Belinda Balluku nuk është më zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës. Pas më shumë se 2 javësh shqyrtim, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë dot një vendim shumice për padinë e kryeministrit Edi Rama, duke rrëzuar kërkesën, për shkak se 8 gjyqtarët u ndanë në 4 pro dhe 4 kundër.

Në lidhje me këtë vendim Ylli Manjani përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se Kushtetuesja nuk e zgjidhi dot konfliktin e kompetencave mes qeverisë dhe GJKKO-së, pra nëse kjo e fundit e ka kompetencën të pezullojë nga detyra një anëtar të qeverisë.

Ndër të tjera ai shprehet se Kushtetuesja ka dështuar të marrë një vendim mbi objektin e kërkesës së bërë.

Postimi i plotë:

Meqë kam shumë pyetje dhe nuk u përgjigjem dot të gjithëve, po e sqaroj këtu domethënien e vendimit pa vendim të Gjykatës Kushtetuese:

1. Gjykata Kushtetuese ka dështuar të marrë një vendim mbi objektin e kërkesës së bërë. Pra nuk i ka dhënë dot zgjidhje mosmarrëveshjes ndërmjet Qeverisë dhe Drejtësisë.

2. Duke mos qenë në gjendje të marrë vendim, automatikisht kërkesa e bërë quhet e rrëzuar, megjithëse e pagjykuar.

3. Vendimi i ndërmjetëm i pezullimit të vendimit të GJKKO, bie nga fuqia automatikisht sepse ka përfunduar gjykimi.

4. Situata ligjërisht rikthehet në gjendjen që ishte përpara fillimit të gjykimit në Gjykatën Kushtetuese. Pra zonja Balluku mbetet e pezulluar nga detyra sipas vendimit të GJKKO.

5. Çështja e debatit mbi imunitetin e saj nuk ka lidhje me këtë gjykim, por me procedurat dhe vendimmarrjen e Parlamentit, mbi kërkesën e SPAK.

Kaq sa për sqarim ligjor të mënyrës se si duhet kuptuar vendimi pa vendim i kushtetueses.

Komentet, opinionet e konspiracionet janë temë tjetër.

Belinda Balluku është marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë, si dhe është në hetim për të 7 lotet e Unazës së Madhe, si dhe për të paktën 3 procedura të tjera tenderuese.

GJKKO, me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku e pandehur për abuzime me tenderin e Llogarasë, por Kryeministri Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij.