Raporti i DASH, Alibeaj mesazh edhe për Berishën: PD është dhe do të mbetet në krah të SHBA për t'i dhënë fund korrupsionit

Raporti i DASH, Alibeaj mesazh edhe për Berishën: PD është dhe do të mbetet në krah të SHBA për t'i dhënë fund korrupsionit

Enkelejd Alibeaj

Në një koment për raportin e DASH për të drejtat e njeriut për Shqipërinë, kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj nuk hezitoi t'i dërgonte edhe një mesazh Sali Berishës.

Në Facebook, Alibeaj shkruan se PD është dhe do të mbetet në krah të SHBA për t'i dhënë fund korrupsioni, komente këto që vijnë një ditë pasi Berisha i kërkoi atij që të jepte dorëheqjen si kryetar i Grupit Parlamentar të PD.

"Ky qëndrim në raport dëshmon dhe njëherë se SHBA janë në krah të shqiptarëve që kërkojnë luftë ndaj krimit e korrupsionit, reformë reale e të pavarur në drejtësi, dhe mbi të gjitha zgjedhje të lira e të drejta, gjë që nuk ka ndodhur me 25 prill dhe në asnjë proces zgjedhor të 8 viteve të fundit. Shqiptarët meritojnë një qeverisje të drejtë e të pakorruptuar. Këtë nuk e ofron dot regjimi i Ramës, i kapur mat nga SHBA e çdo institucion tjetër ndërkombëtar, në korrupsion, lidhje me krimin e manipulim të zgjedhjeve. PD është dhe do të mbetet krah SHBA dhe shqiptarëve për ti dhënë fund korrupsionit, mjerimit ekonomik që ka larguar mijëra qytetarë në emigracion dhe garancia e vetme për reforma reale e të drejta në të gjitha fushat për të ndërtuar një demokraci, si ajo euroatlantike në SHBA e BE", shkruan Alibeaj.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet raportit të DASH e cilësojnë qeverinë shqiptare të korruptuar, duke e lexuar këtë si konfirmim të akuzave të PD. Alibeaj shkruan se qeveria e Ramës është 'e keqja më e madhe e shqiptarëve, dhe se raporti është dëshmi se ai nuk gëzon mbështetjen e SHBA.

"'Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar', thotë raporti duke konfirmuar atë që ne, Partia Demokratike e Shqipërisë, kemi thënë e faktuar prej vitesh. Raporti i DASH është skaneri më i qartë se qeveria e Edi Ramës është e keqja më e madhe e shqiptarëve dhe dëshmia se kjo qeveri nuk e gëzon më mbështetjen e SHBA. Të dashur qytetarë, pasi siç thotë raporti “Policia nuk e ka zbatuar gjithmonë ligjin në mënyrë të barabartë. Lidhjet personale, politike ose kriminale, infrastruktura e mangët, mungesa e pajisjeve dhe mbikqyrja e pamjaftueshme shpesh patën pasoja në zbatimin e ligjit', DASH konfirmon faktin e ngritur me zë të lartë nga PD, blerjen dhe manipulimin e votës duke renditur një seri faktesh në raport e ku edhe në këtë rast konfirmon akuzat e opozitës. “Raporti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, theksoi disa mangësi, duke përfshirë blerjen e votave, rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale dhe avantazhin e konsiderueshëm të fituar nga partia në pushtet për shkak të të qenit në pushtet”, fakt ky i bërtitur nga PD para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021. SHBA ngrenë shqetësim edhe për drejtësinë që sipas raportit, "megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase'", shkruan Alibeaj.

Nëpërmjet një raporti të publikuar një ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit theksoi se çështjet kryesore lidhur me të drejtat e njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2021 ishin “problemet me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet komunale”.

Ndërkohë, në mbledhjen 7 orëshe dje të Grupit Parlamentar të PD, debatet mes palëve arritën kulmin, pa gjetur një zgjidhje për të kapërcyer problemet e brendshme. Alibeaj akuzoi Berishën se po vijon të tregojë mungesë vullneti për zgjidhje, pasi refuzon të tërhiqet nga zgjedhjet në bazë.  Nga ana tjetër, Berisha tha se zgjedhjet në bazë dhe Kuvendi i 30 prillit as nuk do të shtyhen e as nuk do të anulohen, teksa nuk e ka kursyer as Alibeajn që tha se "shpërdoroi" besimin e Komisionit të Rithemelimit si drejtues i grupit parlamentar, duke thënë se "do e ndjekë fati i Bashës".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:47
Basha sërish për raportin e DASH: Konfirmoi shqetësimet e ngritura nga PD, duhet të jetë kambanë alarmi

1649693066_Basha.jpg

Kambanë alarmi e konsideron ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha raportin e DASH për Shqipërinë. Sipas tij SHBA konfirmuan sërish se shqetësimet e ngritura nga Partia Demokratike për korrupsionin, masakrën zgjedhore, veshjen me pushtet të kriminelëve, presioni ndaj medias etj, janë të drejta dhe të bazuara në fakte të pakundërshtueshme.

“Në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut nënvizohet se korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes së Edi Ramës. Ashtu si në rastin e kanabizimit të vendit, apo në rastin e fundit të inceneratorëve Edi Rama është kthyer në mburoj të ministrave të korruptuar duke penguar drejtësinë të veprojë ndaj zyrtarëve të lartë.

Raporti ka vërtetuar edhe shqetësimin e PD për përdorimin politik të policisë dhe shpesh herë kthimin e saj në shërbim të personave të inkriminuar. E ndërkohë që dosjet për masakrën zgjedhore presin një vendimmarrje nga organet e drejtësisë, DASH risjell në vëmendje problematikën e blerjes së votave, rrjedhjen e të dhënave personale të 900 mijë shqiptarëve dhe përdorimin e tyre për arsye elektorale si dhe përdorimin e fondeve publike në funksion të përfitimit elektoral.

Ky raport duhet të jetë kambanë alarmi për institucionet e drejtësisë e veçanërisht Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, të cilat janë krijuar për të vënë para drejtësisë të paprekshmit, zyrtarët e lartë të korruptuar, ata që kanë tjetërsuar me forma dhe mënyra të ndryshme vullnetin e shqiptarëve për ndryshim e për t’u kthyer atyre besimin tek drejtësia.

Pa u vënë para ligjit ata që deformuan vullnetin e zgjedhësve dhe kokat e korrupsionit, Shqipëria s’do të ketë as progres e as zhvillim ekonomik”, shkruan Basha.

/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja