Që nga mohimi i të drejtave për strehim apo shërbime sociale, për bursa studimi, apo shërbime publike si transporti ose furnizimi me ujë, sjelljet diskriminuese sipas raportit vjetor të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, janë shfaqur në forma të ndryshme. 

Përtej tyre, problematik rezulton fakti që del nga të dhënat, se institucionet publike janë ato ku konstatohen aktet diskriminuese. Nga 404 ankesa drejtuar Komisionerit, 74.4% janë kundër sektorit publik dhe 25.6 janë kundër sektorit privat.

Gjatë vitit 2025, Komisioneri ka përfunduar shqyrtimin e 41 çështjeve ku janë trajtuar problematikat e fëmijëve. Prej tyre në 14 raste është vendosur se ka patur diskriminim, dhe shumica dërrmuese lidhet me familjet në nevojë të cilat nuk kanë përfituar bursa për fëmijët e tyre.

Për 26 raste ka patur ankesa për përdorim të gjuhës së urrejtjes, por Komisioneri i ka dhënë të drejtë vetëm për dy çështje, për bindje fetare dhe orientim seksual.

Në fushën e punësimit, ku vërehet dhe fluksi më i madh i ankesave, vetëm në 13 raste është konstatuar diskriminim, 12 kundër subjekteve publike dhe 1 rast kundër subjekteve private.

Në fushën e arsimit janë dhënë 11 vendime diskriminimi. Ndërsa, personat me aftësi të kufizuar kanë fituar në 14 raste kundrejt 16 pretendime që janë hedhur poshtë. Komisioneri nuk ka dhënë asnjë vendim për diskriminim për bindje politike pavarësisht se ka pasur 25 ankesa.

Komisioneri ka konstatuar se në tre raste, shtresave vulnerabël u është mohuar furnizimi me ujë të pijshëm.

Institucioni i pavarur thotë se në 2025 ka dhënë gjithsej 47 vendime diskriminimi dhe 54 mosdiskriminimi ndërsa Komisioneri është shprehur me 9 vendime me gjobë, në vlerën 1.560.000 lekë.

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë