Java evropiane e futbollit ka qenë e mbushur me gola dhe shumë rezultate interesante. Në Premier League, Çelsi vazhdon kryesimin falë kapitenit Terry që ka shënuar në minutën e 90 përballë ekipit të Evertonit.

Arsenali ka shfryrë përballë Sunderland-it humbjen me Bajernin në Champions duke fituar 4-1. Manchester City me shumë vështirësi ka fituar me Stoke City-n me një gol të Toure. Sheikët janë duke kaluar një moment të vështirë pas humbjes me Barcelonën, shkak për këtë është edhe mungesa e Agueros.

Në Spanjë, Reali ka fituar përballë Elches 3-0 duke mos e ndier mungesën e Ronaldos, të cilin Komisioni i Apelit vendosi që të mos ta falte. Golat për Realin janë shënuar nga Illramendi, Bale dhe Isco. Të tre golat ishin mjaft të bukur, mes tyre vlen të theksohet ai i uellsianit që realizoi nga një distancë e konsiderueshme.

Në Bundesligë, surprizë ka qenë humbja e Dortmundit përballë Hamburgut 3-0 duke pësuar edhe një super gol nga mesi i fushës.


d.b/shqiptarja.com