ITALI - Hapësira nëntokësore e pozicionuar në zemër të Romës që shfrytëzohej si serë për mbjelljen dhe kultivimin e mariuanës, është rikthyer në vëmendjen e publikut nga rrjeti amerikan CNN.

Zbulimi i bërë nga policia italiane gjatë muajit gusht, po përdoret si spunto nga ana e amerikanes CNN, lidhur me rrjetin e punëve kriminale italiane nëpërmjet trafikut të drogës.

Në një material special, rrjeti amerikan, shprehet se kultivimi i drogës është një industri e cila po jeton në bumin e saj, ndërkohë që ekonomia italiane gjendet në vështirësi.

Sipas autorit të këtij material Ben Wedeman, edhe pse kultivimi i mariuanës në Itali është i ndaluar, shitja e farave nuk është e tillë. Madje një djalë i ri, identiteti i të cilit mbetet anonim, shprehet se kjo është një mënyre e çuditshme për të vazhduar mbjelljen e saj.

"Shumë të rinj e pinë ligjërisht, punojnë, paguajnë taksat dhe për ta është problem fakti që lekët që harxhojnë për të blere mariuanën shkojnë për Kamorran."

Më pas reporteri i CNN interviston Rita Bernadinin, parlamentaren e Radikalëve e cila po lufton për legalizimin e mariuanës.

"Nuk ka kontroll rreth gjërave që shiten. Një pjesë e mallit vjen nga Shqipëria dhe nga vendet e jugut dhe është e përzier me substanca kimike. Nuk pihet vetëm mariuanë por edhe substanca të tjera të rrezikshme." shprehet Bernadini.

Kontrollet po bëhen gjithnjë e më të sofistikuar, instrumentet e pajisur me sensorë të japin mundësinë që të zbulosh plantacionet edhe më të vogla.

Gjithsesi, fjala e urtë është se "bari i fqinjit është gjithmonë më jeshil, ndonëse për momentin mbetet i ilegal."

(ed.ka/Shqiptarja.com)