A1 Report dhe Shqiptarja.com erdhën këtu një ditë vjeshte dhe gjetën mikpritjen e drejtuesit të komunës Jakup Beqiri. Fillimisht Jakupi na njeh me historinë e Kolonjës, të Ardenicës dhe 14 fshatrave të tjerë të kësaj komune, që përbën, sipas tij, edhe zemrën e Myzeqesë. Ai thotë se: “Problem dikur të mëdha për banorët vendas, si furnizimi me ujë të pijshëm, energjia elektrike, rrugët dhe infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia, vitet e fundit kanë njohur zhvillime të mëdha dhe sot një myzeqar nuk ka sesi të mos jetë i kënaqur nga jeta që bën.
Premtuese, shton ai, janë edhe treguesit dhe shifrat e turizmit historik dhe kulturor, me bazë mjaft objekte kulti, objekte të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike. Ku, perla për komunën, është Manastiri i Ardenicës. Ah, por a ka probleme sot? Sigurisht që ka. Fshatarët kanë zhvilluar ekonomi të vogla bujqësore dhe blegtorale dhe ajo që mungon, si në mjaft komuna të tjera të Myzeqesë, është ngritja e një pike grumbullimi dhe përpunimi të prodhimeve, me rezultat lehtësimin e tregut të shitblerjes për banorët e kësaj zone.
Dhe për këtë, thotë ai, përveç nesh si komunë, ne presim edhe angazhimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit”. Këtu dialogu ynë me Jakupin mbaron dhe ai është i gatshëm të na shërbejë me dy udhërrëfyes në udhëtimin tonë në Manastirin e Ardenicës. Me specialisten e kulturës në komunë, Rediana Kolën dhe me një specialist tjetër në fushën e veterinarisë, por që është pasionant i lindur në fushën e kulturës dhe të objekteve arkeologjike dhe kulturore, Vladimir Hoxhën.
Pas një shtrëngimi duarsh, nisemi drejt kurorës së Myzeqesë, drejt Manastirit, për shkak të takave, Rediana e ka të vështirë të ecë në kalldremin qindravjecar, që është aty, para mureve të rëndë dhe në rruginën që të çon në portën kryesore; një portë e rëndë druri, rrethuar nga një qemer i hershëm, shumë i hershëm guri. Porta e madhe është e mbyllur. Rediana bën kryqin, pastaj shtërngon fort dorezën metalike në formë unaze dhe troket fort. Pas dy-tri minutash hapet një frengji e vogël dhe roja i Manastirit, kur sheh se ka vizitorë, e hap përgjysmë portën, i kërkon lejen vajzës dhe pas pak, i lëkundur, shtyn kanatin prej druri.
Manastiri i Ardenicës
Është një objekt kulti, por edhe një objekt i Trashëgimisë sonë Kulturore, që i kushtohet gjithë popullsisë me besim religjioz ortodoks në Myzeqe dhe përtej. Manastiri ze një sipërfaqe prej afro 3000 m2, rrethuar nga një mur guri me gjerësi 70-80 cm dhe lartësi mbi 3 metra, në brendësi të të cilit gjenden dy kishat, ajo e "Shën Triadhës" dhe "Lindja e Shën Mërisë"; ish-biblioteka e famshme, ndër më të mëdhatë e Shqipërisë dikur; 10-15 dhoma të murgjve, në të cilat aktualisht jetojnë 7 murgj dhe që janë të pavizitueshme për shkak të rregullit të hekurt të mbylljes së murgjve, sa i takon kontakteve me njerëzit jasht dhe pikërisht për këtë, dhomat janë në pjesën e thellë të Manastirit, ndën disa harqe të gurtë, ballpërballë me oborrin në anën e kullës së kryqit dhe të këmbanores së Manastirit.
Pak mbi portën e rëndë hyrëse gjendet dhoma e pritjes, ose salloni, shtruar me qilima dhe me minderë të vjetër, të paktën mbi 150 vjeçarë. Në pjesën e poshtme të dhomës së pritjes – bodrumi dhe mulliri i vjetër i vajit të ullirit. Po aty gjenden edhe dhjetra sende dhe orendi të vjetra, armë të punuara nga argjendarët myzeqarë që në kohën e luftrave me pushtuesit osmanë dhe një sërë objektesh dhe figurinash të dy kishave, brenda oborrit të Manastirit. Këtu vijnë turistë, jo vetëm nga të gjitha vendet e Shqipërisë, por nga e gjithë bota.
Në ditën e festës së Manastirit më 8 shtator, pelegrinë nga e gjithë Shqipëria mblidhen në vendin e shenjtë. Sipas studiuesve, Manastiri i ka fillesat e tij në shekullin e X-të para Krishtit. Ndërsa sipas gojëdhënave, ai u zbulua në shekullin XIII ose XIV. Mendohet që në kishën e shën Triadhës të ketë vënë kurorë heroi kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pas shpjegimeve, dy personazhet e reportazhit tonë, Rediana dhe Vladimiri ndalen për një cast. Në oborrin e Manastirit hyjnë disa vizitorë të huaj, një grup turistësh francezë. Ndërsa ne marrim për nga kasha e Shën Triadhës, aty ku është kurorëzuar çifti i mbretit të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Në fshat, mes fidanëve të portokalleve dhe ullinjve
Vetëm disa minuta më vonë, grupi ynë i xhirimit zbret nga kurora e Myzeqesë dhe ulet në fushë, në zemër të fshatit Ardenicë, një fshat me mbi 100 shtëpi. Ajo që ka ndodhur këtu gjatë 20 vjetëve të fundit, është befasuese. Fshatarët kanë hapur sera të vogla, ose fidanishte të vogla, ku mbjellin dhe rrisin fidanë portokallesh, limonash, mandarinash dhe fidanë ullinjsh. Kjo zonë nuk është njohur më parë si zonë e agrumeve. Mirëpo burrat dhe djemtë myzeqarë, që emigruasn në Greqi dhe Itali, shkuan atje, punuan dhe mësuan zanatin e ngritjes së fidanishteve, si një mundësi për zhvillimin ekonomik, ndihmuar shumë edhe nga klima e butë që bën në Myzeqe. Sot janë mbi 50 shtëpi që e ushtrojnë këtë aktivitet pune dhe biznesi, në fushat e Ardenicës. Vladimiri zgjedh të shkojmë në një nga këto ekonomi të vogla bujqësore, tek ajo e mikut të tij Nexhip Shahu.
Nexhipin e gjejmë tek serë-fidanishtja, në kulmin e punëve të stinës. Po, është vërtet befasuese, të shohësh mijra fidanë portokallesh, ullinjsh dhe agrumesh të tjera, në një hapsirë të madhe dhe të gjelbërt. Hyjmë drejt e në temë, aty ku i “dhemb” më shumë Nexhipit. Ai thotë se qeveria duhet t’i stimulojë fermerët e vegjël vendas, duke i prerë rrugën importit të fidanëve nga jashtë, sa kohë me qindra fermerë të vegjël shqiptarë në Myzeqe dhe në Breg, mbjellin dhe sigurojnë për cilindo lëndën e parë, bimën dhe fidanin autokton sidomos.
“Fidanët autoktonë të ullirit të Vlorës dhe Tiranës japin rendimente të larta në prodhim dhe nuk ka pse hyjnë fidanë ullinjsh nga Italia dhe Greqia. Futja e tyre në treg, rrezikon tregun e punës dhe ul mjaft koston e prodhimit vendas. Gjithsesi, shton Nexhipi, fshatarët e Myzeqesë nuk qahen dhe, puntorë, të duruar dhe me duart e arta, vazhdojnë të mbjellin dhe të tregtojnë, duke u dhënë si garanci blerësve cilësinë e fidanit dhe më pas, prodhimin e bollshëm”. Pastaj Nexhipi shkon drejt motopompës së ujit.
Motorri bën pak zhurmë, duhet kontrolluar, është ora e vaditjes së fidanëve në sera dhe jashtë tyre, me impiantet e vaditjes, që kanë kushtuar shumë, por që garantojnë edhe ato, në stinën e thatë të verës sidomos, ujë për vaditjen e bimëve. Ja tek është edhe Xixëllonja, e shoqja e Nexhipit. Edhe ajo në ndihmë të punëve në fidanishte. Xixëllonja thotë se ngrihet shumë herët, reth orës 5 të mëngjesit, për të ushqyer lopën dhe për ta nxjerë atë më pas në kullotë. Pastaj vjen radha e shpendëve; vjen radha e pulave dhe gjelave të detit; e rosave, zogjve të fushës.
Familja ka nevojë për gjithçka. Ndërsa rreth orës 7 ajo është sërish brenda në shtëpi. Ngrihen nipërit dhe mbesat për të shkuar në shkollë…sepse prindërit, fëmijët e Nexhipit dhe Xixëllonjës pra, janë në emigrim. Vetëm kur vjen darka, thotë e zonja e shtëpisë, atëhere qetësohemi dhe flasim në telëfon me fëmijët. Emigracioni është i dhimbshëm, por një zgjidhje shumë e mirë për të gjithë ato familje, që kanë nevojë për mbështetje financiare në punët e bujqësisë dhe blegtorisë. Që e bëjnë jetën edhe më të mirë.
Fillon shiu. Unë, kolegu im Mandi, Rediana dhe Vladimiri, u shtërngojmë duart Nexhipit dhe Xixëllonjës dhe shkojmë. Retë janë shumë afër qiellit, buçasin bubullimat…
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Dhjetor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)