Si po e menaxhonte numri 1 i regjimit rrëzimin e komunizmit? Dokumenti ekskluziv, pjesa e parë e të cilit u botuar dje në Shqiptarja.com zbulon për herë të parë gjithë prapaskenat politike të asaj dite të pazakontë në kryeqytet.
Ndërsa në shesh statuja e bronztë ishte rrëzuar përdhe e turmat ekzaltuara e kishin tërhequr zvarrë rrugëve të Tiranës, në qytetin Studenti grevistët nuk lëshonin pe. Ata kërkonin heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës. Paralelisht me ta, një grup i madh njerëzish ishte nisur drejt varrezave të dëshmorëve për ta nxjerrë nga varri trupin e diktatorit...
Dokumenti ekskluziv me shkrim dore, zbulon se pikërisht në këto momente në Presidium zhvilloheshin debate të ashpra mes Ramiz Alisë, Dritëro Agollit, Sali Berishës, Sabri Godos, Marash Hajatit, Spiro Dedes, Adil Çarçanit, etj...
Ramiz Alia kërcënonte në këtë mbledhje se do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe do të ndalte me çdo kusht ato që ai i quan “akte vandale” si rrëzimi i shtatores që tashme ishte kryer dhe tentativat për të dhunuar varrin e diktatorit.
“Do të shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe do të qëllojmë në mënyrë të jashtëzakonshme”, kërcënon Ramiz Alia në këtë mbledhje.
Dritëro Agolli këmbëngulte që të mos shpallej gjendja e jashtëzakonshme dhe të plotësohej kërkesa e studentëve për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti. Agolli madje zbulon një detaj interesant duke thënë se mes grevistëve të urisë ishte futur sheqer i helmuar dhe se s’duhej se nga kush...
Po ashtu Sabri Godo këmbëngulte të mos shpallej gjendja e jashtëzakonshme gjë që do të nxiste gjakderdhje, ndërsa Sali Berisha përballej në këtë mbledhje me akuzat se Partia Demokratike ishte organizatorja dhe nxitësja e gjithë kësaj situate...
Sot sjellim pjesën e dytë të këtij procesverbali, i cili ruhet në Arkivin e Shtetit. Ky dokument na siguron një dëshmi të fortë për të vërtetat e asaj dite historike që shënoi shenjën e parë, të fortë, të rënies së regjimit komunist.
(...vijon nga dje)
Ramiz Alia: Ti tradhton veten Sali Berisha.
Sali Berisha: Jo, nuk e tradhtoj.
Lumturi Rexha: Partia në pushtet...
Ramiz Alia: Po, po e the tani në fund, që çdo gjë që bën është për të ruajtur partia pushtetin e vet. Domethënë që edhe synimi yt është që duhet rrëzuar me çdo kusht kjo parti nga pushteti, pa zgjedhje, po me dhunë.
(dëgjohet zë që thotë diçka lidhur me parullat që hodhën...)
Sali Berisha: Nuk është aspak ky synim, nuk ka qenë dhe as që do të jetë ndonjëherë. Më falni, në qoftë se ju më identifikoni mua me njerëz rrugësh, atëherë kam të drejtë edhe unë t’ju identifikoj në shumë gjëra me ta. Po këtu nuk flitet në këtë mënyrë se ç’thërrisnin ata. Se ç’thërrisnin ata nuk i thërrisja unë. Unë edhe një herë e theksoj që të bëhet edhe një herë figura e Enver Hoxhës për dramë kombëtare, tragjedi kombëtare, kjo është e pakonceptueshme. Është vetëm figura e tij.
Ramiz Alia: Thelbi nuk është figura e tij, jo.
Sali Berisha: Thelbi është vetëm figura e tij.
Ramiz Alia: Mirë, tjetër kush ka.
Marash Hajati: Shoku Ramiz, kam edhe unë nja dy mendime. Përpara së gjithash duhet me gjakftohtësi ta mendojmë a është e justifikuar që të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme. Mua më duket se ne kemi kohë. E vërteta është që gjithçka ka shpejtuar pa parashikuar, por unë mendoj që kohë, megjithëse është e shkurtër, duhet për të menduar a ta shpallim apo jo. Personalisht jam për të mos e shpallur, por pa rrezikuar.
Ramiz Alia: Po çfarë, do të lë unë atë televizion dhe ata gazetarë të shkruajnë ashtu? E merr përsipër ti t’i ndalësh si kryetar i gazetarëve?
Marash Hajati: Shoku Ramiz Alia kam dhjetë muaj që kam folur për këtë, t’i ndalim dhe si t’i ndalim dhe më keni nënvlerësuar vazhdimisht. Prandaj tani më keni thirrur në kohë shumë të vonë. Unë jam gati të shkoj që tani e të bisedoj e t’i ndalojmë shoku Ramiz.
Ramiz Alia: Unë nuk të kam thirrur aspak vonë, unë të kam thirrur si Kryetar të Bashkimit të Gazetarëve.
Marash Hajati: Unë dua të them një mendim dhe nuk më lini ta them atë. Ta mbaroj.
Ramiz Alia: Dale, ta thuash mendimin, po unë desha të them që këtë situatë që thua ti ka dalë jashtë kontrollit, unë nuk mund ta lejoj më.
Marash Hajati: Ka dalë jashtë kontrollit. Prandaj unë dua të them një mendim. Unë them...
Ramiz Alia: Këta gazetarë në këtë mënyrë nuk i lejojmë.
Marash Hajati: Unë prandaj dua të them një mendim.
Ramiz Alia: Fol.
Marash Hajati: Unë them është e domosdoshme ta mendojmë me gjakftohtësi a ka ardhur kjo kohë për ta shpallur apo jo gjendjen e jashtëzakonshme. Unë personalisht jam për të mos e shpallur. Kam një mendim të dytë, që ju si president të merrni pushtetin plotësisht në dorë. Nuk më duket mua as e drejtë të rrimë të merremi me ligje, me nene etj. Ju jeni President i Republikës Popullore të Shqipërisë dhe ju duhet të merrni pushtetin në dorë që tani dhe kjo ju jepet e drejtë në daç për gjendje të jashtëzakonshme, në daç për rrugë tjetër. Unë jam për rrugë tjetër.
Me këtë rast, në qoftë se ju merrni menjëherë me këtë të drejtë pushtetin në dorë dhe e kam fjalën, nuk flas për të marrë mendime është puna juaj, për të vendosur dhe për të hequr shumë gjëra, të cilat tashti për tashti nuk e ndihmojnë kombin tonë. Unë them ju e keni këtë mundësi dhe unë për vete personalisht e kam këtë besim dhe ju duhet të operoni pa keqardhje në disa gjëra sepse kjo, në fund të fundit është në të mirën e kombit. Këto operime që do të bëhen, nuk ju mbetet asgjë juve si person në këtë punë, kjo do t’i mbetet historisë dhe le ta thotë historia fjalën e saj.
Prandaj nuk është fjala këtu t’i heqim emrin, ata e kanë hequr emrin, ata e kanë hequr bustin. Këtu është fjala për të operuar më tutje, si do të veproni ju si president. Nuk besoj që asnjë parti këtu, asnjë organizatë këtu që të jetë kundër kombit të vet.
Në qoftë se është një e tillë, atëherë ne kemi ardhur kot dhe nuk përfaqësojmë askërkënd. Ne përfaqësojmë atë, qoftë gazetarët, qoftë PD-ja, kushdo që është këtu përfaqësojmë popullin, përfaqësojmë ata njerëz që duhet të marrin përgjegjësi mbi veten e tyre. Prandaj unë mendoj që ju të merrni menjëherë pushtetin në këtë punë. Nuk ka më kohë. Dhe përpara se të shpallet gjendja e jashtëzakonshme është në radhë të parë pushteti juaj. Për këtë unë mendoj që ju urgjentisht të njoftoni nëpërmjet shtypit a radios për të gjitha këto masa që mendoni të merrni, që shokët këtu i thanë dhe me të cilat unë jam dakord. Edhe emri të hiqet.
Ramiz Alia: Ju nga një anë propozoni merr pushtetin, e pse ta marr pushtetin?
Marash Hajati: Për të mos u vonuar.
Ramiz Alia: Ta marr pushtetin unë sikur problemi themelor i Shqipërisë sot qenka vlerësimi i Enver Hoxhës?
Marash Hajati: Jo, nuk thashë për këto, por thashë për të gjitha gjërat që janë vonuar.
Ramiz Alia: Jo, jo, po për këtë se këtu është tërë thelbi i problemit.
Marash Hajati: Shoku Ramiz, nuk ka kohë për t’u vonuar në këtë punë, them unë, mendimi im.
Ramiz Alia: Po nuk është ky problemi themelor. Në qoftë se do ta merrja unë pushtetin, do ta marr për tjetër gjë.
Marash Hajati: Për tjetër gjë ta marrësh që të mos vonohemi.
Ramiz Alia: Mirë por po më nxirrni përpara këto.
Marash Hajati: Cilat?
Ramiz Alia: Ja këtë që dhe çështjet personale të tuat.
Marash Hajati: Më vjen shumë keq, nuk kam ngritur çështje personale asnjëherë.
Ramiz Alia: Po ja atë po më thua, ka 10 muaj.
Marash Hajati: Më vjen keq, unë kam dhënë një mendim thashë, nuk më është dëgjuar, është tjetër gjë. Këtë e kam të drejtë ta them, nuk është ndonjë gjë e madhe që po e them. Unë po them që për të gjitha gjërat që krijojnë acarime unë mendoj që ju duhet të merrni masa urgjente.
Ramiz Alia: Unë nuk mund të marr pushtet për të vendosur vlerësimin e personalitetit të Enver Hoxhës, se nuk është ky për mua problemi që ka sot populli shqiptar. Kjo që u bë sot është krimi më i madh dhe ju do të dëgjoni zhurmën e këtij krimi, do të dëgjoni se sa e rëndë dhe sa e egër do të jetë përgjigjja. Populli nuk i duron këto gjëra, mos harroni.
Marash Hajati: Ky është vandalizëm, ky është fashizëm, kjo nuk është kulturë, kjo nuk është asgjë, po unë kam hall të fitojmë kohën.
Adil Çarçani: Po ja, këtë të dënojmë atëherë.
Marash Hajati: Këtë ta dënojmë po nuk duhet pritur a do ta bëjmë kështu apo jo.
Adil Çarçani: Pse nuk doli ndonjë nga ju, pse nuk doli Partia Demokratike ta dënojë haptazi. Pse nuk doli përpara turmës.
Ramiz Alia: Më falni, do dilni të tërë ta dënojmë, kështu si jemi?
Marash Hajati: Do ta dënojmë patjetër. Në qoftë se nuk e dënojmë, dënojmë veten tonë. Unë jam të dalim ta dënojmë, ky është vandalizëm.
Ramiz Alia: Jeni dakord të dalim?
Lumturi Rexha: Po, shoku Ramiz, të dalim.
Marash Hajati: Ta dënojmë këtë se është vandalizëm, por për të gjitha të tjerat, shoku Ramiz, të merren masa edhe nga ju, me afate të caktuara. Të mos merren gjërat lehtë, edhe blloku, edhe të tjerat, me afate të caktuara se kanë shkuar duke u zvarritur dhe njerëzit e thjeshtë e kanë bezdi këtë punë. Këto duhen bërë.
Sali Berisha: Nuk është një gjë e vogël.
Ramiz Alia: Më falni, por në qoftë se bëhet fjalë që unë të marr siç thoni ju, siç e quani ju, pushtetin presidencial nuk e marr për të hequr një fotografi, apo për të hequr një emër. Në qoftë se e marr këtë pushtet, do ta marr sepse gjendja politike e vendit është jashtëzakonisht e rëndë dhe duhet vendosur rregull e disiplinë.
Në qoftë se e marr, sepse është gjendja ekonomike jashtëzakonisht e vështirë dhe duhen vendosur medoemos disa masa të jashtëzakonshme për të shëruar gjendjen ekonomike. Në qoftë se e marr është çështja për të krijuar një atmosferë politike të favorshme për të bërë zgjedhjet e marsit. Nuk e marr për të rregulluar shtëpinë tënde dhe timen, për të rregulluar një fotografi apo një bust. Kanë kohë këto gjëra për t’u zgjidhur.
Ose le të zgjidhen menjëherë, por nuk është detyra ime, në qoftë se e marr këtë funksion, dhe bile se po më vjen sikur po më vini kusht që po e more zgjidhe këtë një, zgjidh këtë dy. Jo nuk e marr unë për ato gjëra. Në qoftë se vjen puna të marr unë pushtetin presidencial e marr për çështje të tjera themelore, jo për çështje të cilat presin. Këto gjëra mund të zgjidhen edhe pas zgjedhjeve në mënyrë normale. Dhe kemi biseduar për këtë çështje, nuk flas për bllokun e të tjera si kjo, por për vlerësimin e veprës së Enver Hoxhës etj., etj. Prandaj të mos i ngatërrojmë gjërat. Po flasim për një nivel të lartë drejtimi, jo për një nivel të ulët drejtimi.
Dritëro Agolli: Por, meqenëse ndodhi kjo shoku Ramiz, unë them kryesore këtu është figura e Enver Hoxhës, sepse ky është shkaku.
Ramiz Alia: Po të jetë kështu, atëherë nuk jemi dakord dhe unë mund të dal me një alternativë tjetër. Atëherë unë jap dorëheqjen.
Lumturi Rexha: Nuk është e vërtetë shoku Ramiz.
Sali Berisha: Jo, nuk...
Dritëro Agolli: Nuk arrin atje puna. Gjeni një zgjidhje tjetër, unë...
Lumturi Rexha: Nuk është e vërtetë. Edhe për ju vonë është thënë, pse nuk e thoni ju, që më vonë është thënë edhe thirrja tjetër për pushtet dhe për shokun Ramiz? Nuk është e vërtetë ajo.
Ramiz Alia: Po, sot u tha që ç’ke me të.
Myqerem Fuga: Duam edhe ndonjë shpjegim shoku Ramiz për ta gjykuar me gjakftohtësi problemin. Si e parashikojnë më tutje shokët zhvillimin e situatës?
Ramiz Alia: Nuk parashikojnë asgjë. Çështja është merre ti dhe rregullona fotografitë.
Myqerem Fuga: E pranuam që hoqëm emrin, si e parashikojmë në tutje situatën? E pranuam që hoqëm emrin, hoqëm bustin, ku do të mbarojë?
Dritëro Agolli: Pastaj do të vijnë zgjedhjet.
Marash Hajati: Pastaj do të vijë disiplina. Unë them për këtë duhet bërë.
Myqerem Fuga: Unë them ta gjykojmë me gjakftohtësi problemin se mund t’u dalim përpara problemeve.
Lumturi Rexha: Jo shoku Marash, ne shikojmë realitetin.
Marash Hajati: Epo mirë, atëherë dilni ju, unë nuk e di.
Myqerem Fuga: Jo, t’u dalim përpara problemeve dhe t’i shikojmë me gjakftohtësi.
Sali Berisha: Këtu është evidente që lëvizja ka bërë tabu figurën e Enver Hoxhës. Këtu nuk ka ndonjë motiv tjetër kjo dihet është emri. Po ne nuk po e shikojmë tani, pse të mos e themi atë që është?
Leka Shkurti: Shoku Berisha, ajo është hedhur si ide sikur gjithë problemi është Enver Hoxha. Por në fakt ngjarjet kanë ndodhur më shpejt se sa të dilte kjo parullë, me greva etj. Ato ishin lëvizje të tjera, në fillim ekonomike, pastaj morën karakter politik, pse ndodhi ky fenomen? A duhet të pranojmë që ka një skenar këtu? Atëherë ky skenar zgjidhet me këto që bëjmë ne, me qeveri të përkohshme apo zgjidhet me masa më radikale.
Sali Berisha: Më duket se kjo ideja e skenarit është një opsesion i vërtetë, i cili...
Ramiz Alia: Po, po, ashtu si edhe strategjia e tensionit.
Sali Berisha: ... i cili ka vetëm si synim të përligjë masat e jashtëzakonshme që absolutisht, për mendimin tim, janë të papranueshme në këtë periudhë. Unë nuk shikoj ndonjë skenar, por shikoj që revolta filloi për figurën e Enver Hoxhës, e cila sot është një figurë e kontestueshme për shkak të polarizimit të forcave në demokratike, republikane dhe komuniste.
Adil Çarçani: Kanë shkuar në çdo qendër pune me thirrje, me emisarë pikërisht për të bërë këtë skenar sot.
Sali Berisha: Skenarin e sotshëm?
Adil Çarçani: Po, bile edhe me emra, edhe në çfarë partie bëjnë pjesë. S’është skenar ky?
Sali Berisha: Unë për skenarin e sotshëm nuk di. Një herë për Partinë Demokratike nuk ka asnjë lidhje. Këtu është një thirrje e sindikatave që sot shpallte grevën. Kjo është, atë e kanë bërë publikisht shoku Adil, nuk është se e kanë bërë me emisarë. Sindikatat nëpërmjet mjeteve të informacionit shqiptar u kanë bërë thirrje punonjësve për sot për grevë.
Leka Shkurti: Shoku Berisha, problemin e Enver Hoxhës vetëm me këtë e gjykoni ju, me mitingun? Po populli shqiptar ç’thotë?
Sabri Godo: Shoku Ramiz, më duket se po humbasim kohë.
Sali Berisha: Populli shqiptar ka të drejtë ta mbajë kush të dojë dhe nuk ka të drejtë t’i përzihet kërkush.
Ramiz Alia: Epo unë them që po vonohemi kot. Kërkojnë studentët e klubit konfirmim, heqjen e emrit “Enver Hoxha” Universitetit me dekret. Qeveria të japë dorëheqjen menjëherë, në qoftë se nuk plotësohen këto, dëgjoni tani: pjesëmarrësit do të shkatërrojnë bllokun, varrin e çdo gjë. Varrin!! Shiko Sali Berisha çfarë vandalësh.
Sali Berisha: Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me ta.
Lumturi Rexha: Shoku Sali, tregohu i sinqertë këtu dhe i pastër sepse nuk është ashtu siç e thoni ju.
Sali Berisha: Kujt i thua kështu ti moj. Çfarë flet, me kë flet ti?
Lumturi Rexha: Me ju flas.
Sali Berisha: Unë kam varre turqish e serbësh në livadhet e mia dhe s’i ka luajtur kurrkush, po luaj varrin e Enver Hoxhës. Më tregon sinqeritetin ti mua.
Spiro Dede: Unë jam në një nga pozitat më të vështira sepse dje u bë mbledhja e KQ të Partisë, sot kanë ndodhur gjithë këto gjëra, por situata është e jashtëzakonshme në popull. Dhe kësaj situate të jashtëzakonshme unë mendoj që duhet t’i përgjigjemi me një urtësi të jashtëzakonshme, me një politikë të jashtëzakonshme.
Nuk kam mendimin e të gjithë shokëve. Me një urtësi të jashtëzakonshme se a janë skenarë, a janë psikoza sociale, nuk mund ta kuptoj, por unë jam për këtë: mendoj se shqiptarët, po të jemi mirë ne dhe të dalim me një thirrje publike, me një deklaratë të përbashkët ku t’u themi njerëzve, vëllezër e motra të qetësohemi dhe t’i zgjidhim gjërat siç duhet. Ndër gjërat më urgjente, ne duhet të nxjerrim studentët medoemos dhe në qoftë se studentët e duan atë gjë, derisa u rrëzua ajo atje, le t’ua japim studentëve me një vendim, mendoj unë. Ndërkohë jam për atë që t’i jepet kohë presidentit po jo t’ia lëmë atij çdo gjë në dorë që pastaj populli të thotë që i ka fajet ai. Jam shumë dakord që të funksionojë secili nga këto, po sidomos një këshill presidencial, vetë Presidiumi i Kuvendit Popullor, këshilli presidencial, i cili të ketë prerogativat e duhura për të dalë medoemos nga kjo situatë e jashtëzakonshme.
Të gjithë siç jemi të vemi e t’u bëjmë thirrje forcave, partive, njerëzve në të cilët kemi influencë për të shkuar drejt kësaj qetësie. Jam me atë tjetrën, të krijohet medoemos një qeveri teknike; jam për atë tjetrën që të mos flemë e të mos ikim, por ose do të qetësojmë Shqipërinë, ose le të vemi ne përpara atje te gjendja e jashtëzakonshme. Nuk duhet të mendojmë as për parti, as për gjë. Nuk duhet të humbasim shansin e shkëlqyer për të shkuar drejt zgjedhjeve pluraliste. Kë të dojë populli le t’i japë votën. Ne këtë do ta bëjmë vetëm me urtësi. Po të tregohemi të gjithë të urtë, të gjithë të vendosur dhe të ndihmojmë shokun Ramiz.
Zë: Të bëj një pyetje. Je për gjendje të jashtëzakonshme?
Spiro Dede: Unë fola për masa politike të jashtëzakonshme, urtësi politike të jashtëzakonshme jo për gjendje të jashtëzakonshme. Unë jam që të forcohet rendi. Domethënë ata që janë turma që nuk përballohen dot duhet të vëmë, unë jam që të mos derdhet asnjë pikë gjak.
Sali Berisha: Është në nderin e policisë shqiptare, e këtyre organeve që shmangën gjakun sot. Do të jetë një ditë, në këtë aspekt nuk pajtohem me gjestin, dhe më vjen keq dhe unë besoj se edhe për këto probleme i kemi bërë deklaratat dhe jam konsistent në to por ama është në nderin e ...
Ramiz Alia: Por ama do ta shikojmë edhe shtypin tuaj se çfarë do të thotë. Po e shikojmë se ç’po thonë oratorët tuaj tani atje.
Sali Berisha: Ku janë oratorët tanë?
Ramiz Alia: Atje te studentët. Po i shikojmë; pra do ta shikojmë se ç’do të thotë dhe shtypi juaj, se ç’hossana do t’i bëhet atij gjesti që u bë, liberator.
Sali Berisha: Besoj se juve kam pasur rastin t’jua them kur ka rënë puna për t’u diskutuar që ajo do të bëhej me peticion ose me referendum mbarë Tirana dhe nuk kam pasur asnjë lloj koncepti tjetër dhe nuk kam por unë jam aty kryetari i atij komisioni që ekziston dhe unë shprehem haptazi këtu që nuk ekziston asnjë mendim tjetër për këtë punë.
Ramiz Alia: Ja do t’i shikojmë, do t’i lexojmë.
Sali Berisha: Dakord. Sidoqoftë edhe unë jam dakord me ato që thanë shokët.
Ramiz Alia: (Pasi merr një letër nga një korrier që hyn në sallën e mbledhjes). Tani kanë shkuar te varri. Tani atje kamë dalë tanket.
Situata është që nuk mban më, nuk mban në mënyrë absolute. Prandaj sa janë akoma në aktivitet partitë duhet të luftojnë për qetësinë dhe, në qoftë se duhet, të dalin në televizion dhe në radio dhe të bëjnë thirrje për qetësi. Kjo mundet në qoftë se mua më jepni tri ditë afat, domethënë një qetësi absolute që unë të mendoj çfarë duhet bërë, presidencë apo qeveri apo çfarë, kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme do të jenë relative. Gjendjen e jashtëzakonshme unë do ta shpall që sonte por kushtet e saj do të jenë relative. Nëse kjo qetësi nuk më sigurohet dhe ky bashkëpunim shoqëror që u kërkoj forcave politike nuk më sigurohen gjendja e jashtëzakonshme do të vijë duke u shkallëzuar në raport me zhvillimin e ngjarjeve. Këtë kisha për të thënë.
Myqerem Fuga: Më falni shoku Ramiz, por është logjike që derisa flasim për demokracinë...
Ramiz Alia: Ky është...
Myqerem Fuga: ... ne të tërë themi që jemi për qetësinë, atëherë pse të mos e bëjmë këtë që thoni ju? Të marrim...
Ramiz Alia: Ç’demokraci, ky është fashizëm. Të shkosh te varri?
Myqerem Fuga: ... angazhim këtu të tërë dhe t’i bëjmë thirrje popullit për të qetësuar të gjithë gjakrat dhe gjithë këtë gjaknxehtësi të popullit dhe ju të veproni me gjakftohtësi për të marrë ato masa që janë në dobi të popullit dhe të një demokracie të vërtetë. Unë them që këtë duhet ta pranojmë të tërë.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com