbërja e OKB-së është shumë më e madhe se takimet e tjera. Siç thanë dhe shokët, takimet tuaja me personalitetet e huaja të ardhura këtu kanë rëndësi të madhe dhe të gjitha këto takime duke filluar që nga ambasadorët kanë qenë shumë pozitive, pavarësisht se sa janë ato me vijën tonë.
Megjithatë përshtypjet kanë mbetur pozitive, një seriozitet i politikës sonë, qëndrimet tona, i rrugës që ndjekim ne me këmbënguljen tonë në këtë drejtim, i qëllimeve tona për sigurimin e paqes etj. Kjo tani i jep një shtytje të madhe kësaj pune dhe sulmit tonë i jep gjallëri. Edhe takimi që do të bëni atje me shqiptarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shumë i rëndësishëm.
Shoku Ramiz Alia: Mirë, dakord jemi. Ndërsa për sa i përket shpallje së kësaj, unë mendoj që të shpallet diçka më vonë. Parashikohet që unë mund të nisem nga data 25 shtator. Pra, më 26 shtator unë duhet të jem atje. Për shpalljen pra, unë mendoj që të shpallet më vonë, por këtu ka diçka që ne duhet të njoftojmë ata dhe duke i njoftuar me agjencitë e tjera do ta japin.
Sidoqoftë shpalljen ta mendojmë, për sa i përket formës së shpalljes mund ta bëjmë që mund ta them vetë unë që të mos jetë si lajm gazete. Mirë, do ta gjejmë ndonjë formë, ndonjë takim me organizatat e masave. Mirë, tashti për tashti mos e bëni muhabet, por në qoftë se agjencitë e huaja e japin dhe pyesin, ju patjetër do të thoni që e kemi vendosur si Presidium. Mbase tani për shkak të ngjarjeve në Gjirin Persik agjencitë e huaja mund ta vonojnë njoftimin.Por, sidoqoftë ne do ta shpallim pavarësisht se e shpall apo jo bota, se është mirë që opinionin publik ta njoftojmë dhe s’ka arsye ta mbajmë të mbyllur. Mirë, dakord.
[gallery]24444[/gallery]
dy.b/shqiptarja.com