TIRANË - Përmes rrjetit social “Facebook”, Ermelinda Meksi ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho që kërkonte dorëheqjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.
 
“Dorëheqja për të cilën më apeloni do të ishte zgjedhja më e lehte për mua,si person por jo zgjidhje për situatën ku ndodhemi.”- shprehet Meksi.
 
Gjatë deklaratës së tij, Spartak Braho paraprakisht veçoi emrat e Ermelinda Meksit, Ardian Civicit dhe Dhori Kules, të vlerësuar prej tij si “më të mençurit që duhet të japin dorëheqjen”.
 
Reagimi i Ermelinda Meksit në “Facebook” ndaj Spartak Brahos, siç shprehet vetë ajo ka ardhur në pamundësi për ta kontaktuar personalisht atë në telefon.
 
Meksi: Dorëheqjet fusin institucionin monetar qendror në një ngërç
Në statusin e saj, Meksi i kërkon Brahos nëse i ka menduar pasojat e apelit për dorëheqje që nëse do të pranohet do ta fuste institucionin monetar qendror në një ngërç institucional.
 
Më tej ajo shton se me 3 anëtarë të dorëhequr Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të mbetej pa kuorumin e nevojshëm, për marrjen e vendimeve të nevojshëm kurdoherë, por sidomos në situatën aktuale.
 
“Kjo situatë do të kishte pasoja për stabilitetin dhe sigurinë financiare të vendit, për të cilat ju dhe ne duhet të shqetësohemi seriozisht dhe të veprojmë me maturi.”-shkruan Meksi në rrjetin social. 
 
Meksi -Brahos:Apeli juaj mbështetet në interpretimin e gabuar të ligjit 
Sipas Meksit, apeli i Brahos mbështetet në interpretimin e gabuar të ligjit, pasi ai lexohet integralisht, drejt dhe saktë. 
 
Guvernatori dhe zv/ guvernatorët janë punonjës me kohë të plotë në BSH si administratore dhe përgjegjës për administrimin e Bankës sqaron Meksi duke shtuar se njëkohësisht ata kanë edhe rolin drejtues si kryetar dhe nënkryetar të Këshillit Mbikëqyrës.
 
Më tej ajo vijon sqarimin se anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës nuk janë me kohë të plotë në këtë funksion.
 
“Si anëtare të Këshillit Mbikëqyrës mblidhemi 1 deri 2 herë ne muaj ne mbledhjen e tij ku ushtrojmë detyra joekzekutive sipas nenit 42 dhe 43 te ligjit që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e aktivitetit te Bankës për të cilin raportojnë administratorët.”-shkruan Meksi.
 
ermelinda meksi fb 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)