Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vazhdon të dominojë zhvillimet në Lindjen e Mesme, me Ngushticën e Hormuzit që mbetet pika më e nxehtë e përplasjes diplomatike dhe ushtarake.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se bisedimet me Iranin “po zhvillohen pikërisht tani” dhe i cilësoi ato si “shansi i fundit” për Teheranin. Ai tha se iranianët kërkojnë një marrëveshje, ndërsa shtoi se negociatat janë në vazhdim.

Por vetëm pak orë më vonë erdhi reagimi i Teheranit. Ministria e Jashtme iraniane mohoi se ka negociata me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se kontaktet e vetme janë me Omanin dhe kanë në qendër situatën në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas autoriteteve iraniane, nuk do të ketë ndryshim të situatës në Hormuz për sa kohë, sipas tyre, vazhdojnë presioni dhe veprimet ushtarake amerikane. Teherani shtoi se çdo zhvillim i mëtejshëm do të varet nga rezultati i bisedimeve me Omanin.

Në të njëjtën kohë, “New York Times”, duke cituar zyrtarë iranianë dhe amerikanë, raportoi se Irani dhe Omani janë pranë një marrëveshjeje për menaxhimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit. Sipas raportimit, anijet që hyjnë në Gjirin Persik do të kalonin në një korridor pranë brigjeve iraniane, ndërsa ato që dalin do të përdornin një korridor pranë Omanit. Zyrtarët iranianë thanë se po diskutohet edhe një tarifë shërbimi, ndërsa një zyrtar amerikan kundërshtoi këtë version, duke deklaruar se nuk parashikohen tarifa dhe se kalimi nuk do të kërkojë miratimin e Iranit.

Ndërkohë, tensionet në Hormuz mbeten të larta. CNN raportoi se Mohsen Rezaei, këshilltar i lartë i udhëheqjes iraniane, paralajmëroi se Irani do të sulmojë anijet amerikane nëse vazhdon bllokada detare në ngushticë. Ai deklaroi gjithashtu se Teherani nuk do të pranojë hapjen e një rruge tjetër detare pa miratimin e tij.

Agjencia Reuters raportoi gjithashtu, duke cituar një diplomat të lartë iranian, se Teherani kërkon të ketë kontroll mbi hyrjet në Ngushticën e Hormuzit dhe të monitorojë trafikun detar, duke e cilësuar këtë si bazën e diskutimeve me Omanin. Në të njëjtën kohë, Iraku njoftoi se disa prej cisternave të tij me naftë kanë kaluar pa probleme nëpër Hormuz.

Iran, zhvillimet kanë sjellë edhe përplasje politike. Deputetë iranianë po mbledhin firmat për të nisur procedurën e shkarkimit të ministrit të Jashtëm Abbas Araghchi. Ata argumentojnë se çdo marrëveshje që cenon sovranitetin iranian ose kontrollin mbi ujërat territoriale do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

Ndërsa diplomacia vazhdon, situata në terren mbetet e paqëndrueshme. Rebelët Houthi të Jemenit njoftuan se kanë goditur me dron aeroportin e Najranit në Arabinë Saudite, duke e cilësuar sulmin si përgjigje ndaj operacioneve saudite. Deri tani nuk ka konfirmim nga Riadi.

Paralelisht, në Romë nis një raund i ri bisedimesh mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Libanit për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit dhe situatën në kufirin jugor libanez.

Edhe në Gaza vijojnë mosmarrëveshjet politike. Katari akuzoi Izraelin se po vonon zbatimin e planit të paqes, ndërsa dy ministra izraelitë i kërkuan kryeministrit Benjamin Netanyahu të bllokojë hyrjen e një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit në Rripin e Gazës, duke argumentuar se një vendim i tillë bie ndesh me objektivin për çarmatimin e Hamasit.