Raporti për pensionet/ Mungojnë 1.8 milionë listëpagesa, punonjësit e rrezikuar

Mungojnë mbi 1.8 milionë listëpagesa të punonjësve të sektorit provat dhe publik, të cilat Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet t’i dërgonte pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke ndikuar tek llogaritja e kontributeve për pension. Ky është një nga konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë auditimit të veprimtarisë së Institutit të Sigurimeve Shoqërore për aktivitetin financiar, zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve, organizimin dhe funksionimin, auditimin e të ardhurave, shpenzimeve për sigurimet shoqërore, deficitin e skemës së sigurimeve shoqërore dhe shumë çështje të tjera.

Raporti i kontrollit është miratuar në qershor të vitit 2018. Përpos të tjerave, KLSH ka konstatuar se nga viti 2012 deri në fund të vitit 2017, mungesën e 1.810.880 listëpagesave në ISSH, kryesisht të punonjësve në sektorin privat, por edhe në atë shtetëror. “Konstatohet se ka mungesa në numrin e listë pagesave vjetore që duhet të dërgojë DPT-ja në ISSH dhe veçanërisht këto të identifikuara për vitin 2014, ku mungojnë një sasi e konsiderueshme e tyre dhe kryesisht për muajt tetor dhe nëntor të këtij viti.

Megjithëse është vënë në dijeni zyrtarisht DPT-ja dhe po merren masat që ky informacion të kalojë në ISSH, teknikisht kjo çështje vijon të jetë në proces, duke krijuar problematika në përdorimin online të kësaj baze, sa i takon caktimit të pensioneve të personave që kanë mungesa të dhënash. Konkretisht, në fund të vitit 2017 rezultojnë gjithsej 1.810.880 listë pagesa të munguara dhe nga këto: 1.703.858, ose rreth 94% janë listëpagesa të munguara të të vetëpunësuarve (biznes i vogël); 101.226, ose rreth 6% janë listëpagesa të munguara të biznesit të madh (firma private); 5.796 janë listëpagesa të munguara të subjekteve publike (buxhetorë dhe jo buxhetorë)”, thuhet në raport. Sipas raportit, problematike mbetet edhe çështja e listëpagesave të munguara të formatit letër të periudhës 2006-2012. Për këtë periudhë, sipas KLSH nuk ka një inventar të listëpagesave të munguara në ISSH.

(Kliko këtu për raportin e plotë të KLSH )

86.7% mungojnë të Tiranë
Sipas raportit të KLSH, 86.7% të numrit të përgjithshëm të listëpagesave të munguara, mungojnë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë.  “Vetëm në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, ku është e përqendruar dhe pjesa më e madhe e biznesit, situata paraqitet me 1,504,072 listë pagesa të munguara gjithsej apo 86.7% të numrit të përgjithshëm të listëpagesave të munguara, në shkallë vendi. Ndërkohë në 1,569,941 listëpagesat e munguara në Drejtorinë Rajonale Tiranë 1,504,072 janë listëpagesa të munguara të subjekteve të biznesit të vogël. Mbetet të merren në mënyrë manuale fotokopjet e regjistrave të pagesave të kontributeve, për ato subjekte fizike që janë të lidhur dhe i kanë pasur llogaritë në degët e tatimeve të painformatizuara në periudhën 2004-2011. Gjithashtu në liste pagesat e munguara janë edhe ato muaj për të cilat subjektet janë debitorë. Në këto raste grumbullimi i tyre do të ndjekë likuidimin e borxhit”, thuhet në raport.  

Subjektet që nuk paguajnë kontribute
Nga viti 2015 deri në fund të vitit 2017, 63,531 subjekte nuk kanë derdhur kontributet  e sigurimeve shoqërore ose kanë derdhur me pak. Detyrimi i tyre është 9.3 miliardë lekë. “Në analizë të detyrimeve të prapambetura të subjekteve debitorë në organet tatimore, vihet re numri i lartë i subjekteve debitorë dhe detyrime të mëdha, për kontribute të papaguara nga këto subjekte. Numri i tyre aktualisht është rreth 63,531subjekte debitorë dhe detyrimet kontributive të prapambetura të tyre janë rreth 9.1 miliard lekë për vitin 2017 nga 9.3 miliard lekë për vitin 2016, pra shumat e detyrimit kontributiv janë pothuajse të barabarta për të dy vitet. Debitorët e sigurimeve shoqërore që evidentohen në DPT, prodhon një problem mjaft të madh social dhe financiar për organet e sigurimeve shoqërore, sepse pas subjekteve debitorë dhe shumave të papaguara të kontributeve, janë një numër i konsiderueshëm personash të punësuar në këto subjekte, të cilët nuk mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu ka efekt financiar sepse deri tani, fondit të sigurimeve shoqërore, nuk i janë vënë në dispozicion rreth 9.1 miliardë lekë detyrime kontributive të prapambetura”, thuhet në raport.  

Vonesa në lidhjen e pensionit të pleqërisë
Kontrollit i Lartë i Shtetit ka konstatuar vonesa jashtë afatit ligjor për lidhjen e 2,326 pensioneve për vitin 2017. “Nga auditimi u konstatuan problematika në lidhje me mosrespektimin e afateve të lidhjes së pensioneve për vitin 2017, në referencë të pikës 3 të nenit 85 të ligjit 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Rregullores nr. 1, datë 21.10.2008 “Për caktimin , administrimin dhe pagesën e pensioneve” , si më poshtë vijon: Për vitin 2017, nga 34,458 dosje pensioni të lidhura për 12 DRSSHtë, nga evidencat e Drejtorisë së Përfitimeve rezultoi se: 88,1% e tyre ose 32,132 pensione, janë lidhur brenda afatit maksimal ligjor (45 ditë) dhe koha mesatare e përcaktimit të tyre rezultoi 20,9 ditë; ndërsa rezultuan me tejkalim të afatit ligjor 8% e pensioneve ose 88 ditë. Raste konkrete për vitin 2017, cilësojmë DRSSH Berat, Tiranë dhe Elbasan me 150 pensione të lidhura jashtë afatit ligjor me 2 deri në 5 muaj, dhe DRSSH Fier, Lezhë dhe Dibër me 280 pensione lidhur nga data 3 deri në 5 muaj”, thuhet në raport.

Probleme me regjistrimin e kontributeve për pension
KLSH ka konstatuar disa problematika në regjistrimin e kontributeve gjatë vitit 2017. “Nga auditimi u konstatua se, kontributet e të vetëpunësuarve në bujqësi për vitin 2017, janë realizuar në vlerën 2,126.67 milionë lekë dhe se Drejtoria e Financës ndjek dhe kontabilizon në pasqyrat financiare vetëm vlerën e likuiduar nga fermerët, duke lënë jashtë kontabilitetit të dhënat mbi debitorët e krijuar si pasojë e gabimeve. Ndjekja e tyre vijon të bëhet vetëm nga Dega e Kontributeve të institucionit. Moskontabilizimi i debitorëve për diferencat e papaguara shtrembëron vlerën e regjistruar të debitorëve në kontabilitet”, thuhet në raport. Nga auditimi mbi kontabilizimin e të ardhurave të mbledhura nga DPT, KLSH ka konstatuar se nuk janë parashikuar llogari të ardhurash sipas degëve të parashikuara nga kuadri ligjor dhe rregullator në fuqi.

“Si pasojë, për vitin 2017, Drejtoria e Financës në ISSH, kontributet nga DPT, në vlerën 70,734 milionë lekë, të derdhura nga personat juridikë e fizikë, subjektet publikë dhe private, dhe sistemimet e mëvonshme të këtyre kontributeve, nuk i ka regjistruar në kontabilitet me numër llogarie të specifikuar për çdo lloj kontributi, por i ka regjistruar vetëm në një llogari - 512100 “Të ardhura të hyra nga llogaria e unifikuar e thesari-TSA”-, llogari e cila nuk jep sigurinë analitike të krijimit të këtyre të ardhurave dhe verifikimin e dyfishtë të një veprimi kontabël, pra të dhënat statistikore të ardhura nga Drejtoria e Kontributeve të këtij institucioni, të mara nga DPT, të jenë të barabarta me shumat e regjistruara në kontabilitet dhe të mara nga Ministria e Financës/Drejtoria e Thesarit për të gjitha kategoritë e kontributeve të ndara sipas ligjit të sigurimeve shoqërore”, thuhet në raport.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Shiste fishekzjarre nga bagazhi i makinës, në hetim të lirë 46-vjeçari! Policia shton masat kundër shitjes së lëndëve piroteknike

Tiranë/ Shiste fishekzjarre nga bagazhi i makinës, në hetim të lirë 46-vjeçari! Policia shton masat kundër shitjes së lëndëve piroteknike