Kundërshtimet ndaj hartës së re gjyqësore, KLGJ ‘lan duart’: Vendimin përfundimtar e merr qeveria! Propozimi ynë synon rritjen e efikasitetit

Kundërshtimet ndaj hartës së re gjyqësore, KLGJ ‘lan duart’: Vendimin përfundimtar e merr qeveria! Propozimi ynë synon rritjen e efikasitetit

Foto ilustruese

Vendimin se si do të jetë kompozimi përfundimtar i hartës së re gjyqësore në vend i përket Këshillit të Ministrave. Kështu e përfundon reagimin e sotëm mbi kundërshtimet e shumta për propozimin për hartën gjyqësore, Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke ‘tentuar’ kështu edhe një lloj shfryrje të përgjegjësisë apo akuzave ndaj këtij institucioni.

“Raporti përfundimtar vlerësues është produkt i një procesi gjithëpërfshirës konsultimi. Ai reflekton një kontribut të përbashkët të Këshillit dhe Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatave dhe partnerëve ndërkombëtare, të cilët në vijimësi e kanë mbështetur Grupin e Punës dhe Këshillin në hartimin e raportit vlerësues dhe propozimit që reflekton praktikat më të mira ndërkombëtare. Këshilli në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë zhvilluan në fillim të vitit 2022, ciklin e konsultimeve publike mbi propozimin e riorganizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave. Opinionet dhe sugjerimet iu nënshtruan një procesi vlerësimi nga Grupi i Punës për të vijuar më pas me rishikimin e raportit vlerësues dhe finalizimin e projekt-propozimit për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave”, thuhet në reagimin e KLGJ.

Sipas KLGJ harta e Re Gjyqësore synon rritjen e efikasitetit dhe efektshmërisë së gjykatave.

“Ajo garanton shpërndarje të ekuilibruar të ngarkesës mes gjykatave dhe gjyqtarëve në funksion të marrjes së drejtësisë në mënyrë të barabartë dhe në të njëjtën kohë për të gjithë qytetarët. Kjo zgjidhje forcon aksesin e qytetarit në marrjen e shërbimit, pavarësisht afërsisë fizike me gjykatën”, Këshilli sjell në vëmendje se vlerësimi i organizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave përbën një detyrim ligjor periodik për Këshillin, i cili të paktën çdo 5 vjet, rivlerëson situatën, në varësi të nevojave dhe rrethanave konkrete”, vijon reagimi.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor bën me dije se në referim të ligjit 98/2016, i ndryshuar, miratimi i “Raportit përfundimtar vlerësues dhe propozimit të Grupit Ndërinstitucional të Punës mbi Hartën e Re Gjyqësore”, përbën fazën e parë me natyrë vlerësuese të riorganizimit dhe kompetencave tokësore të gjykatave dhe i hap rrugën procesit të marrjes së mendimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave, përpara kalimit në fazën e dytë, e cila gjithashtu do të kërkojë nga Këshilli formalizimin në një vendimmarrje tjetër miratuese të bashkëpropozimit për “Hartën e Re Gjyqësore” dhe përcjelljen e tij për miratim Këshillit të Ministrave. Miratimi përfundimtar i bashkëpropozimit për “Hartën e Re Gjyqësore” është kompetencë ligjore ekskluzive e Këshillit të Ministrave”, përfundon KLGJ.

Harta e re gjyqësore ka sjellë diskutime dhe reagime mes avokatëve. Dhoma e Avokatisë ka vendosur bojkot të të gjithë seancave të gjyqësorit për 4 ditë ndërsa kundër kanë dalë avokatët penalistë që shkojnë në seanca sepse mendojnë që çështja duhet të shkojë në Gjykatën e Kushtetuese për të kundërshtuar KLGJ.

13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është se është shtuar një gjykatë e shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr. KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Krujë, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë. 

SI.E./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë