Sipas një raporti të EUROPOL, grupet kriminale shqiptare janë ndër kryesoret në trafikun e kokainës në Europë, ndërsa eksperti i kriminalistikës, Fatjon Softa thotë se shtrirja e aktivitetit të tyre ka arritur në përmasa të frikshme.
Në studion e emisionit "Sot Live në Shqipëri" në "Report Tv", Softa tha se shqiptarët kanë kaluar nga ndërmjetës në trafikun e drogës, në porositës e shpërndarës dhe janë bërë drejtues të rrjeteve të mëdha kriminale.
"Aktivitet kriminale të grupeve shqiptare kanë arritur në përmasa të frikshme dhe kalimi i tyre nga ndërmjetës në porositës e shpërndarës, është një moment i rëndësishëm për ta analizuar dhe vepruar. Shqiptarët janë bërë të fuqishëm, kanë ndryshuar edhe sjelljet e tyre në tregu e drogës. Fakti që nuk po ndalohen autorët e vërtetë, këta grupe do të lulëzojnë. Shqiptarët kanë hyrë në rrjete ndërkombëtare, janë futur në rrjete, janë kthyer në investitorë", tha ai.
Nisur nga rastet e përsëritura të kapjes së sasive të konsiderueshme të drogës në Portin e Durrësit, në kontejner që vijnë nga Ekuadori, eksperti u shpreh se kjo tregon se vendi ynë është kthyer në 'autostradë' të lëvizjes së sasive të mëdha të drogës. Ai shton se vetëm ndalimi i këtyre ngarkesave, nuk do të shkatërrojë këto grupe kriminale, duke vënë theksin te nevoja e gjurmimit deri në destinacionin e fundit, për të gjetur laboratorët ku lënda narkotike përpunohet për t'u futur sërish në tregun Europian. Softa thotë se po ashtu duhet ndjekur dhe paraja e pistë që lëviz në vend.
"Lidhja me Ekuadorin, ardhja e përsëritur e drogës në Durrës, tregojnë për një autostradë të lëvizjes masive të drogës me përmasa të mëdha. Kjo drogë që vjen në port ka një destinacion të caktuar, do të shkojë në një laborator për t'u përpunuar dhe duhet parë se ku janë vendet që do të shkojë droga, ku përpunohet në Shqipëri për të dalë më pas sërish në tregje në vendet e BE. Është një fenomen shqetësues. Nuk ka hetime të kryera në këtë drejtim, se ku do të përpunohet, kush janë format e komunikit, cilët janë grupet, si do të dalë nga territori shqiptarë, format e komunikimit, në këtë mënyrë ndalohet ky fenomen. Në Ekuador apo vende të tjera, shqiptarët kanë dhe lidhjet e tyre, kanë asetet e tyre. Duhet parë si funksionon ky grup, mënyrat e komunikimit, në këtë mënyrë zbulohen fijet për të mbërritur te porositësit. Shqipëria është edhe vendi i pastrimit të parave sepse paratë futen në mënyrë ilegale. Ky trafik është shumë i organizuar. Duhet ndjekur edhe paraja që hy në Shqipëri, të gjurmohen pasuritë, ku investojnë. Duhet një hetim. Shqipëria ka një histori të lindjes së trafikut me vendet e Amerikës Latine që prej 20 vitesh. Prezenca e shqiptarëve është më prezente në Angli dhe Spanjë. Shqiptarët aktualisht dominojnë në këto vende dhe kanë kaluar nga drogërat e lehta te lëvizjet elitë, janë bërë drejtues të grupeve kriminale", u shpreh ai.
Në raportin prej 27 faqesh, EUROPOL thotë se në periudhën 2018 – 2020 shqiptarët përbëjnë pjesën më të madhe të personave të arrestuar në Europë në aksione ku është kapur kokainë. Të dytët vijnë shtetas nga Brazili dhe më pas kolumbianët.
O Softa nuk eshte faji i Shqiperise qe u be udhe e droges!! Ajo eshte si uji, qe do te rrjedhe do te rrjedhe, por e gjen vete rrugen me te lire!!
Përgjigju