Raporti: 80% e fëmijëve nuk do
ta raportonin dhunën në familje

Jo më pak se 80% e fëmijëve në Shqipëri nuk do ta raportonin dhunën në familje. Një fakt i tillë vjen nga një studim i World Vision, një nga organizatat më të mëdha për fëmijet në vend.

Matjet e World Vision tregojnë se shumica e fëmijëve ose nuk e dinë se ku të raportojnë rastet e abuzimit ose nuk besojnë se institucionet do mund t’i ndihmojnë.   80%  e fëmijëve të pyetur të moshës 8 deri në 12 vjeç nuk do ta raportonin dhunën tek insitucionet përkatëse.
 
Nisur nga kjo situatë, Drejtori Kombëtar i World Vizion Toni Gogu i kërkon MMSR-së, që të nisë sa më shpejt të jetë e mundur zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen Sociale, që u lançua një ditë më parë nga Ministri Blendi Klosi.
 
“Reforma territoriale nisur në vitin 2014 ka qenë një katastrofë për mbrojtjen sociale të të miturve në Shqipëri. Për shkak të këtij procesi, shumë Njësi për Mbrojtjen e Fëmijëve janë mbyllur në të gjithë vendin. Kjo do të thotë që mijëra fëmijë janë të rrezikuar nga dhuna, shfrytëzimi, lypja dhe nuk kanë ku të drejtohen për ndihmë. Mijëra fëmijë , në këto çaste, ndodhen nën rrezik dhe janë braktisur nga institucionet përkatëse”, -tha ai.  
 
Kjo strategji sipas tij duhet t'u krijojë të miturve mënyra të thjeshta raportimi.
 
"Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale,  duhet t’i shërbejë shëndoshjes së familjes sepse aty është baza e mirëqenies së fëmijëve. Dhe nga ana tjetër, kjo strategji duhet t’u krijojë sa më shpejt të miturve mënyra të thjeshta raportimi. Është e rëndësishme që fëmijët të cilët janë duke vuajtur dhunën të jenë në gjendje ta tregojnë këtë te njerëzit e duhur dhe të kenë besim se do dëgjohen dhe do ndihmohen”, - tha Gogu.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Media britanike ‘Metro’: Shqipëria mes pesë destinacioneve spektakolare për të vizituar në 2025

Media britanike ‘Metro’: Shqipëria mes pesë destinacioneve spektakolare për të vizituar në 2025