El Clasico i ndryshimeve. Real Madrid-Barcelona do të përballen sërish të shtunën në Bernabeu, por me shumë ndryshime dhe me shume risi në formacionin titullar sidomos tek Los Blancos. Për Murinjon, La Liga ka kaluar në plan të tretë dhe trajneri portugez vetëm mendon për ndeshjen e së martës në Champions League kundër Manchesterit në Old Traford.

Edhe pse ende nuk e ka vendosur formacionin titular për ndeshjen me Barcelonën Marca bën të ditur se Special One e ka të qartë që të paktën 5 nga titullarët e sfidës së Kupës nuk do të luajnë të shtunën.Varane, Xabi Alonso, Di Maria, Ozil dhe Higuain. Ata do të zëvendësohen me Pepen në mbrojtje, Essien në mesfushë dhe më pas me Callejon, Kaka dhe Benzema. Nga ata që luajtën në Kamp Nou të martën vendin e sigurt e kanë portiere Diego Lopez, Arbeloa dhe Ronaldo.

Por ndryshe nga Marca e përditshmja tjetër As ka informacione se Murinjo do të ruajë edhe yllin portugez nga ndonjë dëmtim i mundshëm duke e lënë në stol ndaj blaugraneve. Po ashtu do të jenë në fushë edhe Koentrao dhe Kedira. Për brazilianin Kaka dhe për sulmuesin Benzema, sfida ndaj Barçës do të jetë një mundësi e mirë. Por edhe të Barça priten ndryshime pas humbjeve ndaj Milanit dhe Realit. Në San Siro dhe në Kamp Nou katalanasit kanë gjuajtur vetëm katër herë në portë dhe për këtë arsye ndryshimi i madh në formacion mund të jetë prania e sulmuesit David Villa.

Edhe Messi ka thënë se dëshiron të luajë përkrah Villas që të ketë më shumë mundësi shënimi. Po ashtu nuk përjashtohet edhe prania e kilianit Aleksis Sanchez. Por pavarësisht ndryshimeve apo mundesave në formacion, sidomos tek Reali, dhe rëndësisë jo të madhe për shkak të diferencës së madhe të pikëve, një Real Madrid–Barcelona mbetet gjithmonë spektakolare dhe nuk duhet humbur.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)