Raporti, Policia në 18 janar
2011: “Do të ketë dhunë”

REPUBLIKA E SHQIPËRISË MINISTRIA E BRENDSHME
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm
RAPORT “MBI MENAXHIMIN E SË SHTETIT, PARA, GJATË DHE PAS DEMONSTRATËS SË DATËS 21.01.2011”
Tiranë, më 17.05.2011

Raport “Mbi menaxhimin e situatës nga strukturat e Policisë së Shtetit para,gjatë dhe pas demostratës së datës 21.01.2011.
Në zbatim të Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të SHKB-së Nr. 82/1, datë 04.02.2011 “Për kryerjen e Inspektimit të jashtëzakonshëm në strukturat e Policisë së Shtetit” dhe
Protokollit të Inspektimit Nr. 82/2, datë 04.02.2011, dërguar me shkresën Nr. 82 datë 04.02.2011, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u zhvillua inspektim I jashtëzakonshëm ne strukturat e Policise se Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më datën 17.01.2011, u ka dërguar të gjithë drejtorive të policisë së qarqeve Letër - Porosinë Nr. 235, datë 17.01.2011, “Mbi marrjen e masave në lidhje me mbarëvajtjen e tubimeve”. Kjo Letër – Porosi ngarkonte me detyra të gjitha strukturat e policisë për marrjen e masave për sigurimin e informacioneve mbi pjesëmarrjen në tubim të personave me precedentë kriminal, të cilët mund të aktivizoheshin për kryerjen e trazirave dhe incidenteve të tjera gjatë demonstratës të paralajmëruar me datë 21.01.2011.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me telegramin Nr. 240, datë 18.01.2011, ka urdhëruar Drejtoritë e Policisë në Qarqe, për të organizuar punën parandaluese dhe evidentuar personat me precedentë kriminal e penal, për mbajtjen e tyre në kontroll, duke koordinuar punën me Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë, për mbarëvajtjen e demonstratës së datës 21.01.2011.

Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda me shkresën Nr. 82, datë 18.01.2011, i ka kërkuar Shërbimit Informativ të Shtetit bashkëpunim në shkëmbimin e informacionit, për parandalimin e akteve të mundshme kriminale, gjatë demonstratës që do të zhvillohej nga opozita më datë 21.01.2011. Më datë 19.01.2011, ka dalë Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të PSH-sëNr. 31, datë 19.01.2011 “Për kalimin në Shërbim të Përforcuar të strukturave të Policisë së Shtetit dhe zbatimin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të demostratës së datës 21.01.2011 në Tiranë”, sipas të cilit urdhëronte të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit të kalonin në shërbim të përforcuar duke planifikuar dhe organizuar shërbime 12 orëshe. Po më datë 19.01.2011, ka dalë Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të PSH-së Nr. 32, date 19.01.2011 “ Për monitorimin e masave të marra nga Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas demonstratës së datës 21.01.2011". Në zbatim të këtij urdhri, Departamenti për Sigurinë Publike dhe Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ngritën grupe pune për monitorimin nga afër të masave të marra nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë dhe të strukturave vartëse. Me shkresë Nr. 174/1, datë 20.01.2011, Shërbimi Informativ i Shtetit ka kthyer përgjigje ku në esencë thuhet: “Jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe nëse do të konstatohen informacione, do të bashkëpunojmë”. Nga verifikimi i dokumentacionit në D.P.P.SH rezultoi që, për datën 21.01.2011, nuk ka ardhur asnjë informacion nga Shërbimi Informativ i Shtetit.

Informacionet
Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë me shkresë Nr. 430/7, datë 18.01.2011, ka informuar D.P.P. Shtetit, se nga organizatorët dhe përkrahësit e Partisë Socialiste do goditet me mjete të forta, si gurrë, vezë, në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Në miting do të marrin pjesë militantë të dhunshëm nga rrethet, të cilët kanë tendenca për të krijuar trazira gjatë mitingut. Më problematikët do të jenë ata të ardhur nga rrethet Shkodër, Laç, Mamurras, Fier, Berat dhe Vlorë. Gjatë mitingut do të vendosen në mes të protestuesve në vende të ndryshme makina të vjetra, të cilat do të digjen. Gjithashtu, do të bëhet bllokimi i bulevardit duke hedhur plehra me makina si dhe do të shkatërrohen mjetet e drejtuesve të ministrive të ndryshme dhe mjetet që do të jenë të parkuara pranë institucioneve shtetërore në Tiranë.
D.P.Q, Tiranë me shkresë Nr. 408/2, datë 18.01.2011, ka informuar D.P.P. Shtetit, se organizatorët dhe militantët më datë 21.01.2011, do të ngrenë çadra në rrugët hyrëse dhe dalëse që lidhin kryeqytetin me zonat e tjera të vendit. Në miting mund të marrin pjesë persona që për shkak të detyrës mbajnë armë zjarri, të cilët janë kryesisht punonjës të policisë bashkiake dhe të inspektoratit të policisë ndërtimore. Gjithashtu është planifikuar një skenar i bllokimit të bulevardit përballë ish-Hotel Dajtit, me qëllim paralizimin e transportit rrugor, rrethimin nga turma njerëzish të godinës së Kryeministrisë dhe të pallatit ku jeton familja e Kryeministrit, me qëllim mosfunksionimin normal dhe paralizimin e punës së qeverisë.

Drejtoria e Policisë Qarkut Durrës me shkresë Nr. 442, datë 19.01.2011, ka informuar D.P.P. Shtetit, për pjesëmarrje në miting të punonjësve të Bashkisë Durrës dhe elementë me precedentë kriminal. Drejtoria e Policisë Qarkut Fier me shkresë Nr. 235/1, datë 20.01.2011, ka informuar D.P.P. Shtetit, se militantëve që do të marrin pjesë në miting u është kërkuar nga deputetët që të kenë me vete sende dhe mjete të forta, si shkopinj, shishe me benzinë, vezë, domate dhe me këto mjete do provokojnë punonjësit e Policisë së Shtetit në detyrë, me qëllim destabilizimin e situatës. Në miting do të marrin pjesë edhe persona me precedentë kriminal.

Drejtoria e Policisë Qarkut Shkodër me shkresë Nr. 301/2, datë 20.01.2011, ka informuar D.P.P. Shtetit, për organizimin dhe mënyrën e lëvizjes ë protestuesve në drejtim të Tiranës me autobusë dhe furgona, ndër ta ka dhe persona të dhunshëm dhe me precedentë kriminal. Ministria e Drejtësisë me shkresë Nr. 16/1, datë 24.01.2011, ka informuar D.P.P. Shtetit, se më datën 21.01.2011, disa të dënuar, të cilët vuajnë dënimin në IEVP të ndryshme, në bashkëpunim me persona të tjerë po kryejnë veprime konkrete dhe janë në fazën përgatitore për konsumimin e veprave penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”dhe “Dhënie ndihmë e të burgosurit për largim”. D.P.Qarkut, Tiranë me shkresën Nr. 430/7, datë 19.01.2011, ka informuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, se: Gjatë zhvillimit të demonstratës me datë 21.01.2011 do të ketë akte të dhunshme ku do të përdoren sende të forta dhe gurë ndaj punonjësve të policisë dhe godinës së Kryeministrisë, do të ketë persona me tendenca për të krijuar trazira kryesisht nga rrethet Shkodër, Berat, Laç, Fier dhe Vlorë.
Anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste, të Degës Tiranë dhe ato të degëve në rrethe, në takimet e zhvilluara janë shprehur se do të organizonin një revoltë mbarëpopullore, me një pjesëmarrje sa më të madhe me qëllim rrëzimin e pushtetit.
Personat pjesëmarrës do të jenë të pajisur me gurë, vezë, etj, me qëllim goditjen e punonjësve të policisë dhe të godinave të institucioneve shtetërore. Do të shkatërrohen mjetet e drejtuesve të Ministrive që mund të jenë në qarkullim, mjetet e parkuara para institucioneve kryesore të vendit, si dhe do të merren mjete të vjetra të cilat do të digjen nga protestuesit në vende të ndryshme. Personat pjesëmarrës do të shajnë dhe do hedhin parullat; “Poshtë Krimineli”, do provokohet Policia me qëllim tensionimin e situatës dhe nxjerrjen e saj nga kontrolli.

Gjithashtu, nga të dhënat e grumbulluara rezulton se, grumbullimi i njerëzve do të bëhet në hyrjet dhe rrugicat e Tiranës rreth orës 12.00, në disa drejtime dhe konkretisht:
Rruga e Elbasanit, ku do të vijnë nga Qarqet, Korçë, Elbasan dhe Njësitë Bashkiake Nr. 1 dhe Nr. 2,
Në hyrjen e rrugës “Irfan Tomini” (Pallati me Shigjeta), qarqet Vlorë, Gjirokastër, Fier, Berat dhe Njësia Bashkiake Nr. 6,
Në zonën e “Zogut të Zi”, do të grumbullohet Qarku i Durrësit.
Tek “Stacioni i Trenit”, do të grumbullohen qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë dhe Dibër, ku nga të dhënat rezulton se kjo do të jetë pika më e nxehtë e pjesëmarrësve në këtë tubim.

Nga i gjithë materiali i administruar, konstatohet se, jo të gjitha Drejtoritë e Policisë në Qarqe kanë dërguar informacion në zbatim të Letër – Porosisë Nr. 235,datë 17.01.2011 të
Drejtorit Përgjithshëm të Policisë së Shtetit “Mbi marrjen e masave në lidhje me mbarëvajtjen e tubimeve. Gjithashtu, informacionet e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit, datojnë në 18, 19 dhe 20 janar 2011, duke mos marrë në kohë masat
parandaluese.

-Masat e marra nga Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë

Duke marrë shkas nga publikimet në median elektronike dhe të shkruar dhe disa informacioneve që disponoheshin nga strukturat e Policisë së Shtetit lidhur me organizimin e një demonstrate nga ana e subjektit politik “Partia Socialiste e Shqipërisë” dhe meqenëse nga ana e këtij subjekti nuk ishte bërë njoftimi i policisë, Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, me shkresë Nr. 430/6, datë 19.01.2011, i ka kërkuar Kryetarit të Partisë Socialiste zotit Edi Rama, dërgimin e njoftimit me shkrim për organizimin e kësaj demostrate, sic prashikohet në pikat 1 dhe 2, të nenit 5, të Ligjit nr. 8773, datë 23.04.2011, “Për Tubimet”. Në përgjigje të kërkesës së mësipërme, Partia Socialiste me shkresën Nr. 2, date 19.01.2011,me lëndë “Njoftim për tubim”, ka njoftuar, se simpatizantë të saj, më datë 21 Janar 2011, do tubohen në një demonstrim popullor paqësor me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve.

Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë i ka kthyer për plotësim organizatorit dhe drejtuesit të tubimit shkresën Nr. 2, datë 19.01.2011 “Njoftim për tubim”, pasi njoftimi i bërë nga ana tyre, për zhvillimin e demostratës në datë 21.01.2011, ora 13.00, nuk përmbante elementët e parashikuar në Ligjin nr. 8773, datë 23.04.2011 “Për tubimet” dhe konkretisht; Përcaktimin e drejtuesit të tubimit dhe të ndihmësve të tij për mbarëvajtjen e tubimit, duke i pajisur ata me shenja dalluese, sipas përcaktimit në nenin 10, të ligjit nr. 8773, datë 23.04.2011 “Për Tubimet”.
Përcaktimin e orës së përfundimit të tubimit dhe itinerarin e tij (nëse ka të tillë), pasi është domosdoshmëri për planifikimin e masave për mbarëvajtjen e këtij tubimi.

Asambleja e Partisë Socialiste, Dega Tiranë, me shkresën Nr. 3, datë 19.01.2011 “Njoftim për tubim”, ka dërguar në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë njoftim për zhvillimin e tubimit më datë 21.01.2011, por edhe ky njoftim nuk përmbushte kërkesat ligjore.
Konstatojmë që pas kësaj korespondence zyrtare, nuk rezulton që Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë të këtë nxjerrë vendim për zhvillimin e tubimit sipas pikës 1, të nenit 6 të ligjit Nr.8773, datë 23.04.2011 “Për Tubimet”, për garantimin dhe mbarëvajtjen e tij, ose të vendosë ndalimin e zhvillimit të tubimit siç prashikon neni 8 i këtij ligji. Në datë 19.01.2011, Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë ka hartuar Planin e Masave Nr. 430/9, me objekt “Zbatimin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit tëdemostratës së datës 21.01.2011, ora 12.00, në Tiranë”.
Në këtë plan janë parashikuar detyra konkrete për sektorët në këtë Drejtori, në Komisariate, Njësinë Rajonale të Policisë Rrugore, Sektorit të Forcës së Posaçme, dhe Seksionit të Sallës së Drejtimit dhe Koordinimit. Gjithashtu, janë parashikuar dhe mënyrat e bashkëpunimit, bashkëveprimit, koordinimit të këtyre shërbimeve me strukturat e tjera, si Garda e Republikës, shërbimet policore të D.P.Qarqeve, Shkodër, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Lezhë, Berat, Korçë, Gjirokastër, Dibër e Kukës, Njësinë Speciale të Antieksplozivit, Repartin Special RENEA, F.N.SH-të, 712 - Tiranë, 751 - Fier, 731 - Shkodër.

Në këtë Plan Masash janë dhënë në mënyrë të detajuar :
Numri i punonjësve të Policisë të çdo Komisariati që do të angazhohen në mbarëvajtjen e kësaj proteste, si dhe njësitë mbështetëse policore që do të garantojnë rendin e sigurinë publike në zona të tjera të qytetit te Tiranës;
Drejtuesit e çdo njësie të Policisë të planifikuar me shërbim;
Vendet konkrete të dislokimit të shërbimeve policore;
Armatimin personal që do të ketë çdo punonjës policie.
Numrin dhe llojin e paisjeve speciale (Skafandra, mburoja, shkopij gome) që do të kenë shërbimet policore.

Paisjet speciale ndihmëse që do të përdoren në rast precipitimi të situatës. Në këtë plan theksohet se futja në veprim e FNSH-ve, do të bëhet me kërkesë verbale të Drejtorit Policisë Qarkut Tiranë, ndërsa komandimi i tyre nga drejtuesit respektive.
Gjithashtu theksohet së nëse protesta del jashtë kotrollit, Oficeri Përgjegjës për mbarevajtjen e tubimit ndërhyn duke komunikuar e negociuar me organizatorët e protestës.

Në plan përcaktohet se për vlerësimin e informacioneve, menaxhimin, komandimin e shërbimeve caktohet Postkomanda e përbërë nga:
Drejtori i Policisë Qarkut Tiranë Saimir MUÇAJ.
Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike në Departamentin për Sigurinë Publike, Drejtues i Parë Ilia NASI.
Komandanti i Gardës Gjeneral Ndrea PRENDI.
Drejtori i FLO Drejtues i Parë Shemsi PREMÇI.
Zv. Drejtori i Policisë Qarkut Tiranë për Sigurinë Publike, Drejtues Gjergji JORGO.
Zv. Drejtori i Policisë Qarkut Tiranë për Hetimin e Krimit, Kryekomisar Dorian MUÇA.
Në këtë plan theksohet se drejtimi i përgjithshëm merret nga Drejtuesi i Operacionit, Drejtori i Policisë të Qarkut Tiranë dhe në rast të përfshirjes të një numri të madh policish vendore dhe shërbimesh të tjera policore, ai bashkërendon veprimet dhe konsultohet per manaxhimin e shërbimeve me Zv. Drejtorin e Pergjithshëm për Sigurinë Publike ose dhe vetë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Shefi i sektorit të rendit dhe sigurisë publike në D.P.Q.Tiranë me shkresë të datës 19.01.20111, informon Zv/Drejtorin e Rendit dhe Sigurisë Publike të Qarkut Tiranë, në lidhje me realizimin e disa detyrave të planit të masave, ku në veçanti në këtë informacion sqarohet se, shërbimet policore janë instruktuar qe të bëjnë kujdes të veçantë në mbajtjen dhe përdorimin e armatimit personal, ku në asnjë rast e rrethanë nuk do të përdoret arma, si dhe gjatë shërbimit të mos vendoset dora në armë.

Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, nisur nga informacionet e marra nga Komisariatet e Policisë Tiranë, se persona të caktuar me tendencë kriminale mund të cënonin rendin kushtetues dhe institucionet e vendit në protestën që do të zhvillohej në datë 21.01.2011, me shkresë Nr. 408/2,date 19.01.2011, drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për dijeni Ministrit të Brendshëm, sqarojnë se, në miting do të marrin pjese militantë problematikë nga rrethet e vendit, të ardhur nga qyteti i Shkodres, të organizuar nga deputetë të subjektit Partia Socialiste. Në informacion theksohet se në miting do të inskenohen incidente nga këta militantë, si dhe është planifikuar rrethimi me turma njerëzish të godinës së Kryeministrisë dhe pallatit ku jeton familja e Kryeministrit të vendit, një bllokim i bulevardit përballë ish-Hotel Dajtit me qëllim paralizimin e transportit rrugor.

Nisur nga kjo situatë :
Me Urdhër Nr. 31, datë 19.01.2011, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kavendosur “Për kalimin në shërbim të përforcuar të strukturave të Drejtorive të Qarqeve dhe Komisariateve të Policisë”.

Me shkrese Nr. 276, datë 19.01.2011, ka dalë Urdhri Drejtori i P.P.Shtetit Nr. 32, datë19.01.2011, “Për monitorimin e masave të marra nga D.P.Q.Tiranë, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të protestës së datës 21.01.2011". Në këtë Urdhër janë përcaktuar grupet e punës me emra konkrete të cilat do Të monitorojnë nga afër masat e marra nga D.P.Q.Tiranë dhe strukturat vartëse në lidhje me garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të protestës deri në përfundim të saj. Në zbatim të këtij Urdhri, Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë ka nxjerrë Urdhrin Nr.96/B, datë 19.01.2011, “Për kalimin në shërbim të përforcuar të strukturave të Drejtorisë Policisë Qarkut Tiranë”. Në kuadër të planit të masave është bërë dhe instruktazhi me strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Tiranë dhe në oren 11:30 të gjitha shërbimet e Policisë janë dislokuar në vendshërbimet e përcaktuara në planin e masave.

Konkretisht, sipas planit të masave të Drejtorisë Policisë Qarkut Tiranë, dislokimi i efektivave/forcave policore para fillimit të demostratës ishte si më poshtë:
Komisariati i Policisë Nr.1: Planizon, organizon dhe vendos gjithsej 150 (njëqind e pesëdhjetë) punonjës police me 11 (njëmbëdhjetë) oficerë përgjegjës, të cilët do vendosen si më poshtë: Në kordonin e parë planizon dhe vendos 120 (njëqind e njëzet) punonjës policie përpara në trotuar, nga cepi i hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë, përgjatë trotuarit-pranë hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë, me detyrë të mos lejojnë tubuesit dhe persona të tjerë të ngjiten në drejtim të trotuarit apo para godinës së Kryeministrisë, nën drejtimin e Shefit të Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Planizon dhe vendos 30 (tridhjetë) punonjës policie me skafandra dhe mburoja policie në formë kordoni pranë hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë pas kordonit të parë. Pjesa tjetër e efektivit planizohet e vendoset pranë hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë dhe futet në veprim me urdhër të drejtuesit të shërbimeve në varësi të situatës.

Komisariati i Policisë Nr. 2: Planizon, organizon dhe vendos gjithsej 150 (njëqind e pesëdhjetë) punonjës police me 11 (njëmbëdhjetë) oficerë përgjegjës të cilët do vendosen si më poshtë: Në kordonin e parë planizon dhe vendos 120 (njëqind e njëzet) punonjës policie përpara godinës së Kryeministrisë në trotuar, nga cepi i hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë - përgjatë trotuarit pranë hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë, me detyrë të mos lejojnë demonstruesit të ngjiten në drejtim të trotuarit apo para godinës së Kryeministrisë, nën drejtimin e Shefit të Komisariatit të Policisë Nr. 2. Planizon dhe vendos 30 (tridhjetë) punonjës policie me skafandra dhe mburoja policie në formë kordoni në trotuar para hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë pas kordonit të dytë. Pjesa tjetër e efektivit planizohet e vendoset pranë hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë dhe futet në veprim me urdhër të drejtuesit të shërbimeve në varësi me situatën.

Komisariati i Policisë Nr. 3: Planizon, organizon dhe vendos gjithsej 150 (njëqind e pesëdhjetë) punonjës police me 11 (njëmbëdhjetë) oficerë përgjegjës, të cilët do vendosen si më poshtë: Në kordonin e parë planizon dhe vendos 100 (njëqind) punonjës policie përpara në pjesën para hyrjes së godinës së Kryeministrisë, diagonal me trotuarin për nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës pranë hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë, me detyrë të mos lejojnë demonstruesit të ngjiten në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Planizon dhe vendos 50 (pesëdhjetë) punonjës policie me skafandra dhe mburoja policie në formë kordoni pranë hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë pas kordonit të parë në pjesën para hyrjes kryesore diagonal me trotuarin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Pjesa tjetër e efektivit planizohet dhe vendoset pranë hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë përgjatë trotuarit në drejtim të Piramidës.
Komisariati i Policisë Nr.4: Planizon, organizon dhe vendos në kordon para trotuarit në pjesën ballore të godinës sëKryeministrisë 100 (njëqind) punonjës policie, 9 (nëntë) oficerë përgjegjës pas kordonit të vendosur nga Komisariati i Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, për sigurimin e rendit dhe të qetësisë në këtë sektor shërbimi, si dhe për të mos lejuar protestuesit të ngjiten drejt hyrjes së godinës së Kryeministrisë, në drejtimin e Shefit të Komisariatit të Policisë. Të merren masa dhe të jenë në gatishmëri të plotë në mjete, pajisje të tjera shërbimi ku 30 (tridhjetë) punonjës policie me skafandra dhe mburoja të planizohen e vendosen në formë kordoni pranë hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë.

Komisariati i Policisë Nr.5: Planizon, organizon dhe vendos 70 (shtatëdhjetë) punonjës policie dhe 6 (gjashtë) oficerë përgjegjës, nga hyrja kryesore e godinës së Kryeministrisë deri tek shkallët në pjesën ballore të godinës së Kryeministrisë, për t‘u vendosur në formë kordoni ngjitur me rrethimin e godinës së Kryeministrisë, për sigurimin e rendit në këtë sektor shërbimi, në drejtimin e Shefit të Komisariatit të Policisë Nr. 5. Fillimisht nëse ka lëvizje të demonstruesve në rrugën “Ismail Qemali”, 70 punonjës policie do vendosen në formë kordoni, me detyrë moslejimin e demonstruesve të kalojnë në drejtim të godinës së Kryeministrisë, si dhe rritjen e sigurisë në këtë sektor shërbimi. Planizon dhe vendos 35 (tridhjetë e pesë) punonjës policie me skafandra dhe mburoja policie në formë kordoni pranë hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë pas kordonit të dytë.

Komisariati i Policisë Nr. 6: Planizon, organizon dhe vendos 10 (dhjetë) punonjës policie në trotuarin pranë Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë në formë kordoni me detyrë, mbajtjen e situatës në kontroll dhe për të siguruar mbarëvajtjen e demonstratës, në drejtimin e Shefit të Komisariatit të Policisë Nr. 6.
Planizon e vendos në trotuarin nga Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë deri tek “Ura e Lanës” 2 (dy) patrulla policie me detyrë, sigurimin e rendit në këtë sektor shërbimi dhe parandalimin e çdo veprimi të kundërligjshëm. Mban të gatshëm një forcë me 70 (shtatëdhjetë) punonjës policie, me 3 (tre) oficerë përgjegjës, të vendosur në rrugën “Ismail Qemali”, pranë Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë.
Planizon dhe vendos 20(njëzet) punonjës policie me skafandra dhe mburoja policie në formë kordoni pranë hyrjes në rrugën “Ismail Qemali” pas kordonit të gjashtë.

Forcat Lëvizëse Operacionale: Reparti 712 FNSH Tiranë u vendos në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Kryeministrisë me Hotel “ROGNER” deri tek kryqëzimi i TVSH-së, në krahun e majtë të Kryeministrisë. Repartet 752 FNSH Fier dhe 731 FNSH Shkodër u vendosën ndërmjet Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës (Piramida) dhe të godinës së Kryeministrisë, në krahun e djathtë të godinës së Kryeministrisë. Skuadra kimike u vendos tek shkallët e të godinës së Kryeministrisë, pas rendimit të Forcës së Posaçme të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë. Reparti Special “RENEA” është mbajtur në gadishmëri, në vend dislokimin e tij, pranë Televizionit Shqiptar. Njësia Speciale Antieksploziv u dislokua në kryqëzimin e TVSH. Njësia Speciale e Negocimit u dislokua përpara objektit “INIMA”. Në lidhje me dokumentacionin e përpiluar nga FNSH-të, në lidhje me angazhimin e tyre për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në protestën e datës 21.01.2011, sqarojmë si më poshtë:

Reparti i FNSH-së 712, Tiranë me shkresë Nr. 276, datë 19.01.2011, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dërgon tek FNSH, 712, Tiranë, Urdhrin Nr. 31, datë 19.01.2011, “Për kalimin në shërbim të përforcuar të strukturave të Policisë së Shtetit dhe zbatimin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të protestës së dates 21.01.2011, në Tiranë”. Me shkresë Nr. 136/1, datë 21.01.2011, është hartuar Plan Vendosja e Repartit 712, FNSH, Tiranë, ku në mënyrë të specifikuar janë përcaktuar personeli i repartit që do të angazhohej me shërbim gjatë demostratës të datës 21.01.2011, si dhe drejtuesit e çdo njësie. Me shkresë Nr. 136/2, datë 21.01.2011, është bërë instruktazhi i trupave të FNSH-së, 712, Tiranë. Në këtë instruktazh specifikohet që veprimet e trupave do të bëhen në grup, vetëm me urdhër të drejtuesve të shërbimit. Armët e zjarrit personale do të sigurohen në Repartin 712, që të mos jenë të pranishme gjatë zhvillimit të demostratës, si dhe efektivi të jetë i veshur me paisje speciale ROBOKOP. Gjithashtu, ekipi i armëve speciale, i granatave me gaz, i fishekëve plastik, të përdorë paisjet vetëm me Urdhër nga Drejtoria e FLO-se, si dhe gjatë përdorimit të tyre të kiet kujdes duke synuar gjymtyrët e poshtme. Me Urdhër Nr. 143, datë 21.01.2011, Komandanti i Repartit FNSH, 712, Tiranë, ka vendosur daljen me shërbim të efektivit. Në datë 21.01.2011, ora 10:00, nga Drejtuesit e Shërbimeve të FNSH-së 712, Tiranë, janë përpiluar Raportet e Shërbimit për marrjen e detyrës për menaxhimin e demostratës së datës 21.01.2011, instruktazhin, etj. Në raporte përshkruhet në mënyrë dinamike dislokimi i forcave pranëgodinës së Kryeministrisë dhe ecuria e kryerjes së veprimeve deri në përfundim të shërbimit të FNSH-së 712, Tiranë.

Në këto materiale ka Raporte Shërbimi të Mjekut të Repartit të Shërbimeve me qen dhe punonjësve të Makinave Shihedhëse. Gjithashtu, nga Komanda e Repartit jepet një Listë me efektiv të dëmtuar prej 20 personash, Listë me përdorimin dhe dëmtimin e disa paisjeve speciale. Në zbatim të Urdhrit Nr. 40 datë 21.01.2011, të Drejtorit të P.P.Shtetit, Komandanti i Repartit të FNSH-së 712, Tiranë, ka nxjerrë Urdhrin Nr. 136/4, datë 21.01.2011, “Për kalim në shërbim të përforcuar të strukturave të këtij reparti”. Reparti i FNSH-së 731, Shkodër Reparti i FNSH-së, 731, Shkodër, ka nxjerrë Urdhrin e Shërbimit pa numër pa datë, viti 2011, “Për aktivizimin me shërbim të Repartit 731, FNSH-së, Shkodër”. Në këtë urdhër jepet detyra që ky repart të bashkëveprojë me forcat e DPQ Tiranë, Drejtorisë FLO-së, me mision garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të demostratës me dt. 21.01.2011. Më poshtë janë të përcaktuar emrat e përgjegjësve të shërbimit dhe grupet në vartësinë e tyre. Në këtë urdhër janë të përshkruara dhe pajisjet që do të përdoren gjatë shërbimit, si dhe instruktazhi i dhënë për situatën konkrete.

Nga komanda e këtij reparti na u vu në dispozicion dhe një procesverbal mbi dëmtimin e pajisjeve speciale, gjate kryerjes së shërbimit gjatë demostratës së datës 21.01.2011. Reparti i FNSH-se 752, Fier Reparti i FNSH-së 752, Fier në bazë të urdhrit 21.01.2011, ka urdhëruar daljen me shërbim të trupave të komanduara nga komandanti i shërbimeve, lista emrore e trupave , mjetet etj. Më pas vazhdohet me një raport shërbimi të përpiluar në lidhje me shërbimin e kryer në Tiranë në datë 21.01.2011, duke përshkruar të gjithë situatën e zhvilluar gjatë demostratës. Gjithashtu ky repart ka bërë dhe analizën e shërbimit të zhvilluar në datë 21.01.2011, nga ora 08.00 deri në 22.00. Në proces verbalin e datës 22.01.2011, të përpiluar nga ky repart janë evidentuar të gjitha pajisjet speciale të dëmtuara, municionet e përdorura dhe mjeteve të tjera. Të gjithë shërbimet e angazhuara sipas Planit të Masave janë monitoruar gjatë gjithë kohës nga grupet e monitorimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të Urdhrit Nr. 32, datë 19.01.2011, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
(Në numrin e nesërm do të lexoni urdhërat që u dhanë pasi Garda e Republikës qëlloi mbi protestuesit dhe si u shpartallua policia)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Atmosferë magjike në Shkodër për Vitin e Ri! Hotelet të pronotuara thuajse 100%, nuk ‘tradhtojnë’ shqiptarët e Kosovës