Eurodeputetët e Parlamentit Europian shohin me shqetësim situatën politike në Shqipëri, përfshirë klimën e polarizuar në parlament, apo edhe përballjet e qeverisë me drejtësinë.

Nga 305 amendamente, të paraqitura për raportin e 2025-ës për Shqipërinë, ajo çka bie në sy janë amendamentet për çështjen Balluku, nga një grup deputetësh konservatorë, madje duke e përmendur me emër ish zv/kryeministren dhe vendimin e Kuvendit për mos arrestimin e saj.

“Shpreh keqardhje për vendimin e kryetarit të Kuvendit për të shtyrë votimin parlamentar për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, kujton se ky vendim është arbitrar dhe pa bazë ligjore; i bën thirrje Kuvendit të adresojë heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres Balluku pa vonesë", thuhet në një amendament që siç duket është paraqitur para se Kuvendi të merrte vendim për Ballukun. 

“Imuniteti parlamentar ekziston për të mbrojtur funksionimin e duhur të institucioneve demokratike dhe nuk duhet të përdoret për të mbrojtur zyrtarët publikë nga shqyrtimi gjyqësor; thekson se procedurat lidhur me heqjen e imunitetit për zyrtarët publikë duhet të zhvillohen në mënyrë transparente dhe me respekt të plotë të shtetit të së drejtës”, vijohet në amendament.

I ashpër ka qenë edhe amendamenti i Marco Tarquino, kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, së bashku me një grup eurodeputetësh, të cilët thonë se protestat e dhunshme të Berishës nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.

“Shpreh shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin politik konfrontues, të cilat dëmtojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin e publikut dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike; rikujton se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale”, thuhet në amendamentin e Marco Tarquinos.

Shqetësime për klimën politike në Shqipëri shpreh edhe David MCAllister, kryetari i Komisionit të jashtëm në Parlamentin Evropian i cili ka dorëzuar 6 amendamente.

“Shpreh shqetësimin për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin politik konfrontues, të cilat dëmtojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike; inkurajon aktorët politikë të riangazhohen në dialogun konstruktiv parlamentar, duke siguruar që parlamenti të mbetet forumi qendror për debat dhe mbikëqyrje demokratike”, thuhet në amendament.

Madje përmes disa amendamenteve është ngritur edhe shqetësimi për ndryshimin e rregullores së kuvendit pa dakordësinë e opozitës.

Grupi i PPE, simotra të Partisë Demokratike në Shqipëri, ka dorëzuar 26 amendamente ku kërkon që gjuha në raportin për Shqipërinë të ashpërsohet ndjeshëm për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, dhe për më shumë rezultate në luftën kundër korrupsionit, transparencë në prokurimet publike dhe fondet e BE-së.

“Duke qenë se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 treguan mangësi të vazhdueshme sistemike zgjedhore, përfshirë mungesën e kushteve të barabarta midis partive politike, përdorimin e gjerë të burimeve publike dhe të pushtetit institucional nga partia në pushtet, si dhe pretendime për blerje votash”, thuhet në amendamentin e eurodeputeti Andrey Kovatchev PPE.

“Shpreh shqetësimin për parregullsitë serioze të identifikuara nga OLAF në zbatimin e programit IPARD II në Shqipëri; nënvizon rëndësinë e sigurimit të transparencës së plotë, llogaridhënies dhe mekanizmave efektivë të kontrollit në përdorimin e ndihmës financiare të BE-së”, thuhet në amendamentin e eurodeputetit Andrey Kovatchev PPE.

Ajo që vihet re në një pjesë dërrmuese të amendamenteve është thuajse unanimiteti i eurodeputetëve për luftën kundër korrupsionit dhe mbështetjen ndaj SPAK, ndërsa në thelb, këto amendamente synojnë të sigurojnë që progresi i Shqipërisë drejt BE-së të bazohet në reforma të thella dhe zbatim real të standardeve evropiane. Draft-raporti i për Shqipërinë është diskutuar në komisionin e jashtëm në fund të muajit shkurt, ndërsa pritet të miratohet në Parlamentin Europian.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë