Rasti i tre fëmijëve në Durrës ka hapur një debat të gjerë publik në Shqipëri jo vetëm për kushtet sociale dhe ekonomike, por edhe për mënyrën se si trajtohen krizat familjare. Psikologia klinike dhe këshilluesja Jonida Ponari, e ftuar në Studio Live në Report TV vuri theksin te nevoja për ta parë rastin përtej pamjeve të publikuara në rrjetet sociale.

Sipas saj, mungesa e higjienës në një banesë nuk është gjithmonë tregues i drejtpërdrejtë i neglizhencës apo braktisjes, pasi persona që vuajnë nga depresioni madhor shpesh shfaqin probleme të tilla. Megjithatë, Ponari theksoi se në këtë rast nuk i është krijuar përshtypja e një nëne me depresion, duke ngritur disa pikëpyetje. 

"A mund të jetë narciste nëna se vetëm një nënë narciste ka një mungesë empatie për t'i lënë fëmijët ashtu" u shpreh psikologia.

Ponari ngriti gjithashtu shqetësimin për mënyrën se si janë filmuar fëmijët nga gjyshja dhe për përfshirjen e tyre në situata përballjeje, duke e cilësuar këtë si një formë presioni emocional. Ajo vuri në dukje se, gjatë videos, fëmijëve u kërkohej llogari për gjendjen e shtëpisë, një sjellje që sipas saj mund të përbëjë elemente të alienimit dhe të dëmtojë mirëqenien psikologjike të tyre.

Sipas Ponarit, ky rast nuk duhet parë si një episod i izoluar, por si “maja e ajsbergut” e problemeve sociale që lidhen me varfërinë. 


Lajmi kryesor:

Denoncimi për braktisjen e 3 fëmijëve në Durrës, nëna për Report Tv: Kurth nga ish-vjehrra, punoj dy turne! 3 të miturit me zgjebe, nëna mban kujdestarinë