Raporti sekret i Sigurimit për Hysni Kapon: Studentët tanë në Francë shoqërohen me femra të huaja, mbajnë materiale dekadente! Ja ‘bëmat’ e tyre

Raporti sekret i Sigurimit për Hysni Kapon: Studentët tanë në Francë shoqërohen me femra të huaja, mbajnë materiale dekadente! Ja ‘bëmat’ e tyre

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1973, ku zv/ Ministrit të Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht, Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Feçorr Shehu, me anë të një raport-informacioni dërguar sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapos, i cili mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’, i bën me dije lidhur me jetesën e sjelljet e studentëve shqiptarë që asokohe ishin me studime në Francë, ku midis të tjerash shprehet: “Astrit.., nga Dibra, me prejardhje të mirë, mbaruar shkollën e gjuhëve të huaja, me rezultate të mira, mban korrespodencë me anglezen Katerina Doris dhe me një vajzë tjetër në Francë, kurse Vladimir…… nxënës në Berat, me përbërje të mirë politike, por në letrat që i shkruan një shokut të tij në Shqipëri, i thotë, për arsye se mban flokët e gjatë, nuk shkon në ambasadë, se njihet me dy francez, me të cilat bën shëtitje me makina dhe shkon për dreka dhe për darka”.

Bisedat, takimet, marrëdhëniet dhe shoqëria me shtetas të huaj në Shqipërinë komuniste të para viteve ’90-të, përbënte një herezi dhe ata që e guxonin një gjë të tillë, e paguanin shtrenjtë. Kjo gjë vlente edhe për ata shqiptarë që u jepej mundësia për të dalë jashtë me punë, shërbime, specializime, si dhe sportistëve e artistëve, etj. Nga ky rregull strikt, nuk shpëtonin as studentët shqiptarë që u jepej mundësia të shkolloheshin e diplomoheshin në disa universitete të huaja, me të cilat Tirana zyrtare kishte lidhur marrëveshje. Jo vetëm kaq, por studentët shqiptarë që studjonin jashtë, ishin nën një survejim të rreptë të organeve të Zbulimit Politik Shqiptar që ishin atashuar nëpër ambasadat tona në vënde të ndryshme të botës, duke u kamufluar si diplomatë. Të cilat herë pas here, hartonin raporte dhe informacione, të cilat bëheshin në dy kopje dhe i’a përcillnin më pas eprorëve të tyre në Tiranë, një titullarëve të Ministrisë së Brendshme dhe një për Sekretarin e Komitetit Qëndror të PPSH-së që mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit. Një raport i tillë është edhe ky që Memorie.al po publikon më poshtë në këtë shkrim, ku zv/Ministri i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht, Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Feçorr Shehu, me anë të një raport-informacioni, me titull: “Mbi qëndrimin e disa studentëve shqiptarë në Francë”, i bënte me dije Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapo, (i cili mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit), për mënyrën e sjelljes dhe jetesën e studentëve shqiptarë që asokohe ishin me studime në Francë. Raporti sekret është hartuar fillimisht nga Drejtori i Drejtorisë së Zbulimit me Jashtë të asaj kohe (Jonuz Mersini), për eprorët e tij më të lartë në Ministrinë e Brendshme dhe zv/ Ministri Feçorr Shehu, i’a ka drejtuar atë Hysni Kapos, i cili ka vënë shënimet përkatëse aty me shkrimin e tij, duke propozuar edhe kthimin në atdhe të atyre studentëve që manifestonin shfaqje të tilla. Ashtu siç do të shikojmë në raport informacionin në fjalë, rezulton se studentët shqiptarë që ishin asokohe në Francë, jo vetëm që survejoheshin në çdo hap dhe veprim që bënin, por atyre i’u kontrollohej edhe korespondenca me letra që ata komunikonin më familjarët e miqtë e tyre në Shqipëri. Raport-informacionin në fjalë, Memorie.al e publikon të plotë në shkrimin e mëposhtëm.

Raport-informacioni i Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, për Hysni Kapon

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE             “Sekret”

MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME             Ekzempl. Nr 1

DREJTORIA E I-rë                             Tiranë, më 8.9.1973

Nr. 4399. Prot.

LANDA: Mbi qëndrimin e disa studentëve shqiptarë në Francë

 SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH

SHOKUT HYSNI KAPO

TIRANE

Në bazë të marrëveshjes kulturale, nga vëndi ynë, janë dërguar për studime të larta në Francë një numër studentësh.

Gjatë kohës së qëndrimit atje, shokët e ambasadës së Parisit janë përpjekur për t’i mbajtur afër dhe për t’i mbrojtur nga tentativat e mundëshme të zbulimeve të ndryshme e për ruajtjen pastër të figurës morale të tyre. Por me gjithë këtë, nga të dhënat e Zbulimit, rezulton se disa student, bëjnë jetë jo normale dhe kanë krijuar një afinitet të madh me disa persona vëndas ose të huaj të ardhur në Francë. Kështu pa dijeninë e ambasadës, ata kanë krijuar marrëdhënie me persona të ndryshëm francezë, englezë, etj, me të cilët organizojnë ekskursione jashtë qytetit, i janë përshtatur modës e imitojnë mënyrën e jetesës franceze, studiojnë materiale të ndryshme dekadente e pornografike, gjë e cila duket edhe në sjelljen me vehte gjatë pushimeve të tanishme verore, të materialeve të tilla jo dinjitoze. Për këtë çështje bien në sy shumë studentë.

Kadri…., nga qyteti i Gjirokastrës, i shtresës së varfër, babai me gjendje punëtor, me qëndrim të mirë gjatë luftës dhe pas çlirimit. Vetë Kadriu ka mbaruar shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja në Tiranë dhe është dalluar si nxënës aktivist i organizatës së rinisë në shkollë. Gjatë kohës së qëndrimit në Francë, Kadriu ka shoqëri me një student engleze që studion në Paris dhe kohët e fundit punon në Radio-Londra, me të cilën mban korrespodencë.

Vladimir…… nxënës në Berat, me përbërje të mirë politike, por në letrat që i shkruan një shokut të tij në Shqipëri, i thotë, për arsye se mban flokët e gjatë, nuk shkon në ambasadë, se njihet me dy franceze me të cilat bën shëtitje me makina dhe shkon për dreka dhe për darka.

Astrit……., nga Dibra, me prejardhje të mirë, mbaruar shkollën e gjuhëve të huaja, me rezultate të mira, mban korrespodencë me anglezen Katerina Doris dhe me një vajzë tjetër në Francë. Vitin e kaluar, kur ishte me pushime në Shqipëri, ka marrë sende nga një person këtu, për t’ja dhënë t’arratisurit Sabaudin Dino, me banim në Francë.

Duke marrë parasysh se veprimtaria armiqësore kundër vëndit tonë në disa drejtime është rritur, mendojmë se ndoshta është e nevojshme që puna për edukimin e mbrojtjen e studentëve tanë jashtë shtetit, duhet të bëhet më e organizuar dhe më intensive si nga ambasadat tona, ashtu dhe nga Ministria e Arsimit, në rastet kur studentët tanë kthehen me pushime verore ose kur aprovohet e drejta e studimit jashtë. /Memorie

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Ministri i Financave akuzon Prokurorinë Speciale se po lufton Kurtin e motivuar politikisht

Kosovë/ Ministri i Financave akuzon Prokurorinë Speciale se po lufton Kurtin e motivuar politikisht