Kryetari i partisë shqiptare në qeverinë e Maqedonisë, Ali Ahmeti, kërkon që procedura e shkallës së dytë për rastin “Monstra” të monitorohet nga ekspertë të FBI-së.  Në një intervistë për të përditshmen maqedonase “Dnevnik”, Ahmeti thotë se vetëm FBI mund të sigurojë besueshmërinë e procesit tek qytetarët.

“Që të mos ketë politikë, vlerësojmë se monitorimi ndërkombëtarë do të rrisë besueshmërinë e procesit. Bëhet fjalë për proces shumë të komplikuar. Kemi biseduar me miqtë tanë dhe kemi kërkuar që këtë proces ta monitorojë FBI-ja”, ka thënë Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Madje kreu i BDI-së thotë se ka marrë edhe pëlqimin e kryeministrit Nikolla Gruevski, në përpjekjet për kthimin e besimit të qytetarëve në vendimet gjyqësore.

“FBI-ja ta monitorojë gjithë procedurën. Për të pasur besueshmëri procesi, që të kemi besim në të. Është proces në rrjedhë. Për të qenë më konkret, në parim, edhe Nikolla pajtohet se qytetarët duhet pasur besim në këtë proces”, deklaroi  Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
 



Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)