Sot kritikojnë fjalimin e Edi Ramës në Këshillin e Europës, por 11 vite më parë, përfaqësuesi i PD kanë votuar pro raportit të Dick Marty në Asamblenë Parlamentare në Strasburg. Duke e cilësuar si “kujtesë historike”, kështu ka zgjedhur kryeministri t’i përgjigjet kritikave të opozitës dhe publikon fjalën e Damian Gjiknurit, përfaqësuesit të PS që votoi kundër së bashku me Shpëtim Idrizin.
“KUJTESA HISTORIKE na e thotë sot me fakte të shkruara, se kur rezoluta e iniciuar nga përfaqësuesit e partisë së Vladimir Putinit dhe e mbështetur më tej nga raporti famëkeq i Dick Marty-t mbi trafikun e organeve njerëzore, u paraqit për votim në Asamblenë e Përgjithshme, ajo fatkeqësisht mori votën pro të përfaqësuesit të Partisë Demokratike në delegacionin shqiptar, ndërsa u kundërshtua nga dy përfaqësuesit e tjerë nga Shqipëria, Damian Gjiknuri e Shpëtim Idrizi”, shkroi Rama.
Rama publikon edhe fjalimin e Damian Gjiknurit, i cili thoshte se raporti nuk kishte asnjë provë dhe kishte shumë kontradikta, ndaj e cilësonte trillim politik.
“Ky raport ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve, për shkak të seriozitetit të akuzës, natyrës së krimeve të pretenduara dhe mungesës së provave. E kuptojmë se ideja e konspiracionit që rrethoi paaftësinë e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) për të hetuar krimet e pretenduara dhe zbulimi në respekt të një prej lojtarëve kryesorë për të ndjekur krime të tilla, Carla del Ponte, është çka e nxiti këtë Asamble të kërkojë nga Dick Marty përpilimin e një raporti të plotë, të bazuar në prova, si edhe të hedhë dritë mbi çështjet, në vend që të përsërisë akuzat e bëra më parë nga të tjerët.
Fatkeqësisht, na duhet ta pranojmë që ky raport nuk ka as edhe një gjë të re me rëndësi dhe vetëm sa është shtuar ai vetë në numrin e çështjeve politike të rajonit. Nuk ka as edhe një provë dhe në shumë pjesë ka thjesht natyrën e një opinioni politik, po jo të një raporti hetimor.
Raporti është i mbushur me kontradikta që kanë të bëjnë me aktivitetin e supozuar dhe shpërfillës ndaj çdo pune të mëparshme të bërë nga ICTY. Një prej tyre është çështja e dy shtëpive famëkeqe: “Shtëpia e Verdhë”, për të cilën hetimi i ICTY nuk solli asnjë informacion dhe në Fushë-Krujë, ajo shtëpia e famshme ku gjoja merreshin organet. Por e cila, siç edhe citohet në raport, nuk kishte asnjë lidhje me aktivitetet e pretenduara.
Kjo na shtyn të besojmë se raporti është më shumë trillim politik sesa hetim i bazuar në prova dhe kësaj Asambleje nuk i shkon për shtat diçka e tillë. Por pavarësisht nga natyra politike e raportit, duke pasur parasysh rëndësinë e akuzave, ne si delegacion shqiptar kemi paraqitur një sërë pikash, të cilat kërkojnë një riformulim të arsyeshëm të akuzave të nxjerra në Raport.
Mendojmë se thelbi i rezolutës nuk është të bëjë politikë me krimin e pretenduar, por të nxisë bashkëpunimin midis autoriteteve të drejtësisë, për të zbuluar nëse diçka e tillë ka ndodhur realisht. Kështu që le të hetojnë të gjitha vendet, dhe të heqim nga raporti konsiderata politike që njollosin njërën palë, pra shqiptarët dhe UÇK-në.
Prandaj, unë i bëj thirrje Asamblesë të mbështesë ndryshimet e propozuara nga delegacioni shqiptar, të cilat kërkojnë një hetim të duhur të çështjes dhe të shmangë shpalljen fajtore paraprakisht të një organizate të tërë politike, për arsyen e vetme se ajo luftoi për çlirimin e një populli të shtypur!", thoshte Gjiknuri.
Opozita shqiptare, edhe pse ka shprehur të njëjtin qëndrim për raportin e Dick Marty si Qeveria, e ka konsideruar show dhe propagandë fjalimin e Edi Ramës dy ditë më parë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Sali Berisha tha se fjalimi i Ramës ishte ishte një thikë pas shpine për Kosovën pasi e dëmtoi në një moment delikat të saj të anëtarësimit në BE dhe mbrojti Beogradin.
Ndërsa Ilir Meta tha se bojkotimi që iu bë Ramës në Strasburg pasi disa përfaqësues të KiE refuzuan që të merrnin pjesë në darkën e organizuar nga Shqipëria reflektoi drejtimin anti-europian që po ndjek sipas tij kreu i qeverisë. Duke e cilësuar si një shfaqje teatrore, Meta tha se pavarësisht këtyre, Rama nuk e heq dot vëmendjen nga skandalet në të cilat është përfshirë ai.
Nga Strasburgu, kryeministri Edi Rama e ka quajtur ‘fake news’ raportin e Dick Martyt për krimet e pretenduara se janë kryer nga drejtuesit e UCK-së gjatë luftës në Kosovë. Rama tha se ky raport ishte një dështim i turpshëm i diplomacisë ndërkombëtare, që duhet zhbërë pa humbur kohë.