Rebelimi, pse nuk i pushkatoi
Zogu kryengritësit e Fierit

Rebelimi, pse nuk i pushkatoi <br />Zogu kryengritësit e Fierit
Më poshtë është një pjesë nga libri “Përpara gjyqit të historisë”, që përmban kujtime historike të Xhelal Staraveckës (1912-1975), botuar nga shtëpia botuese “Naimi”. Libri është shkruar në vitin 1966 në Paris dhe publikohet për herë të parë, sipas dorëshkrimit origjinal të autorit lënë trashëgim familjes. Qindra personazhe e personalitete, kryesisht politike, të viteve 1912-1966, ndriçohen përmes ngjarjeve, fakteve, kujtimeve të autorit. Tri janë nyjat kulmore të këtyre kujtimeve, ku autori është protagonist: Mbretëria e Zogut e kryengritja e Fierit, lëvizja antifashiste e lufta partizane si edhe fati i mërgatës politike shqiptare në Perëndim. Sipas prof. Xhufit, “Kujtimet e Xh. Staraveckës janë të pamëshirshme për ngjarje dhe protagonistë shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore”, ashtu si i bën një autopsi të plotë qeverisjes mbretërore.

Kush nuk e di arsyen pse na fali Zogu, mendon si mendonin ato kohë shqiptarët që nuk dinin “prapaskenën” se Zogu gjoja na fali për shpirtmadhërinë e tij e jo pse qe i detyruar, si do të shohim më poshtë. Popullsia në shumicën dërrmonjëse të qytetit të Fierit, ishte kristiane. Nuk e di me siguri, por patjetër prej 85% deri në 90 % ishin ortodoksë e ndër të dënuarit me vdekje dhe me burgime të përjetshëm, si Spiro Papa, doktor Kostantin Kollojeri e të tjerë, ishin një numër i madh. Në atë kohë në shoqërinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, pati radhën si kryetar i asaj Asambleje, ministër i Jashtëm i Rumanisë, i famshmi Titulesku. Ai çeli një diskutim në Lidhjen e Kombeve mbi çështjen e Fierit, mbasi ekzekutimi i njëmbëdhjetë gjindarmëve dhe graduatëve, nga ana tjetër dënimet me vdekje dhe tortura, kishin bërë në bujë shumë të madhe në botën e jashtme në atë kohë. Përfaqësonjësi i Shqipërisë në Gjenevë ishte Mehdi Frashëri. Kur u hap seanca e diskutimi në pasdreken e ditës së hënë, 23 shtator, Titulesku iu drejtua përfaqësonjësit të Shqipërisë, duke e pyetur se ç’ngjante në qytetin e Fierit në Shqipëri. Dhe Mehdi Frashëri që kishte porosinë nga Zogu t’i zvogëlonte ngjarjet shqiptare për të mos vënë në dukje mos-kënaqësinë e popullit shqiptar kundra regjimit të tij përpara botës së jashtme, iu përgjigj se një lëvizje lokale e provokuar nga disa elementë të papërgjegjshëm, kishte detyruar qeverinë të ndërhynte për të vënë rregullin.
Kur Titulesku e pyeti se sa banorë kishte Fieri, Mehdi Frashëri e kuptoi kurthin dhe si atdhetar i kulluar që ishte, nuk hezitoi të hynte në atë kurth me qëllim për të na shpëtuar ne, u përgjigj se Fieri kishte pesë mijë banorë, atëherë Titulesku u çua në këmbë dhe iu drejtua Asamblesë duke thënë:
-Zotnij përfaqësonjës të gjithë kombeve të botës mbarë... Popullsia e Fierit është pesë mijë banorë, të burgosurit për lëvizjen lokale të Fierit arrijnë pesë mijë, atëherë regjimi monstruoz i Zogut ka burgosur, veç meshkujve të çdo moshe, por edhe gratë të çdo moshe pa përjashtuar kalamaqët e të dy sekseve. Me një fjalë, ka burgosur krejt popullsinë e Fierit.
Në atë çast Mehdi Frashëri deklaroi në Asamble se të burgosurit nuk ishin vetëm të qytetit të Fierit, por dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë. Pa mbaruar fjalën përfaqësonjësi i Shqipërisë, jo vetëm Titulesku, por krejt Asambleja u ngrit në këmbë dhe e cilësoi Zogun një nga tiranët e urryer, mbasi lëvizja e Fierit nuk ishte lokale, por e përgjithshme, në krejt Shqipërinë. E, shpejt e shpejt, i thanë Mehdi Frashërit t’i drejtohesh Zogut dhe t’i thoshte se po të mos ndërronte qysh atë ditë metodën krudel dhe barbare, me pushkatime, tortura, dënime dhe të tjera abuzime mbi kurrizin e popullit shqiptar, ajo Lidhje që rrëzoi predecesorin Fan Noli, nuk do të gjente vështirësi të përmbyste dhe atë regjim bashkë me tiranin Zog. Mehdi Frashëri, po sa doli nga seanca në orën 18:00, i drejtoi një telegram urgjent pallatit, duke i thënë Zogut që të ndalonte torturat, dënimet dhe ekzekutimet nëse nuk donte përmbysjen e regjimit të tij dhe futjen e Shqipërisë në aventura të rrezikshme.
Telegrami i Zogut arriti në orën 22:00 të datës 23 shtator. Atë të hënë mbas dreke komanda e operacionit përgatiti 42 trekëndësh për varjen tonë në ora katër e pesë të mëngjesit, ditën e martë më 24 shtator, bile na prenë dhe flokët për ta bërë kokën njëlloj me atë pjesën e rruar që na torturonin.
Kur e pyeta mbi këtë çështje Medi Frashërin, mbasi me të pata ndenjur shumë herë në bisedim qoftë në Shqipëri, qoftë në Itali, mbas dalje time nga burgu, nëse ra në atë kurth me dashje, m’u përgjigj me një nënqeshje që tregonte kënaqësinë e tij.
Nuk kisha tjetër mjet, më tha, veç asaj dinakërie për t’u shpëtuar nga kasaphana e Fierit...
Kapiten Vas Kiri, i bindur se të nesërmen do të na ekzekutonin, erdhi dhe hyri në bimcat e të dënuarve me vdekje dhe filloi t’u thoshte me një gëzim qe dukej çiltaz, se vuajtjet e tyre ishin duke prekur fundin.
Gëzimi i Vas Kirit e kishte rrënjën te Lëvizja e Dukagjini që qe një lëvizje e telekomanduar nga Italia dhe Vatikani, si e pamë në këtë libër, për ta hedhur Shqipërinë nën kthetrat e Italisë si e hodhi, dhe ajo lëvizje u shtyp në gjak. Tash pse të mos shtypësh në gjak Lëvizja e Fierit që ishte një lëvizje anti-italiane, kur dhe vetë Zogu ishte prefekt i saj në Shqipëri, kështu që shqiptarët të mendonin shumë thellë para se të shpërthenin një lëvizje që nuk ishte e pëlqyer nga Italia.
Kapiten Vas Kiri kishte të drejtë të ishte i gëzuar mbasi po hante frytet e politikës së tij me Lëvizjen tradhtare të Dukagjinit.
I dëshpëruar deri në palcë nga ai fjalim cinik kur erdhi edhe në bimcën që ndodhesha unë, i thashë me një përbuzje që e meritonte, se ishte njollë dhe turp i madh të vdesësh o të rrosh në këtë jetë si autor dhe pjesëmarrës i lëvizjes tradhtare dhe antishqiptare të Dukagjinit dhe ishte nder e atdhetarizëm të vdesësh apo të rrosh si pjesëtar i Lëvizjes së Fierit. Bashkë me këtë frazë i hodha poshtë cingarin që ma dha po sa hyri në bimcë. I nxirë në fytyrë doli dhe iku e nuk shkoi në bimcat e tjera që nuk i kishte vizituar hala.
Ne e dinim me siguri, pse kryerojet që na donin, na thanë qysh në mëngjes me lot në faqe se do të na ekzekutonin.
Zogu që e kishte frikë Lidhjen e Kombeve, me të shpejtë i dërgoi komandantit të operacionit, kolonel Ali Riza Topallit, një telegram në të cilin i thoshte se të dënuarve me vdekje të asaj lëvizje u kthehej ndëshkimi në burgim të përjetshëm.
Pas atij telegrami, Ali Rizajt, i arriti telegrami i Musa Jukës me formulën hipokrite: “Nalt Madhnia e Tij, Zogu i I, Mbret i shqiptarëve dhe shpëtimtari i atdheut, denjoi faljen nga vdekja e të dënuarve nga gjyqi për faje politike i operacionit të Fierit, duke ua kthyer ndëshkimin kapital në burgim të përjetshëm”.
Telegrami i Zogut arriti në fier në orën 23:00, dhe ai i Musa Jukës në orën 24:00, porse ky i fundit jo me 42 të falur por me 41. Hekuran Manekun e kishin lënë jashtë faljes.
Zogu, mbas çuarjes të telegramit Ali Rizajt, mendoi se një komision internacional nuk ishte çudi të vinte në Shqipëri për të konstatuar sjelljet shtazore dhe torturat e mallkuara që u kishin perpetruar sejmenët e tij kryengritësve, andaj menjëherë i dha urdhër Musa Jukës, që t’i telegrafonte Ali Rizajt për përjashtimin e Hekuran Manekut nga falja duke e akuzuar për krim komun se sa për krim politik, mbasi ai ishte më tepër i rrezikshëm i gjallë për regjimin e satrapit Matit, me ato tortura që kishte pasur trupi i tij, se sa i vdekur nga ekzekutimi.
Në orën 1:00 të mëngjesit të ditës martë, 24 shtator 1935, rojet, duke tundur çelësat, si bënin gjithnjë çdo natë drejt orëve tre dhe katër të mëngjesit, për t’u dhënë përshtypjen të dënuarve se po vinin t’i merrnin për t’i varur, kur hapën derën e bimcës ku ndodhesha unë me Hekuran Manekun dhe si skraparllinj, shokët e Riza Cerovës, pamë se u shfaq në derë kolonel Ali Rizaj. Nuk kishte asnjë dyshim, ishte çasti i ekzekutimit, mbasi Ali Rizaj nuk kishte ardhur asnjëherë në bimcat tona. Ali Rizaj ishte një dështim i vërtetë i natyrës. Ajo jo vetëm e kishte lënë me shumë të meta, me një këmbë të shkurtër dhe të trashë, ndërsa tjetra e gjatë, e hollë dhe e shtrembër, me një fytyrë të shëmtuar dhe me një sy të vëngër e të tjera të meta fizike, por fliste keq dhe gjuhën shqipe. Posa u afrua te pragu i portës për të hyrë brenda, i dha urdhër rojës të më zgjidhte, mbasi më mbanin lidhur duar e këmbë me të njëjtin zinxhir e nuk mund të ngriheshim në këmbë. Kur më zgjidhën, më tha të grihesha dhe të shkoja pranë tij. U ngrita duke u mbështetur në mur dhe shkova afër derës, i vendosur të mos t’i jepja përshtypjen më të vogël se po më vinte keq që po lija këtë jetë. Me mospërfillje e shikova në sy, gati sikur ta pyesja se ç’kërkonte ajo mostër prej meje në atë çast të jetës time mbi tokë?
Këto janë fjalët e tij në kuptim dhe jo në oratori:
-Nalt Madhnia e Tij e don rininë dhe goditet thellë kur sheh të rinj si ty që rrëmbejnë armët në dorë për t’i rënë. Ai, si babë i rinisë, nuk do që pjesëtarët e saj të lenë jetën nga ndëshkime ligjore të provokuar nga ndërmarrje armiqësore kundra regjimit... Ai të ka fal.
Ata që e shoqëronin rrahën shuplakët, ndërsa unë u betohem se nuk nxora asnjë fjalë më të vogël me gojën time, por qëndrova krejt indiferent.
Sjellja e ftohtë dhe përbuzëse e detyroi të fliste prapë.
-Ai të ka falë dhe ti, duke qenë i ri, patjetër do të dalësh në liri, por si shpërblim të kësaj shpirtmadhësie që të ka fal jetën, nuk duhesh të jesh kundra tij.
Iu përgjigja:
-Meqenëse kam zënë këtë rrugë, po pata rast, nuk do ta tradhtoj misioni tim.
E dëgjoi apo nuk e dëgjoi përgjigjen time, nuk jam në gjendje ta konfirmoj as njërën, as tjetrën pse, po sa mbaroi fjalën e fundit, u dha urdhër rojeve të zgjidhnin dhe të tjerët veç Hekuranit. Ashtu të zgjidhur, na çuan në tjetrën bimcë që e ndante nga e jona vetëm një mur, për të lënë Hekuran Manekun vetëm.
Egërsira Ali Rizaj dha urdhër t’ia hiqnin zinxhirët nga duart e nga këmbët dhe i vunë kllapat në duar të kthyera në shpinë, e pastaj ja shtrënguan aq shumë sa mundën dhe e lanë e shkuan në bimcat e tjerë për t’u komunikuar të dënuarve me vdekje mëshirën e satrapit të Matit që nuk na vari pse nuk mundi.
Në pak kohë, meqenëse kllapat ia shtrënguan shumë me qëllim torture deri në çastin e vdekje, Hekuranit iu trashën duart dhe krahët, aq sa iu bënë më trashë se kofshët e këmbëve të tij. Bimcën e tij e ndante një mur nga e imja si thash më lart, meqenëse kishte një dritare të vogël që vinte në komunikacion të dy bimcat, nëpërmjet asaj vrime i dhashë ujë sa herë më kërkoi. Meqenëse duart ja kishin kthyer prapa kurrizit, ia afroja sapllakun në buzë dhe ai e boshatiste me një lakmi të madhe për të shuar etjen e tmerrshme që ia shkaktonte dhembja e krahëve. Megjithatë Hekuran Maneku edhe në çastin e vdekjes u tregua me zemër të fortë, pse, me gjithë ato dhembje, ai nuk u ankua, nuk bëri “oh” deri sa erdhën në mëngjes e morën dhe e varën.
Mbas varjes së Hekuran Manekut, nuk shkuan dy ditë, na hoqën nga Fieri dhe na çuan në Durrës, në një ndërtesë që kishin marrë nga një dibran si kam thënë më lart, për burgimin tonë, natyrisht jo të gjithë në atë ndërtesë, pse ata që qenë të dënuar me burgim të lehtë, me një fjalë gjithë fshatarësinë që kishim hedhur në kryengritje, e çuan në burgun ordiner të atij qyteti, të cilët më 28 nëndorin e po atij viti me ata dhe krejt njerëzit e mi, bashkë me një shumë të madhe të dënuar me vdekje dhe atyre të dënimeve të tjera, me një fjalë krejt ortodoksit e Fierit pa përjashtim, i nxori në lirim Nalt Madhnia e tij, Zogu i I-rë nga tuta e Madhnis së tij, Tituleskut me shokë në shoqërinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

(Marrë nga libri me kujtime i Xhelal Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë”, botimet “Naimi”, Tiranë 2012)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë