Zëdhënësi i grupit rebel Houthi, përmes Twitter-it, tha se "Aramco, ndërmarrja shtetërore e naftës e Arabisë Saudite, është ende një objektiv dhe mund të sulmohet në çdo kohë".
Rebelët jemenas gjithashtu konfirmuan dhe pretenduan sulmin me dronë të shtunën e kaluar në uzinat e përpunimit Abqaiq dhe Khurais, kompleksi më i madh në botë në Arabinë Saudite.
Rijadi u detyrua të pezullojë prodhimin e 5.7 milion fuçive me naftë në ditë, më shumë se gjysmën e prodhimit të përgjithshëm dhe rreth 5% të papërpunuarve botërore.
Çmimet e naftës gjithashtu u rritën për shkak të tensioneve të vazhdueshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Gjirin Persik, me sekretarin e shtetit të SHBA Mike Pompeo që akuzoi Teheranin për sulmet e së Shtunës në objektet e naftës Saudite të Aramco, por Irani e ka mohuar duke thënë: "Në vend që të fajësojë vendet e tjera, SHBA duhet të ketë parasysh se problemet e këtij rajoni burojnë nga prania e tyre në zonë".
Situata në Jemen
Zëdhënësi i Houthi, Yahya Sarea, ftoi personelin e huaj që të qëndrojnë larg ambienteve të Aramco, duke i kërkuar Arabisë Saudite që të ndalojë "agresionin" e saj në Jemen.
Referenca ka të bëjë me ndërhyrjen e koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Riadi në konfliktin jemenas, i cili ka vazhduar për katër vjet, midis rebelëve shiitë dhe forcave qeveritare.
Jemeni është një nga vendet më të varfra në botë dhe po përjeton një krizë humanitare, me tre civilë të vrarë mesatarisht në ditë.
Zëdhënësi i qeverisë së Teheranit Ali Rabiei tha se: "Irani është i gatshëm të punojë me OKB dhe vendet e tjera për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në Jemen dhe në rajon".
Që nga viti 2015, populli jemenas ka përjetuar shpërnguljen e mijëra njerëzve të pafajshëm, veçanërisht fëmijëve.
Deklarata lufte mes SHBA dhe Iranit
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se SHBA janë "gati të reagojnë me forcën e armëve, nëse është e nevojshme” ndërsa pret konfirmimin se Irani qëndron pas sulmeve me dronë në uzinën e naftës dhe fushat naftëmbajtëse në Arabinë Saudite
Dje në mbrëmje, përmes një postimi në Twitter, Trump tha se “Ka arsye për të besuar se pas sulmeve qëndron Teherani, megjithatë ne presim verifikimin e fakteve”.
Po dje u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë, një takim i Këshillit të Sigurisë, ku morën pjesë Zëvendës Presidenti Mike Pence, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, deklaroi se të gjitha opsionet, përfshirë edhe një përgjigje ushtarake, ishin në tryezë, por asnjë vendim nuk u mor.
Paralajmërimi i Trumpit për Iranin erdhi pasi një komandant i lartë i Gardës Revolucionare Iraniane, deklaroi se Irani ishte "gati për një luftë të vërtetë".
Amirali Hajizadeh, kreu i Forcës Hapësinore të Trupave të Gardës Revolucionare, paralajmëroi se bazat ushtarake amerikane ishin brenda rrezes së raketave iraniane.
Sulmet ndaj rafinerisë në zemër të industrisë së naftës në Mbretërinë Arabe, kanë eleminuar më shumë se gjysmën e prodhimit të naftës saudite, ose pesë përqind të furnizimit global.
Dje Trump tha gjithashtu se kishte aprovuar hedhjen në treg të naftës reserve, nëse është e nevojshme për të stabilizuar çmimet në tregjet e energjisë.
Rezerva e naftës në pronësi federale të SHBA, janë me qindra miliona fuçi naftë të papërpunuar, e cila është shfrytëzuar vetëm tre herë, së fundmi në vitin 2011 pas trazirave në Libi.
Çmimet e naftës bruto u rritën me 9.5%, duke shkuar në 60 dollarë, një rritje që mund të ketë efekte negative në ekonominë globale. Shumë ekspertë kanë paralajmëruar se çmimet e naftës mund të shkojnë deri në 100 dollarë për fuçi.
Dronë të armatosur goditën Abqaiq
Të shtunën Arabia Saudite ka pësuar sulmin më të keq në fushat e saj të naftës që prej fillimit të luftës në Jemen.
Dronë të armatosur goditën një nga qendrat më të rëndësishme në botë të përpunimit të naftës në Abqaiq, në afërsi të bregdetit në Gjirin Persik dhe fushën naftëmbajtëse të Kharais, e cila është e aftë të përpunojë 1 milion fuçi në ditë dhe ka rreth 20 miliardë fuçi nafte rezervë.