Në një relacion përgatitur për mbledhjen e sotme nga administrata e KQZ-së që mban datën 21 mars 2017, të cilin “Shqiptarja.com” disponon, saktësohen të gjitha informacionet të cilat deputetët dhe kryebashkiakët nuk i kanë deklaruar ose që i kanë korrigjuar në fazën e dytë.
Tabela shoqëruese saktëson se si deputetë e kryebashkiakë, mes tyre dhe Sali Berisha kanë fshehur dënime të formës së prerë ose kanë korrigjuar të dhënat personale, si emrin apo datëlindja.
“Funksionarët e mëposhtëm nuk kanë deklaruar në Formular ndryshime në gjeneralitete të bëra me vendim të organeve të njësive vendore.
Nga shqyrtimi i informacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile rezulton: Deputeti Ylli Shehu, ish i PR, kaluar me LSI, nuk ka deklaruar në Formular ndryshime në gjeneralitete.
Sipas Shkresës së DPGJC ka pasur ndryshime zyrtarisht në emër dhe mbiemër, datëlindja e deklaruar në formular, nuk përputhet me datëlindjen zyrtare, sipas DPGJC. Deputeti Spartak Braho LSI, nuk ka deklaruar ndryshimin e emrit nga “Zylyftar” në “Spartak”.
Deputeti Eduard Halimi PD, nuk ka deklaruar ndryshimin e emrit nga “Eduart” në “Eduard” dhe mbiemrin nga “Halim” në “Halimi”. Deputeti Myqerem Tafaj PD, nuk ka deklaruar ndryshimin e emrit nga “Miqerem” në “Myqerem”.
Deputeti Vangjel Dule PBDNJ, nuk ka deklaruar ndryshimin e emrit të babit nga “Jorgo” në “Jorgji” dhe emrin e nënës nga “Garufo” në “Jorgjia”.
Deputeti Gjovalin Bzheta PD, nuk ka deklaruar ndryshimin e emrit nga “Gjon” në “Gjovalin””,-thuhet ndër të tjera në relacionin e KQZ-së i cili pritet të vendosë sot se si do të veprojë me këta zyrtarë të lartë.
Ndërkohë, dokumenti i cili titullohet: “Informacion rreth procesit të verifikimit nga KQZ të formularëve të Vetëdeklarimit në zbatim të ligjit Nr. 138/2015 “Për Garantimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike”, referuar praktikës së vendosur nga Prokuroria e Përgjithshme”, thuhet se funksionarët sipas tabelës më poshtë, nuk kanë deklaruar brenda afatit ligjor në formularin e vetëdeklarimit dënime me vendim të formës së prerë/ndryshime në gjeneralitete.