Reporterët e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, të cilët vizituan Shqipërinë në nëntor 2025, dorëzuan më 7 tetor raportin për qeverisjen vendore në vend. Dokumenti, i cili në fakt ka si objektiv monitorimin e zbatimit të Kartës Evropiane të Vetqeverisjes Vendore, e pritet të votohet më 27 tetor në Kongres, trajton dhe çështjen e reformës së re administrativo-territoriale, e cila u votua në Kuvend vetëm një ditë pas dorëzimit të raportit.

Në dokument, reporterët shprehin shqetësimin se konsultimet për bashkimet e propozuara të bashkive nuk u garantuan banorëve të bashkive të prekura mundësi të mjaftueshme për të marrë pjesë në kohën e duhur dhe për të ndikuar në vendimmarrje. Sipas raportit, procesi i konsultimit nisi në një fazë të avancuar të reformës dhe nuk duket se ka përmbushur frymën e nenit 5 të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, i cili kërkon konsultimin paraprak të komuniteteve përpara ndryshimit të kufijve të tyre administrativë.

Raporti evidenton gjithashtu centralizimin e vazhdueshëm të kompetencave, burimet e kufizuara financiare, administrative dhe njerëzore të bashkive, si dhe mungesën e autonomisë së qarqeve. Reporterët rekomandojnë që reforma të zbatohet mbi bazën e parimeve të decentralizimit dhe të vendimmarrjes në nivelin më të afërt me qytetarët. Sipas tyre, pushteti vendor duhet të ketë një rol më të madh në ofrimin e shërbimeve publike, ndërsa konsultimet për ndryshimet e kufijve administrativë duhet të ishin gjithëpërfshirëse dhe efektive.

Dokumenti thekson se të gjitha komunitetet e prekura, përfshirë banorët e tyre, duhet të kenë mundësi reale për të shprehur qëndrimet e tyre dhe se rezultatet e konsultimeve duhet të merren seriozisht përpara çdo vendimi përfundimtar. Karta Evropiane e Autonomisë Vendore parashikon që kufijtë e njësive të qeverisjes vendore të mos ndryshohen pa u konsultuar paraprakisht komunitetet e prekura, mundësisht përmes një referendumi, kur legjislacioni e lejon një procedurë të tillë.

Megjithatë, të gjitha këto gjetje duket se janë të vonuara, duke pasur parasysh se Kuvendi, me 85 vota të mazhorancës e ka kaluar tashmë ligjin e reformës së re territoriale.

Ndërkohë, grupi parlamentar socialist ka kërkuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale, me fokus te kompetencat e bashkive, shërbimet publike, financat vendore dhe zhvillimi rajonal. Komisioni do të shqyrtojë ndryshimet ligjore për decentralizimin dhe financimin e pushtetit vendor, si dhe do të ndjekë zbatimin e ndarjes së re territoriale deri në zgjedhjet vendore të vitit 2027. Ai propozohet të ketë 16 anëtarë dhe të funksionojë për 9 muaj, me mundësi zgjatjeje. Qëllimi është që reforma të mos mbetet vetëm te ndarja e bashkive, por të sjellë ndryshime edhe në kompetencat, financimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.

Opozita, e cila ka kundërshtuar haptazi reformën e kaluar në parlament, ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e këtij komisioni.