Pas një bashkëpunimi mbi 10-vjeçar, gazetari dhe botuesi Ilir Babaramo është larguar nga Report Tv për prishje të marrëdhënies së mirëbesimit. Gjatë një transmetimi live më datë 22 mars 2026, zoti Babaramo deklaroi dy herë se kolegu i tij në studio, Denis Minga merrte porosi dhe orientim politik nëpërmjet kufjeve, një praktikë që në Report Tv nuk është përdorur kurrë, siç vetë Babaramo mund ta dëshmojë. Insinuata të tilla cenojnë besimin e publikut ndaj televizionit në të cilin ai punon dhe dëmtojnë imazhin personal dhe profesional të kolegut të tij, gjë që është e papranueshme në një media profesionale, në shkelje të hapur të etikës, Kodit të Punës dhe kontratës.

Për këtë arsye, zotit Babaramo iu komunikua, pas përfundimit të transmetimit live, pezullimi i emisionit të tij të parashikuar për sot, në pritje të një sqarimi të mëtejshëm. Por sot në mëngjes, në portalin e tij, zoti Babaramo (dmth edhe si botues) ka deklaruar se është pushuar nga puna nga Report Tv me argumentin e përsëritur se në Report Tv nuk pranohen sulmet ndaj qeverisë: “Nuk pranoj që të punosh për mua dhe të kritikosh qeverinë”, përsëriste pa pushim botuesi i televizioni, tregon më tej Babaramo''.

Një akuzë tërësisht e sajuar me sa duket për ta paraqitur veten para publikut si viktimë e shprehjes së lirë. Zoti Babaramo bashkë me publikun e tij në fakt janë dëshmitarët më të mirë të lirisë absolute që ai ka përjetuar jo vetëm në Report Tv, por në çdo media tjetër të drejtuar nga z. Carlo Bollino, me të cilin ka bashkëpunuar për më shumë se 30 vite pa asnjë ankesë. Deklarata të tilla të ulëta e kanë detyruar kompaninë MTSC të ndërpresë marrëdhënien e punës për shkak të punëmarrësit, pasi ka prishur mes të tjerash marrëdhënien e mirëbesimit dhe imazhin e punëdhënësit. Zyra e Burimeve Njerëzore po ndjek procedurat në përputhje me kontratën dhe Kodin e Punës.

Report Tv ndjen për detyrë të sqarojë para publikut të tij se nuk ka punësuar kurrë gazetarë “papagallë”, por profesionistë të lirë, ndërkohë që pavarësia e linjës editoriale vërtetohet çdo ditë nga pluralizmi i opinioneve që janë të pranishme dhe të mirëpritura në çdo emision tonin, një prej të cilave ka qenë deri sot (dhe për tetë vite) edhe ai i zotit Babaramo, dhe kjo pavarësisht nga pëlqyeshmëria e treguar nga publiku dhe niveli i audiencës sepse jemi të vetëdijshëm që edhe pluralizmi ka koston e vet, por gjithmonë në respekt reciprok dhe në mbrojtje të etikës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:21
Largimi i Babaramos nga Report Tv, AGSH: Liria editoriale dhe etika profesionale të mos cenohen, reagimet politike të bazohen në fakte

1774276209_gazetari.jpeg

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar pasi gazetari dhe botuesi Ilir Babaramo është larguar nga Report Tv për prishje të marrëdhënies së mirëbesimit. Në një reagim, AGJSH thotë se “çdo çështje që lidhet me lirinë editoriale, etikën profesionale apo marrëdhëniet e punës të trajtohet në mënyrë të qartë dhe të verifikueshme, në mënyrë që të ruhet besimi i publikut dhe integriteti i profesionit të gazetarit”.

Sa i përket reagimeve politike, AGSH vlerëson se çështje të tilla kërkojnë një qasje të kujdesshme dhe të bazuar në fakte.

“Debati mbi lirinë e medias është legjitim dhe i nevojshëm, por përdorimi i gjuhës së ashpër apo etiketimet ekstreme nuk ndihmojnë në qartësimin e situatës dhe as në forcimin e standardeve të gazetarisë”, thuhet në reagim.

Deklarata e plotë e AGSH

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës mes gazetarit Ilir Babaramo dhe televizionit Report Tv.

Sipas deklaratave publike, gazetari Ilir Babaramo ka bërë të ditur se është larguar nga puna në mënyrë të njëanshme, duke pretenduar se shkaku lidhet me qëndrimet e tij kritike ndaj qeverisë. Nga ana tjetër, drejtuesit e Report Tv kanë konfirmuar ndërprerjen e marrëdhënies së punës, duke argumentuar se vendimi lidhet me prishjen e marrëdhënies së mirëbesimit dhe me deklarata të bëra gjatë një transmetimi televiziv, të cilat sipas tyre cenojnë etikën profesionale dhe imazhin e institucionit.

Në këtë kontekst, AGSH vlerëson se marrëdhëniet e punës në media janë çështje që duhet të trajtohen me përgjegjësi të lartë profesionale, transparencë dhe respekt të ndërsjellë midis palëve. Në raste të tilla, është thelbësore që çdo vendimmarrje të mbështetet në procedura të rregullta, në përputhje me Kodin e Punës, standardet etike dhe parimet e një mjedisi të drejtë pune.

Duke marrë në konsideratë pretendimet e ndryshme të palëve, AGSH thekson rëndësinë që çdo çështje që lidhet me lirinë editoriale, etikën profesionale apo marrëdhëniet e punës të trajtohet në mënyrë të qartë dhe të verifikueshme, në mënyrë që të ruhet besimi i publikut dhe integriteti i profesionit të gazetarit.

AGSH nënvizon se pluralizmi i mendimit, pavarësia editoriale dhe respektimi i dinjitetit profesional të gazetarëve janë vlera themelore që duhet të mbrohen në çdo redaksi. Po ashtu, çdo masë disiplinore apo ndërprerje e marrëdhënies së punës duhet të jetë proporcionale, e arsyetuar dhe e dokumentuar.

Asociacioni inkurajon palët që të trajtojnë këtë situatë me maturi dhe përgjegjësi, duke shmangur përshkallëzimin publik dhe duke respektuar standardet profesionale të gazetarisë.

Sa i përket reagimeve politike, AGSH vlerëson se çështje të tilla kërkojnë një qasje të kujdesshme dhe të bazuar në fakte. Debati mbi lirinë e medias është legjitim dhe i nevojshëm, por përdorimi i gjuhës së ashpër apo etiketimet ekstreme nuk ndihmojnë në qartësimin e situatës dhe as në forcimin e standardeve të gazetarisë.

Shënim – Për shkak të konfliktit të interesit, kryetari i AGSH, Isa Myzyraj nuk ka mbajtur qëndrim me votë në këtë reagim.