TIRANË- Prej mëngjesit, Gjykata Kushtetuese është mbledhur për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku. Gjyqtarët kushtetues pritet të dalin me një vendim për çështjen Balluku, pasi morën në shqyrtim ankimin e Këshillit të Ministrave.

Zyrtarisht Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë njoftim se për çfarë janë mbledhur gjyqtarët që prej orës 11:00. Por, burimet i thanë Report Tv, se po punohet për vendimin mbi rastin Balluku.

GJKKO, me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku e pandehur për abuzime me tenderin e Llogarasë, por Kryeministri Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij.

Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”. E pandehur për shkeljet në tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera prokurorimi lidhur me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe, SPAK ka dyshime se Balluku duke qenë në detyrë, rrezikon të prishë provat hetimore dhe të intimidojë dëshmitarët.