Ndërkaq kompania e auditimit “Deloitte & Touche”, deri më tani, ka audituar pjesën e kontratave, ndaj të cilave shteti ka detyrimet më të mëdha, të cilat janë afërsisht 80% e kontratave totale. Përpos detyrimeve që parashtrohen në kontratat e kompanive, për sa u përket shërbimeve të kryera ndaj shtetit, një vlerë e madhe parash që sheti u detyrohet kompanive kanë të bëjnë më borxhet energjitike, shpronësimet, rimbursimin e TVSH-së etj. Sipas deklaratave paraprake, detyrimet e të gjitha llojeve që shteti ka ndaj subjekteve private kapin shifrën e rreth 500 milionë eurosh.
Pak ditë më parë, kreu i Financave, Shkëlqim Cani, tha se në datë 30 nëntor do të çertifikohet vlera e borxhit që shteti ka ndaj biznesit, nga kompania “Deloitte & Touche”. Në lidhje me mënyrën se si do të shlyhen borxhet ndaj kompanive, ai tha se një mundësi ishte shlyerja me këste. Sipas ministrit Cani, disa qindra kompani kanë aplikuar në ministri për shlyerjen e detyrimeve ndaj tyre nga ana e shtetit. Ndërkaq me t’u verifikuar pretendimet e bizneseve për sa u përket borxhit që shteti ka ndaj tyre, do të fillojë shlyerja e tyre.
Megjithatë është bërë e ditur nga ana e Ministrisë së Financave, se fillimisht do të shqyrtohet përmbushja e kontratës që subjektet private kanë lidhur me shtetin, përpara se të fillojë shlyerja e borxhit. Kjo do të thotë se do të verifikohet nëse subjektet private kanë përmbushur detyrimet e tyre ashtu siç parashikonin kontratat që ata kishin lidhur me shtetin. Nëse kontratat nuk janë zbatuar nga ana e subjekteve private konform ligjit, kjo mund te ndikojë në pretendimet e tyre për sa u përket borxheve që shteti duhet të shlyejë kundrejt tyre.
Ndërkaq, në lidhje me çështjen e borxhit që shtetit ka ndaj bizneseve, Ministria e Financave është konsultuar edhe me përfaqësues të FMN-së. Pritet që në 3 dhjetor të “zbarkojë” një delegacion i FMN-së në Tiranë, ku përveç shqyrtimit të një strategjie për të shlyer borxhet që ka shteti, do të hapet edhe një kapitull i ri bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe këtij institucioni. Gjatë qeverisjes së Ekzekutivit “Berisha”, prania e FMN-së në Shqipëri ishte reduktuar në një përfaqësi minimale, për shkak se ai nuk nënshkroi zgjatjen e marrëveshjes së mëparshme me këtë institucion financiar, për herë të parë që kur FMN-ja erdhi në Shqipëri në vitin 1991.
Shkrimi u publikua sot (01.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)