Raporti, LSI del nga zgjedhjet me
“borxhe”, PDIU me kapital modest

Raporti, LSI del nga zgjedhjet me<br />“borxhe”, PDIU me kapital modest
TIRANE - Pavarësisht rezultatit spektakolar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare ku tashmë ka një grup parlamentar prej 17 deputetësh, jo kaq pozitive ka qenë veprimtaria e saj nga ana financiare. Ashtu sikurse PS-ja, edhe LSI-ja është në borxh. Nga shqyrtimi i raportit financiar për vitin 2013, rezulton se ky subjekt politik ka 36.7 milionë lekë borxhe.

Vetëm vitin e fundit, LSI ka shpenzuar 11.9 milionë lekë më shumë se sa ka qenë mundësia e saj financiare për të përballuar, ndërsa rreth 24.5 milionë lekë janë detyrime që i ka pasur të prapambetura. Prej kësaj shume 78 mijë euro është qira financiare e marrë në bankë për t’u shlyer brenda 5 viteve.
 
Të ardhurat dhe shpenzimet
Për vitin që lamë pas, LSI-ja është mbështetur më shumë në të ardhurat e gjeneruara nga donatorët. Në bilancin e përgatitur nga ekspertët e LSI-së dhe të depozituar në KQZ, bëhet e ditur se në total janë krijuar 45.6 milionë lekë ose rreth 10 milionë më shumë se sa të ardhurat në vitin 2012. Fondet më të shumta janë mbledhur nga donacionet në vlerën prej 15.8 milionë lekë. Në këtë zë, 12 milionë janë financuar nga 12 donatorë, ndërsa pjesa tjetër, nga persona që kanë kontribuar nën 100 mijë lekë, që është edhe kufiri ligjor për deklarimin e emrit. Shuma e marrë nga buxheti i shtetit është 14.3 milionë, ndërsa ajo që bie në sy është financimi prej 15.4 milionë lekë nga të ardhurat e tjera (media).

Por në këtë vit elektoral shpenzimet kanë qenë tepër të mëdha për LSI-në. Pjesa dërrmuese ka shkuar për spotet televizive, rreth 24 milionë lekë. Jo pak kanë kushtuar materialet për fushatën të cilat arritën në 6 milionë lekë, ndërsa qiraja për ambiente 10 milionë lekë. Vetëm pagat për punonjësit për vitin 2013 ka arritur në 4.2 milionë lekë, ndërsa sigurimet shoqërore në ½ milionë lekë. Për shkak të fushatës  zgjedhore, rreth 2.8 milionë lekë kanë shkuar për shtypshkrime.
 
Financat e  PDIU-së
Tepër modeste paraqitet pasqyra financiare e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Në fund të vitit që lamë pas, totali i kapitalit ishte 4.6 milionë lekë, një shumë tepër e vogël. Financimi për vitin që u mbyll është dyfishuar edhe për këtë forcë politike, e cila ka mundur që të gjejë më tepër të ardhura. Huatë dhe parapagimet ndaj furnitorëve zënë një pjesë tepër të vogël, rreth 100 mijë lekë. Fondi i akorduar nga KQZ-ja për partitë e vogla është i ulët. Sipas legjislacionit aktual, çdo vit në buxhetin e shtetit përcaktohet një fond që shërben si ndihmë financiare publike për kryerjen e veprimtarisë vjetore të partive politike.

Ndihma financiare e parashikuar në buxhetin e shtetit në vitet jozgjedhore, si rregull, nuk mund të jetë më e vogël se ndihma e parashikuar në vitin paraardhës. Ky fond ndahet sipas rregullave të mëposhtme: a) 70 për qind, sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar në bazë të sistemit zgjedhor të parashikuar në Kodin Zgjedhor ; b)20 për qind, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare; c)10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi.

Pjesa që mbetet pa u shpërndarë nga 10-përqindëshi i shtohet fondit prej 70 për qind dhe u ndahet partive parlamentare. Masa konkrete e fondit publik, që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore, në përputhje me këtë ligj, përcaktohet me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky vendim u njoftohet partive politike përfituese dhe Ministrisë së Financave.
 
*Marrë nga gazeta Shekulli
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS