Mbështetja e pakushtëzuar ndaj qeverisë Rama rrezikon të ushqejë skepticizmin e shqiptarëve ndaj Bashkimit Europian. Ky ishte shqetësimi që ngriti deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Muçi i kërkoi komisioneres Marta Kos të mbajë përgjegjës kryeministrin për shkeljet që, sipas tij, po kryhen në vend, duke e akuzuar Ramën se po përdor procesin e integrimit për të ruajtur pushtetin.

“Mbështetja e palëkundur që ju i keni dhënë deri tani autokratit të fundit të Ballkanit, thjesht sepse qeveria e tij ka përafruar legjislacionin me acquis communautaire, po dëmton reputacionin e BE-së, po vë në diskutim vlerat dhe po fermenton skepticizëm mes bashkatdhetarëve të mi. Këtë po jua thotë një europian që do që Shqipëria të hyjë në BE sa më parë. Shqiptarët kërkojnë demokraci e shtet ligjor tani. Shqiptarët kërkojnë shtet ligjor tani e jo pasi të futemi në BE. Kuptoj që ju mbështesni procesin e jo njeriun, por njeriu po përdor procesin si justifikim për të mbajtur pushtetin e për t’i shkaktuar dëm vendit tim. Ju jeni në pozicion të privilegjuar për ta mbajtur Ramën përgjegjës për një sërë shkeljesh. Uroj ta bëni, se për një kohë të gjatë na keni thënë që duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë. Integrimi është një proces për të cilin ia vlen të luftosh”, tha Muçi.


Lajmi kryesor:

Këshilli Kombëtar i Integrimit, Marta Kos: 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë! Balla apel për konsensus për reformat: BE, destinacioni i përbashkët! Tabaku: Integrimi të mos përdoret si fasadë