Ramiz Rama, rolet më për zemër
s’kam mundur t’i luaj ndonjëherë…

Ramiz Rama, rolet më për zemër<br />s’kam mundur t’i luaj ndonjëherë…
Ishte viti 1979, kur dramaturgu Fadil Kraja shkroi dramën “Baca i Gjetajve”, një dramë e cila u shqua për kontrastet dhe tonet e saj dramatike. Shkëlqyen me interpretimet e tyre, Artistët e Popullit Ndrekë Luca dhe Tinka Kurti.

Por… krahas tyre ishte dhe një aktor, në vetvete modest dhe i thjeshtë, që nga ky ansambël tërhoqi vëmendje (dhe vëmendje të madhe) në rolin e Qoses, me të qeshurën e tij kumbuese, të paharrueshme dhe brilante. Me siguri, shumë kush nga spektatorët shkodranë do ta kujtojnë këtë detaj që përligjte ‘biografinë’ e kësaj figure interesante.

E ky ishte Ramiz Rama. Një aktor i nderuar. Një ndër më të vjetrit e teatrit “Migjeni”, ku kaloi vitet më të bukura dhe më të vështira të jetës së tij plot privacione. Që siç thotë me të drejtë shkrimtari Fadil Kraja: “Ramiz Rama u shqua deri aty ku mund të lejohej të shquhej. Sepse… sa herë që shkëlqimi ishte i tepërt, hapeshin fletët e biografisë së tij, dilte babai i pushkatuar, shuhesh drita e tunelit dhe errësohesh jeta e artistit; stepeshin, thaheshin e i mbulonte akulli ëndrrat e tij të bukura e të bardha. Një golgotë ishte jeta e Ramiz Ramës. Me një fëmijëri të vrarë, me rini pa shpresa, me një jetë profesionale të trishtë dhe gjithë hendeqe e pengesa, deri nga ato më qesharaket, po të shihen me syrin e sotëm.

E megjithë këtë golgotë, me gjithë kryqin e rëndë që mbartte mbi shpinë; ai mbeti njeri i mirë, i drejtë, i qeshur, i shëndetshëm në shoqëri. Kjo falë karakterit të tij dhe qëndrimit stoik para vështirësive. Vitet e Demokracisë i erdhën me vitet e pensionit. E megjithë këtë, ai nuk iu nda teatrit dhe shokëve të tij. Malli: sa i madh aq i pashuar!..”
 
2.
Vitet do të kalonin një nga një. Rolet, po, shtoheshin një nga një, dhe arritën në 90. Në shumicën të dyta, por edhe kryesore, si dhe role të antagonistëve. Ndaj, dhe talenti i tij dritësonte herë pas here, edhe atëhere kur ishte harruar apo moskujtuar… Për këtë po i referohem studiuesit Josif Papagjoni, i cili për interpretimin e lojës së këtij aktori, thotë: “ Aktrimi i tij (Ramizit, - shënimi im Xh.B.) dallohej për tone të forta, temperament dhe një frymë ballafaqimi e konflikti të ndezur në trajtimin e dialogut. … Interesante ishte figura e Mbretit Blu në dramën “Gjaku i Arbërit” e Fadil Krajës, regjisor Serafin Fanko, e cila u ndërtua përgjithësisht në dy rrafshe: në ato të vrazhda e nevrotike me Palin dhe në ato të zymta dhe të ngrysura me të bijën. Ndër arritjet më të suksesshme të tij ka qenë interpretimi i rolit të Bektash Shkozës në dramën “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit, me të cilin, falë një qasjeje të thukët satirike, ai nënvizoi anën megalomane, cinike, brutale e ambicioze të personazhit, sikundër bëri përpjekje, ndonëse më pak të realizuara, edhe në ravijëzimin e dyzimit dhe ambiguitetit që e karakterizonte këtë personazh.” (Papagjoni, Josif: “Teatri i Shkodrës”, Shkodër 2009, zëri: RAMA, Ramiz; f. 102.)

3.
Shumë vite më vonë, besoj, aty nga viti 1995, u njoha më aktorin Ramiz Rama. Që në këtë njohje të parë, me atë qeshjen e tij karakteristike, më tha: “Unë të njoh mirë. Ti nuk më njeh. Unë njoh vogëlinë tënde. Fëmijërinë. Unë kam ardhur shumë herë në shtëpinë tënde, në lagjen “Perash”. Se, unë, kam pasur shok vëllain tënd, Halidin. Gjithashtu, kujtoj, keni pasur një derë të madhe prej dërrase të pangjyrë. Ajo derë kishte dhe një reze, që ‘trokiste’ fort. Në oborrin me pemë të shumta kishit edhe një pus, e, pranë tij ishte dhe një lug. Kur vija në shtëpinë tënde, dhe vija shpesh; fshehurazi këpusja lule vile. Ah, ç’aromë që kishte!.. Po ajo shtëpi e vjetër shkodrane, atje, në lagjen “Perash”, kishte aromën e mikpritjes. Nuk e harroj. Jo, nuk e harroj. Eh, vitet që ikën… Vitet ikën…”

Dhe në dritën e kësaj ‘miqësie’ i bëra këtë intervistë, që si relikte të çmuar po e nxjerr në dritë… për të njohur sadopak figurën e këtij aktori.    

[gallery]20278[/gallery]        
-A ju pëlqen të flisni për vetveten?

Ramizi: Jo. Është e vështirë qoftë për të mirë, qoftë për të keq. Për të mirë duket sikur përkëdhel sedrën, për të keq është një ndjenjë qaramane. Por nganjëherë duhet folur, aq shumë, kur lë një gjurmë në jetë. Mbase dikush duhet ta dijë. E rëndësishme është ta thuash në mënyrë të ndershme e të sinqertë.
-Atëhere fillojmë… diçka nga jeta juaj?
Ramizi: Kam lindur në Shkodër, më 09.11.1938. Me teatër jam marrë qysh në fëmijëri. Foleza e parë: Shtëpia e Pionierit. Regjisori i parë: Gjovalin Çarkaxhia, aktor në teatrin “Migjeni”, e më vonë, për një periudhë të gjatë kohore regjisor në Shtëpinë e Kulturës.
Në gusht të vitit 1959 kam mbaruar Liceun artistik “Jordan Misja”. Po në këtë muaj jam emëruar aktor estrade në qytetin e Kukësit.  
-E kujtoni momentin e pranimit si aktor? 
Ramizi: Si jo. Kujtimet nuk duhet t’i mbulojë pluhuri i harresës. E kam fjalën, njeriu ka kujtesën e tij, dhe e ka në një shkallë të caktuar, por aktori , po të mos ketë kujtesë, nuk vlen një grosh. Aktori i duhet kujtesa si ajri, uji, drita, si… Duhet të jetë i kompletuar në mendime, me emocione, me fantazi. Është e dorës së parë të mbaj mend shumë, të dijë histori e deri detaje nga më të imtat të ngjarjeve, me një fjalë duhet të ketë imagjinatë kolektive.
Këtu e 32 vjet më parë, provova shansin e parë për t’u pranuar aktor. Kryetar komisioni ishte Artisti i Merituar, Andrea Malo. Nga që më njihte mirë, më thirri: “Hajde, ti, Ramiz, me çfarë do të na kënaqësh?” Unë i sigurt, i fryrë si kaposh fodull, paraqitem me ca material estrade. Pasi mbarova, me veten time prisja duartrokitje. Profesori i nderuar, pasi rregulloi njëherë syzet, ku ndrisnin dy sy të ëmbël, më tha: “Rama…, ti qenke një aktor i madh. Mos e humb kohën për 4 vjet, se unë nuk kam se ç’të mësoj.”
T’ju them të vërtetën salla më erdhi vërdallë. Më mbuluan djersët e ftohta. Nuk fola, sepse një zë i brendshëm që e dëgjoja vetëm unë, më foli: “Kaq e pate, o Ramiz Rama, s’do të bëhesh kurrë aktor!” Por profesor Andrea që ishte edhe psikolog, duke më shikuar drejt e në bebe të syrit, m’i bleu menjëherë mendimet e mia e më tha me dashamirësi: “Përpiqu të sjellësh ndonjë material tjetër. Të ketë karakter dramaturgjik.”
Ashtu veprova. Pas 10 ditësh, u paraqita përsëri, kësaj here materialet ishin marrë nga gjerdani i artë i tragjedive të Shekspirit. Kur përfundova së interpretuari, Profesori (ndoshta i vetmi në sallë, këtë s’e kujtoj mirë…) duartrokiti  sinqerisht e më tha po me dashamirësinë që e karakterizonte: “Bravo, bravo, tani mund të them se bëhesh aktor, e kam se ç’të mësoj”.
E fillova shkollën, e mbarova, një jetë të tërë punova në teatrin “Migjeni”, dhe fjalët e Profesorit nuk i hodha poshtë, por i mbajta si diçka të vlefshme, tepër të vlefshme. Dhe sot, edhe pse në pension, i them me plot gojën: “Të faleminderit, Profesor!”
-Tani aktor në teatrin “Migjeni…
Ramizi: Ishte korriku i vitit 1966, kur mbarova punën. Kujtoj dramën “Cuca e Maleve” të L. Papës, me regjisor, të mirënjohurin, Profesorin tim të mjeshtrisë së aktorit, Mihallaq Luarasin. Pastaj kam interpretuar në shumë drama e komedi, si: “Djem të mbarë”, “Shpartallimi”, “Baca i Gjetajve”, “Çmurosja”, “Ftesë nga larg”, etj. Numri s’ka rëndësi për mua, rëndësi ka cilësia dhe interpretimi dinjitoz ndër to. Kjo ka qenë primare për mua. Dhe jam përpjekur ta bëj… Në galerinë e roleve të mia, më për zemër kam pasur ata që s’kam mundur t’i luaj ndonjëherë. Sepse teatrit mund t’i falësh jetën e s’të takon të interpretosh atë që të do zemra, atë që ke ëndërruar sa e sa herë nëpër vite… E kjo ka ndodhur fatkeqësisht, se teatrit tonë në shumicën e rasteve për garderobë ka pasur dramaturgjinë standarte sipas kallëpeve banale e tërë ndryshk të realizmit socialist, e cila si metodë helmuese nuk të ka lejuar dimensione pa kufi, larmi e frymëmarrje. Si i thonë një fjale, të ka bërë azmatik.
-Si e keni ndjerë veten, kur keni interpretuar në komedi?
Ramizi: Është fjalë e madhe komedia. Aktori duhet të jetë si plastelina. Ai duhet të ketë dhunti që të interpretojë lirshëm, me bonsens në çdo gjini të teatrit. Komedia është një plazmim i madh jetësor, pa gaz, hare e humor. Këto veçori ia jep aktori me lojën e tij. Jo fallco e në mënyrë artificiale. E kam ndjerë dhe e ndiej veten të kënaqur të vdes duke qeshur, sepse kjo është motoja që më ka udhëhequr. E këtë jam munduar ta mishëroj te rolet komike, që më pas t’ia dhuroj spektatorit e, ai të buzëqesh i çlirët dhe në mënyrë të besueshme. E kur ia kam arritur kësaj, kam thënë me vete: “Diçka paskam bërë…”
-Tani ju jeni në pension, flokëzbardhur, a ju është zbehur kujtesa..?
Ramizi: Jo. Më kanë mbetur në mendje e në zemër aktorë të tillë, si: Mihal Popi, Loro Kovaçi, Naim Frashëri, etj. Aq sa ishin artistë të mëdhenj, aq ishin njerëz shpirtmëdhenj; sikur ta hiqnin të keqen me qerpik të syrit, siç thotë një fjalë e urtë popullore.
-Filmin nuk e përmendët. Mos keni ndonjë kujtim të hidhur..?
Ramizi: Në film më shumë s’kam interpretuar se kam interpretuar. Më duket se kam interpretuar në 6 filma artistikë. Kujtojnë këtë çast: “Një natë pa dritë”, “Flaka e maleve”, “Të paftuarit”, etj.

Po… kështu ishte ajo… kohë… atëhere… Lufta e klasave, famëkeqja luftë e klasash më vrau shumë ëndrra të bukura moshe, më zverdhi shumë dëshira… Por edhe pse jam në pension, po të kujtoohet kush për mua, edhe në këmbë do të shkoja të luaja film.
-Të kthehemi përsëri te jeta aktoreske. Përdoret shpesh termi: “Ky aktor ka individualitet…” Po të ishte tezë provimi, si do të përgjigjeshit..?
Ramizi: Çdo aktor ka shkollën e vet, bindjet e veta. Me ato kurrë s’duhet të luash apo t’i shesësh. Kurrën e kurrës… Asnjëherë, në çfarë do rasti. Jeta është e shkurtër, arti është i gjatë. Kështu që personaliteti të hyjë në kuvlinë e skllavërisë është një fatkeqësi për aktorin. Më mirë një guri i joti në torbë se sa miliona brilante fallco, që një ditë doemos të rrokullisin drejt greminës.
***
 Aktori Ramiz Rama ndërroi jetë në moshën 77-vjeçare. Ishte dhe një tifoz “i çmendur” i skuadrave shkodrane dhe asaj gjermane.
 Aktori Ramiz Rama!.. Na la ca role “maja”, si: Bektash Shkoza te drama-satirë “Fytyra e dytë” (shfaq në vitin 1973), Bajraktari te “Shpartallimi” (shfaq në vitin 1974), Qosja te “Baca i Gjetajve” (shfaq në vitin 1979), Mbreti Blu te “Gjaku i Arbërit” (shfaq në vitin 1981). Na la dhe një polifoto me afro 90 role, me të cilat “do të bisedojë” nëpër vite me spektatorët, me studiuesit e artit skenik, kritikët dhe historianët. Dhe… kushdo që e ka njohur, nuk ia harron buzagazin dhe ngjyrën e zërit kumbues. Por… në mënyrë të veçantë do ta kujtojnë fëmijët, kur vijnë festat e fundvitit. Në Mbrëmjen tradicionale të Vitit të Ri, Ramizi interpretonte figurën e Plakut të Vitit të Ri. E interpretonte aq hareshëm, sa nuk kujtohej për vitet e moshës që i rëndonin mbi supet e tij. Dhe këtë ritual-interpretimi e bënte çdo fundviti, e vite me radhë. U bë i njohur dhe i dashur sa më s’ka për fëmijët.

E kujtoj si tani hyrjen e tij në sallë. Sikur vinte nga një udhëtim i largët prej përralle. Në thesin e tij magjik mbante lodrat e shumta, por “fshehurazi” mbante dhe mijëra buzëqeshje dhe ëndrra fëmijërore… Pastaj hynte triumfalisht në sallë, ku rrethohej e ngrohej nga gëzimet e duartrokitjet e fëmijëve. E, ai, shpërndante pa kursim buzëqeshje pafund, paçka se ato i kishin munguar nëpër vite.

E festa e fundvitit do të vijë, e “Plaku…”, tani, do të na mungojë. Jo. Ai është i “fotografuar” në kujtesën e fëmijëve. Një mrekulli prej mrekullive! E, në vazhdim të mrekullive, ky çast kujtese më sjellë ndërmend poezinë “Etyd për Vitin e Ri” të poetit Frederik Rreshpja: ‘Degët e drurëve lëkundën flurorë / Mbi ballin e pjerrët të çative, / S’ka gjë në mos rëntë kësaj nate dëborë / Do bjerë në kujtesën e fëmijëve!’
            E festa e fundvitit do të vijë… E, Ramiz Rama në udhën e tij prej aktori na dhuroi 90 role + rolin e Plakut të Vitit të Ri. Një mrekulli prej mrekullive që, çdo fundviti si një fëmijë kurreshtar ëndërron!..
 
Shkodër, dhjetor, 2016.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Tenis/ Numri 2 i botës pozitive me doping, pezullohet me një muaj

Tenis/ Numri 2 i botës pozitive me doping, pezullohet me një muaj