Grupi i Rithemelimit ka reaguar në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për Shqipërinë. Në një deklaratë për mediat, Flamur Noka dhe se raporti i DASH vërtetoi akuzat e tyre për kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë. Sipas Nokës, raporti i DASH tregoi se qeveria e kryeministrit Edi Rama është e korruptuar dhe se sistemi i drejtësisë jo vetëm që nuk është i pavarur, por po i nënshtrohet presionit politik.
"Qeveria e Edi Ramës përbën një rrezik real për të drejtat e qytetarëve shqiptarë përmes korrupsionit masiv, presionit politik mbi drejtësinë dhe presionit ekonomik mbi median dhe blerjes së votës. Ky është rezultati pas skanerit që Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë situatës së të drejtave të njeriut në vend gjatë vitit elektoral 2021. Raporti i DASH vërteton më së miri të gjitha shqetësimet, denoncimet dhe akuzat e Partisë Demokratike dhe të opozitës. A ishin shqiptarët të lirë te zgjidhnin qeverinë që donin? Departamenti i Shtetit thote Jo! Vullneti i shqiptarëve është deformuar nga një qeveri që bleu votat, që përdori buxhetin e shtetit dhe sistemin kriminal të patronazhimit, duke ekspozuar mbi 900 mijë qytetarë përballë presionit politik të partise në pushtet. A është sistemi i drejtësisë i pavarur? Raporti Departamentit Amerikan te shtetit thotë Jo! “Megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thekson raporti. Shqiptarët e dinë se kush e ka fuqinë për t’i bërë presion drejtësisë. Ka një emër, që duhet të jetë në krye të listës si pengmarrës i drejtësisë së pavarur! Ky është Edi Rama. Një nga shfaqjet më brutale të këtij presioni, Edi Rama e dha gjatë kongresit të Partisë Socialiste, kur i tregoi SPAK-ut kë duhet të hetojë dhe kush është i paprekshëm, u shpreh ai.
Sipas Nokës, synimi i tyre është që t'i japin fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të qeverisë dhe se për ta bërë këtë 'duhet t'i shkurtohet jeta qeverisë aktuale'.
"Partia Demokratike ka votuar për një drejtësi që t’i japë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të qeverisë, por me Edi Ramën që kontrollon çdo pushtet, ky mision është i minuar. A eshte kjo qeveri e korruptuar? Raporti i Departamentit Amerikan te Shtetit thote po. Një qeveri e korruptuar në të gjitha degët e saj, siç pohon Departamenti i Shtetit, një kryeministër i korruptuar dhe presioni politik ndaj drejtësisë është një këmbanë alarmi për shqiptarët! Ka ardhur koha që të bëhemi bashkë, pavarësisht bindjeve politike, për t’ia shkurtuar jetën kësaj qeverie që të drejtat e shqiptarëve i shet dhe i blen për karrigen personale të Edi Ramës", tha Noka.
Një reagim mbi raportin e DASH e pati edhe kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj, i cili u kujdes t'i dërgonte edhe një mesazh Sali Berishës, që një ditë më parë i kërkoi atij të jepte dorëheqjen si kryetar i Grupit Parlamentar të PD. Alibeaj tha se PD është dhe do të mbetet në krah të SHBA për t'i dhënë fund korrupsionit, në një kohë kur Berisha, i shpallur 'non grata', kërkon të marrë drejtimin e partisë.
Nëpërmjet një raporti të publikuar një ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit theksoi se çështjet kryesore lidhur me të drejtat e njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2021 ishin “problemet me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet komunale”.
O Mulooo! Vetem ti mos fol per korupsion, te lutem!????
Përgjigju