Komiteti i sigurisë së vaksinave i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se shqyrtimet e reja të provave shkencore nuk gjetën lidhje midis vaksinave dhe çrregullimit të spektrit të autizmit, duke riafirmuar përfundimet e arritura më shumë se dy dekada më parë.

Komiteti Këshillimor Global i OBSH-së për Sigurinë e Vaksinave vlerësoi dy rishikime sistematike që mbulojnë studime të publikuara midis viteve 2010 dhe gushtit 2025.

Rishikimet shqyrtuan vaksinat në përgjithësi dhe ato që përmbajnë tiomersal, një konservues me bazë merkurin që është akuzuar prej kohësh nga kritikët se kontribuon në autizëm - një pretendim i hedhur poshtë vazhdimisht nga studimet shkencore.

Një lidhje shkakësore midis vaksinave dhe rezultateve shëndetësore merret në konsideratë vetëm kur disa studime me cilësi të lartë tregojnë vazhdimisht një lidhje statistikore, tha komiteti.

Njëzet nga 31 studime nuk gjetën prova të një lidhjeje midis vaksinave dhe autizmit, sipas OBSH-së.

Njëmbëdhjetë studime që sugjeruan një lidhje të mundshme u konsideruan se kishin të meta të mëdha metodologjike dhe një rrezik të lartë paragjykimi, tha komiteti.

Muajin e kaluar, Sekretari i Shëndetësisë i SHBA-së, Robert F. Kennedy Jr., tha në një intervistë me Neë York Times se ai personalisht i kishte udhëzuar Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që të ndryshonin qëndrimin e tyre të kahershëm se vaksinat nuk shkaktojnë autizëm.