TIRANE - Kuvendi i Shqipërisë më datë 5 mars 2015 ka miratuar raportin e bërë nga Avokati i Popullit mbi luftimin e fenomenit të gjakmarrjes. Kuvendi ka kërkuar angazhimin e të gjitha institucioneve shtetërore, në nivel qendror dhe vendor, medias dhe shoqërisë civile të veprojnë bashkërisht për dhënien fund të fenomenit të gjakmarrjes. Të drejtat dhe liritë e njeriut janë e drejta themelore që duhet t’i gëzojnë të gjithë shtetasit dhe e drejta e jetës është e drejtë themelore e njeriut të mbrojtur me ligj. Në këtë rezolutë të Kuvendit, thuhet se gjakmarrja dhe hakmarrja janë fenomene primitive, që bien ndesh me ligjin, shtetin e së drejtës dhe frymën e një shoqërie demokratike. Parandalimi i hakmarrjes dhe gjakmarrjes kërkon angazhimin e të gjitha institucioneve.

Fenomeni
Bazuar në raportin e Avokatit të Popullit për fenomenin e gjakmarrjes në Shqipëri është konstatuar se gjakmarrja është një fenomen i lokalizuar në disa zona të Shqipërisë. Shpërndarja demografike e fenomenit të gjakmarrjes është kryesisht në zona urbane, edhe pse ky fenomen është me origjinë rurale. Kjo dëshmon dështimin e mekanizmave dhe instrumenteve urbane të integrimit social nga zhvendosja demografike ndër vite, cilësia e edukimit në sistemin shkollor dhe problemet ekonomike të familjes shqiptare. Organizmat shtetërorë ende nuk kanë arritur të bëjnë përcaktimet e duhura të kësaj situate të krijuar edhe nga fakti se nuk ka statistika të sakta për këtë fenomen dhe pasojat e tij.

Të dhënat zyrtare të institucioneve shtetërore për përhapjen e gjakmarrjes dhe për personat e ngujuar për shkak të tij janë kontradiktore. Ndërkohë, programet e parandalimit të gjakmarrjes nuk zbatohen në të gjitha zonat ku fenomeni ka shtrirje gjeografike dhe nuk ka informacion të plotë për programet dhe organizatat që veprojnë në terren për parandalimin e gjakmarrjes dhe pajtimin e palëve.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)