Duke folur për efektet e marrëveshjes PS-LSI unë kam pasur rastin të përceptoj dhe paralajmëroj qysh në krye tw herës disa rënie, përfshirë atë të Rilindjes si propozim politik-elektoral i PS.

“Rilindja” do të hynte pashmangshëm në marrëdhënie papajtueshmërie me një koalicion të formuar në fund të legjislaturës nga shartimi i opozitarizmit me qeverisjen. Kjo edhe për faktin se si qeveritare, LSI nuk i ka ndihur asnjë kauze të PS-së, madje në periudha të caktuara ka qenë maja e shpatës së qeverisë kundër liderit të opozitës.

Në konceptimin e Rilindjes si një pretencë kundër konçensioneve, korrupsionit apo pandëshkueshmërisë padyshim që Ramës dhe stafit të tij u ka pas farfuritur para syve me përparësi imazhi i LSI-së. Por “Rilindja” si hakërrim dhe premtim qiejsh wshtë shfryrë tashmë. Dhe mirë që është shfryrë si e tillë, pasi ka qenë në vetvete një artific, një aberracion kulturor. Gjëja më pozitive e paktit Rama-Meta është pikërisht kthimi i PS-së nga Marsi përsa i përket premtimeve elektorale.

LSI i ka dhënë PS-së një sens më realist për kohën, për gjendjen, për mundësitë. LSI e ka detyruar PS-në të flasë pak, të flasë ndryshe ose të mos flasë fare për ekonominë, shëndetësinë dhe sektorë të tjerë ku deri dje retorika socialiste bënte kërdinë. Fakti është se të majtët e bashkuar nuk kanë sot një program unik për zgjedhësit. Ndoshta e mendojnë të panevojshëm tani që besojnë se “kanë numrat”. Ndoshta nuk e bëjnë dot pa nxjerrë djajt nga shishja.

Ndoshta po e përgatisin me kujdesin e nevojshëm për të mos krijuar ilaritet duke premtuar çfarë LSI ka patur në dorë ta bëjë apo ka përgjegjesi të drejpërdrejtë pse nuk është bërë. Gjithsesi, në kushtet e rrafshimit për momentin të kantierit të programit, faktori LSI ka diktuar ripërcaktimin e natyrës së betejës që e Majta e Bashkuar kërkon t’i japë qeverisë dhe së Djathtës së Bashkuar.

Beteja është thjesht për të larguar kryeministrin Sali Berisha. Kjo ka bërë që të asistojmë në reduktimin e përshpejtuar në një motiv të motiveve të shumta që mbështesin dhe përligjin nevojën për rrotacion në demokraci: Të ikë Berisha, të vinë Rama dhe Meta. Kaq. Ky është propozimi i qëruar i së majtës së bashkuar. Fjalët e tjera dhe slloganet që rrekin të veshin këtë thelb janë gjethe fiku.

Për shkak të bashkqeverisjes me PD-në por edhe ngaqë i njeh nga afër disa gjëra, Meta është akoma etik dhe më pak patetik në këtë mëtim. Ai e di përshembull se në lidhje me integrimin europian vjeshtën e kaluar qeveria arriti në kohë në takimin e Bruskelit për statusin e vendit kandidat.

Ndërkohë që opozita, e cila kishte funksionuar si europianiste deri në prag të takimit vendimtar, papritur mungoi me mosvotimin e tre ligjeve të fundit të paketës së statusit, duke e kushtëzuar votimin e tyre me zgjidhjen e ngërçit në qarkun e Fierit. Sot del se Meta dhe Rama mund ta kishin zgjidhur herët këtë ngërç pa lidhje me aspiratat integruese. Këta zhbllokonin Fierin, Fieri shbllokonte tre ligjet, tre ligjet zhbllokonin statusin.

Po ta kishin bërë këtë, sot do t’u kishte hije vërtetë emri “Alaenca për Shqipërinë europiane”. Mirë është prapë, të gjithë në këtë vend për Shqipërinë europiane janë, të djathtë e të majtë, por duhet ta dinë se me historinë e pagjasë të tre ligjeve nwpër këmbë “Aleanca për Shqipëria europiane” ka më shumë tingëllimin e një pendimi se sa premtimi. Në rastin me të mirë.

Nga ana e tij Rama shfaqet më radikal se Meta në mënyrën si e artikulon motivin unik të fushatës. Në një emision televiziv ai u shballancua dhe foli për “shporrje” të Sali Berishës, duke treguar edhe drejtimin nga duhet t’ja mbathë. Duke e dëgjuar shefin e opozitës të përdorte një fjalor ostracist për shefin e qeverisë, m’u kujtua thënia e një kolegu gazetar se Rama imiton nganjëherë Berishën e dekadës së parë të tranzicionit, ndërkohë që vetë Berisha përpiqet t’u largohet steriotipeve të fillimit, duke i lënë në kundërkohë apo në një pozitë komike imituesit e tij statikë.

E di kushdo se rrotacioni politik i pushtetit e përmban largimin e kryeministrit. Por përceptimi i rrotacionit vetëm si puç pallatesh, ku njëri rrëzohet dhe një tjetër ngrihet, tregon më e pakta mjerimin e plotë të alternativës dhe një mungesë të madhe respekti për atë pjesë të publikut, që nuk e koncepton rrotacionin thjesht si ndryshim karrigesh, por më thelbësisht se kaq, si një sjellës risish dhe si ndryshim të qeverisjes në program, në përmbajtje, në përkushtim, në stil, e tjerë.

Sali Berisha është një personazh qëndror në rrjedhën e ngjarjeve dhe zhvillimeve politike të njëzet e dy viteve të fundit dhe është e natyrshme që ai të ketë kundërshtarë të shumtë dhe mbështetës të shumtë gjithashtu. Askush në Shqipëri nuk është i ndaluar të kërkojë permes medias apo të konkurojë si subjekt politik për largimin, “shporrjen” apo “arrestimin” e tij, edhe pse me sa di unë ekzistojnë klauzola ligjore që ndalojnë të gjitha format e fyrjes dhe poshtërimit ndaj krerëve të shtetit në detyrë.

Kushdo në Shqipëri e gëzon të drejtën përtej së drejtës që t’i përgojojë, shajë, anatemojë e madje kërcënojë pa asnjë kufi politikanët e vet të lartë. Ky realitet përqesh pa të keq cilësimin e vendit diktaturë, një shmangie kuptimore kjo që shpjegohet sa më injorancën dhe komplekset e vonesës, aq edhe me faktin se vendi ka ardhur nga një diktaturë e egër. Na ka djegur qulli dhe i fryjmë dhe kosit. Individët prapseprapë janë individë. Sekush gjykon sipas mendjes së tij. Demokracia jonë realisht ka shumë probleme.

Por një subjekti politik që pretendon të përfaqësojë alternativën e pushtetit në Shqipërinë e shekullit të ri jo vetëm nuk i shkon, por edhe nuk i lejohet të bjerë në nivelin e gjykimit bardhë e zi të sistemit, partnerëve, rivalëve apo kundërshtarëve politikë, duke i vizatuar e paraqitur këta të fundit si karikatura të monstruozitetit me shpresë së kështu do të ndezë e ndërsejë urrejtjen e njerëzve kundër tyre.

Ky quhet gjykim apo koncept manikeist, që sheh te tjetri djallin e zi, ndërsa te vetja shenjtorin apo misionarin e bardhë, koncept çnjerëzor, dënuar prej shekujsh nga feja dhe filozofia e shëndoshë si bartës i farës së mizorive. Liberaldemokratët shqiptarë e kanë refuzuar e dënuar mendësinë e neveritshme manikeiste edhe në fillimet e Lëvizjes Demokratike të Dhjetorit 1990 kur vendi po ndahej nga diktatura komuniste dhe kishte një sens të pikasje xhelatë në epilogun e tragjedisë pesëdhjetëvjeçare. E jo më të mos e refuzojnë e përbuzin tani tani kur vendi është në NATO dhe ka lënë prapa disa stacione në rrugën drejt antarësimit në BE.

Ka gjithnjë plot arsye për të realizuar me zgjedhje demokratike ndryshimin e pushtetit. Në vendet perendimore rrotacionet ndodhin prej dhjetra e qindra vjetësh, jo se vinë një palë engjëj për të mundur një palë djaj, por vjen një alternativë e re më bindëse apo më e freskët se ajo që qeveris vendin. Kjo e fundit kalon në opozitë dhe kështu periodikisht në një marrëdhënie civile dhe dinamike.

Shqipëria është një demokraci ku ka vend për rrotacion politik në vartësi të diferencës që krijojnë qeveria me opozitën e saj, por nuk është një vend për të shporrur gogolë, për të rrëzuar regjimin, sistemin e të tjera përralla që retorika shterpë, neoenveriste, i vesh me përbetimet e një luftë finale që është mashtrimi më i madh që mund t’u bëhet njerëzve.

Shtresa e mesme si realiteti i ri i demokracisë, pra ajo masë e madhe njerëzish që kanë një pronë të tyren, të vogël apo të madhe, shtresa e mesme pra që është në thelb shtylla kurrizore e zhvillimit dhe atdhetarizmit, por jo vetëm ajo, nuk mjaftohet, nuk e përtyp, nuk e pranon dhe nuk e voton premtimin e ndryshimit pa alternativë.

Është provuar gjithnjë dhe do të provohet kurdoherë se partitë e bëjnë diferencen me alternativat që ofrojnë, me finesat e shumta të politikës profesioniste, me artin për të lidhur trashëgiminë pozitive të paraardhësve me risitë që sjell brezi i ri apo që i kërkon koha.

Për shkak të ketyrë koncepteve koherente unë jam investuar në opozitën e bashkuar katërvjeçare deri ditën e shndërrimit të saj në të majtë të bashkuar për opsionin e tejkalimit të Sali Berishës si alternativë, si stil e tjerë. Kur po bisedonim njëherë me kolegun Mero Baze për ketë temë, ai më tha një gjë që meriton të citohet: Oh, po kjo që thua ti kërkon talent!

Po, tejkalimi kërkon talent, profesionalizëm, novatorizëm, kulturë të gjerë, ndërkohë që “shporrja” nuk i ka të nevojshme këto gjera. Ja se si oferta e së majtës së re të 1 prillit po thjeshtohet dhe katandiset me shpejtësi në thirrjen “të gjithë kundër Sali Berishës”. Që ka kuptimin “të gjithë për Ramën dhe Metën”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (26.04.2013)

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)