“Pranë Komisionit ngrihet Grupi i Ekspertëve Teknikë. Përbërja dhe mënyra e funksionimit të tij përcaktohen me vendim të Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ekspertë të OSBE/ODIHR-it, Këshilli i Evropës, ekspertë të Komisionit të Venecias, si dhe përfaqësues dhe/ose ekspertë të BE-së dhe SHBA, ftohen të ndjekin dhe të japin asistencë dhe ekspertizë teknike në punimet e Komisionit dhe të grupit të ekspertëve teknikë të ngritur pranë tij”, thuhet në projektvendim.
Kushtet e PD
Përplasja mes mazhorancës dhe opozitës për Reformën Zgjedhore është e pashmangshme. Partia Socialiste ka paralajmëruar se diskutimet për Reformën Zgjedhore do të nisin nga domosdoshmëria e votës së emigrantëve, ndërsa Partia Demokratike ka shpallur si kushtin e panegociueshëm votimin dhe numërimin elektronik, duke kërkuar edhe ndryshimin e sistemit politik. Ideja për ndryshimin e sistemit është mbështetur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në këto kushte, në lojë do të hyjë Komisioni i Venecias. Për çdo mosmarrëveshje, palët do t’i drejtohen Komisionit të Venecia, i cili ashtu si për Reformën në Drejtësi, do të thotë fjalën e fundit për ndryshimet në ligjin zgjedhor. “Çdo parti parlamentare ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Shumica parlamentare mirëpret propozimet e pakicës parlamentare, dhe palët duhet të angazhohen të gjejnë konsensusin në lidhje me to. Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, do të vlerësohet dhe kërkohet asistenca e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias”, thuhet në projektvendim.
Raporti i OSBE/ODIHR
Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit 2017 nuk thotë asgjë rreth votimit dhe numërimit elektronik, ndryshimit të sistemit politik apo për garantimin e të drejtës së emigrantëve për të votuar. Asnjë nga kërkesat e partive kryesore politike nuk reflektohen në raportin e OSBE/ODIHR dhe as në rekomandimet për ndryshimin e ligjit zgjedhor. Rekomandimet e vënë theksin tek disa problematika të tjera. Konkretisht, tek një reformë gjithëpërfshirës zgjedhor si dhe tek harmonizimi i ligjeve për financimin e fushatës së partive politike. OSBE/ODIHR kërkon marrje e masave për të ndaluar fenomenin e shitblerjes së votave. Në raport u kërkohet politikanëve shqiptarë që të mos pranojnë mbështetje financiare nga kriminelët si dhe të depolitizojnë komisionet zgjedhore.
Pritshmëritë e PD
Partia Demokratike kërkon arritjen e disa objektivave me anë të Reformës Zgjedhore. “Ne vlerësojmë se implementimi i kësaj reforme, duhet të pamundësojë në mënyrë të plotë dhe efikase blerjen e votave, infiltrimin në zgjedhje të parave të krimit të organizuar dhe korrupsionit qeveritar, përdorimin e pushtetit publik për qëllime të përfitimit në zgjedhje, përdorimit të institucioneve shtetërorë si mekanizëm për të siguruar vota apo për të ushtruar presion mbi votuesit, apo keqpërdorimin politik të Policisë së Shtetit dhe organeve dhe enteve të tjera shtetërore. Kjo reformë duhet të sigurojë forcimin dhe konsolidimin e procesit zgjedhor dhe po ashtu, ndërtimin e shkallës së besueshmërisë për zgjedhje të lira. Reforma duhet të sigurojë që zgjedhjet të jenë standardi bazë substancial i zhvillimit të demokracisë, legjitimimit të qeverisjes dhe shtetit modern, duke respektuar plotësisht vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë”, pretendon opozita.
'Zgjedhorja', Rama: Jo përplasje me PD-LSI
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar për dy orë një mbledhje me ministrat, kryesinë dhe grupin e Partisë Socialiste. Takimi është zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit nga ora 08:00 deri në orën 10:00, ndërsa është diskutuar koordinimi i axhendës parlamentare. Një pikë e rëndësishme e mbledhjes ishte diskutimi për Reformën Zgjedhore. Kryetari i PS, Edi Rama ka kërkuar që të enjten të ketë një debat konstruktiv dhe të shmangen përplasjet me opozitën. Sipas kryeministrit do të respektohet fryma e marrëveshjes së 18 majit për konsensus dhe bashkëpunim me opozitën. “Debat konstruktiv. Shmangni përplasjen. Do respektojmë frymën e 18 majit për konsensus, bashkëpunim me opozitën”, mësohet se është shprehur Rama në mbledhje.
Si ndahen palët për Reformën Zgjedhore
Lulzim Basha
“Ne jemi të hapur për modelin, por duhet të plotësojë sipas Partisë Demokratike, tre kushte: E para, të ofrojë votimin dhe numërimin elektronik, e dyta, të ulë rolin e kryetarëve dhe partive politike dhe e treta, t’u japë më shumë pushtet qytetarëve për të vendosur mënyrën e përfaqësimit të tyre në Parlament dhe në të gjitha organet e tjera vendimmarrëse Vota emigrantëve është një kërkesë fillestare e Partisë Demokratike dhe ne nuk do ta lejojmë të kthehet në një fasadë, siç janë kthyer shumë kauza në fasadë nga qeveria, nga Edi Rama për të mbuluar dramën e madhe që kjo qeveri nuk iu ofroi shqiptarëve votën e lirë, as për banorët këtu në Shqipëri, jo për qytetarët që jetojnë jashtë vendit”.
Edi Rama
“Reforma zgjedhore brenda paketës së 18 majit dhe nis nga vota e shqiptarëve jashtë kufijve. Plus: Idetë e një pale s'janë kusht për tjetrën!”.
Petrit Vasili
“Së pari vendi ka nevojë në mënyrë të padiskutueshme për një reformë zgjedhore të vërtetë, të thellë dhe që u jep përgjigje plagëve të mëdha të zgjedhjeve në Shqipëri. Plaga e madhe e zgjedhjeve në Shqipëri janë zgjedhjet që shiten e blihen të cilat rrënuan edhe procesin e fundit zgjedhor të 25 qershorit, ku fjalën e pati blerja e votës, përfshirja e kriminelëve dhe trafikantëve në këtë proces. Së dyti sistemi zgjedhor shqiptar dhe zgjedhjet në Shqipëri kanë një tjetër plagë të madhe që është pabarazia e votës, pasi në qarqe të ndryshme vota e Shqiptarëve peshon ndryshe dhe kjo është një pabarazi ekstreme antikushtetuese të cilës nuk i është dhënë asnjëherë përgjigje e penguar pikërisht nga këto dy forca politike”.
Taulant Balla
“Në një reformë të rëndësishme, sikurse është reforma zgjedhore, nuk mund të ulesh me kushte. Por nëse do të kishte një kusht bazë për të filluar reformën zgjedhore, ai duhet të ishte patjetër ajo që e presin të gjithë shqiptarët dhe që është vota e shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Dhe unë dua ta them shumë qartë, që reforma zgjedhore që do të fillojë menjëherë prej javës tjetër në Kuvendin e Shqipërisë, pra ngritja e Komisionit të Reformës, dua t’ia them çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje që jeton kudo nëpër botë që është synimi ynë madhor në këtë mandat qeverisës dhe në këtë mandat legjislativ; që ne t’i mundësojmë çdo shqiptari dhe shqiptareje që në vitin 2021 të jetë edhe ai apo ajo vendimmarrës për të ardhmen e Shqipërisë Evropiane”.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com