Reali në finale, shkatërron Bajernin
me poker, Ronaldo vendos rekord

Reali në finale, shkatërron Bajernin<br />me poker, Ronaldo vendos rekord
Reali i Madridit është finalisti i parë i Champions League për këtë edicion, pasi shkatërroi Bajernin e Mynihut me rezultatin e thellë 0-4 në Gjermani duke e dërguar në 5-0 në total përballjen me kampionët e Evropës. Madrilenët dominuan sfidën duke shënuar në pjesën e parë 3 gola, ndërsa një në të dytën për të mos i dhënë asnjë shans vendasve që të reagojnë për të shënuar as edhe golin e nderit.

Tashmë ekipi i Ancelotit pret i qetë gjysmëfinalen e nesërme që do të zhvillohet në Angli për të mësuar kundërshtarin që do të ketë në finalen e madhe të Lisbonës. Reali i Madridit zbriti në fushë me artilerinë e rëndë duke vendosur në sulm Bale, Benzema dhe Ronaldo, ndërsa Guardiola riktheu Mylerin nga minuta e parë në fushë ndryshe nga ndeshja e parë në Spanjë. Bajerni në mënyrë të paparashikueshme ra në shtëpi për 34 minuta.

Reali i Madridit me një mbrojtje të disiplinuar dhe një sulm të frikshëm arrin që të zhbllokojë shifrat në minutën e 16. Modric harkon një goditje të bukur nga këndi në zonë për Ramos që ngrihet më shumë se mbrojtësit vendas duke goditur fuqishëm dhe ndalur sferën në rrjetë. Goli çorienton ekipin kampion të Evropës, pasi kthimi i rezultatit bëhet akoma më i vështirë. Goditja e psikologjike e pësuar shkakton edhe golin e dytë që të njëjtin autor, por tashmë me një goditje dënimi.

Di Maria kroson në zonë ku përsëri gjen Ramosin që shënon golin e dytë për ‘Galaktikët’. Momenti i mirë që po kalonte Reali bëri që Bajerni të humbte komplet qetësinë duke pësuar edhe golin e tretë në minutën e 34 me Ronaldon. Në pjesën e dytë Guardiola tenton që të ndryshojë dicka në skemat e tij, por Reali mbrohet me kujdes duke administruar lojën me qetësi dhe reaguar me shpejtësi në momentet që Bajerni humbiste zotërimin e topit.

Anceloti në pjesën e dytë vendos të nxjerrë Benzema për Iskon për ta bërë lojën më tërheqëse, ndërsa Pep fut në fushë Gëce dhe Pizaro. Kur të dy ekipet po u drejtoheshin dhomave të zhveshjes Reali mendon për pokerin duke shënuar edhe golin e katërt me të njëjtin autor, Ronaldon. Portugezi në minutën e 89 ekzekuton me mjeshtëri një goditje dënimi duke mposhtur Nojer dhe bërë dopietë personale. Ylli portugez i hapi rrugë ekipit mbretëror për në finalen që do të zhvillohet pikërisht në vendin e tij.

Sulmuesi theu edhe rekordin e golave të shënuar në një edicion në Champions me 16. Kështu Reali i Madridit rikthehet në finalen e Champions League pas 12  vitesh mungesë dhe sipas të gjitha gjasave nga kuotat e basteve do të jetë fitues i trofeut të artë këtë edicion.


d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës