U tërhoqën 3 deputetë, por PS-ja mban në këmbë nismën e opozitës parlamentare: Të hapen listat dhe ndalohen koalicionet

U tërhoqën 3 deputetë, por PS-ja mban në këmbë nismën e opozitës parlamentare: Të hapen listat dhe ndalohen koalicionet

Reme Lala, Lefter Koka dhe Elena Xhina

TIRANE-Shumica socialiste mban në këmbë nismën e opozitës parlamentare për hapjen e listave, ndalimin e koalicioneve parazgjedhore dhe vendosjen e pragut 5% për hyrjen e partive në Kuvend. Kostaq Papa, deputet i opozitës në Kuvend u tërhoq nga firma për ndryshimet kushtetuese që u iniciua nga Myslim Murrizi dhe kishte si qëllim hapjen e listave, ndalimin e koalicioneve parazgjedhore dhe vendosjen e pragut 5% për partitë për hyrjen në Kuvend. Papa deklaroi se nuk është dakord që të mos lejohen koalicionet dhe të vendoset pragu. Ai tha se kanë dalë nga listat e PD-së dhe nuk mund të dalin kundër qëndrimit të kësaj partie që kundërshton ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

Rrjedhimisht me tërheqjen e Papës sot, shkoi në tre numri i deputetëve që u penduan duke bërë prapaktheu dhe nga 29 firma mbetën 26, që do të thotë se nisma për ndryshimet kushtetuese bie, pasi duhen 27. Por në këtë moment në skenë dolën tre deputetë të rinj duke firmosur për të mbajtur në këmbë nismën. Deputetët që firmosën janë Reme Lala, e zgjedhur nga listat e PDIU-së, por që më pas kaloi me grupin e PS-së, Elena Xhina, po e zgjedhur nga partia e çamëve dhe Lefter Koka i zgjedhur nga listat e LSI-së, por që nuk pranoi që të ndjekë Monika Kryemadhin për djegien e mandateve. Sipas burimeve të Report Tv, fillimisht ishte dhe deputeti socialist Adnor Shameti që vendosi që të firmoste pas deklaratës së hapur dje në Facebook, por më pas është tërhequr nga firma, por i mbetet qëndrimit. 

Deputeti Lefter Koka ka sqaruar në një postim në Facebook edhe arsyen se përse ka firmosur kërkesën, ndërsa shprehet se nuk e voton reformën e miratuar jashtë parlamentit nga PS-ja me opozitën PD-LSI për reformën zgjedhore. Ai kërkon që të hapen listat dhe të ndalohen koalicionet parazgjedhore. "Sapo kam firmosur nismën e opozitës parlamentare për reformimin e sistemit zgjedhor, me hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore! Ndihem i kënaqur që me firmën time i jam përgjigjur pozitivisht qindra qytetarëve durrsakë, të cilët më kanë kontaktuar dhe inkurajuar me telefonata dhe mesazhe, pas prononcimit tim të fundjavës së kaluar në mbështetje të deputetëve Murrizi, Musai, dhe kolegëve të tjerë. Është absolutisht shumë e qartë, jo vetëm për mua, por për çdo deputet që kanë mbështetjen dhe votën e popullit, se sot qytetarët shqiptarë qartaz kërkojnë në një shumicë partiake, të drejtën legjitime për të shprehur preferencën për deputetët që do i përfaqësojnë.

Deputetë pa vota dhe parti pa elektorat kemi pasur me bollëk prej 3 dekadash në parlament, që mblidhen si miza pas mjaltit të pushtetit, që i ofrojnë partitë e mëdha. Mendoj se sot më shumë se kurrë është koha që peshoren elektorale si për individët apo partitë, ta përcaktojë populli dhe jo dëshirat dhe marrëveshjet e fshehura të partive të mëdha. Përsëris dhe theksoj deklaratën time, se marrëveshja e bërë jashtë dyerve të parlamentit për t’i lënë gjërat siç janë, nuk i vlen askujt dhe unë për asnjë moment nuk dakortësoj me të.

Eksperimenti i dështuar i koalicioneve të mullixhinjve për inat të vjehrrës së radhës, nuk duhet ricikluar asesi më tutje në dëm të pastër të demokracisë. Uroj që edhe kolegët e maxhorancës të dalin hapur në mbështetje të kësaj reforme reale. Nuk dua të besoj, se do i shkojnë deri në fund logjikës së gjetjes së kartonave jeshilë për të votuar dhe hapur rrugën një marrëveshje që nuk sjell asgjë të re. Sepse as kartonat nuk do t'i gjejnë dot pa u hapur për reformen e kërkuar prej nesh dhe as popullin nuk kanë për ta gjetur dot të gatshëm për të vazhduar të votojë qorrazi listat 100% të mbyllura dhe koalicione si kuti të skaduara sardelesh! Suksese të gjithëve" shkruan ai.

Tre deputetët kanë firmosur propozimin e iniciuar nga Myslim Murrizi që kërkon ndryshimin e Kushtetutës për hapjen e listave, ndalimin e koalicioneve parazgjedhore dhe vendosjen e pragut 5% për partitë e vogla. Tre deputetët kanë firmosur një ditë pasi Artur Roshi nga Balli Kombëtar e Besnik Troplini dhe Papa tërhoqën firmat. Partia Demokratike ka kundërshtuar ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • nari: 15/06/2020 15:32

    Deklaro me pare se si è ke fituar Pasurine qe ke, pastaj te besojme, zoti Koka?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë