Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, është shprehur se kryeministri Edi Rama nuk po zhvillon një konsultim real për hartën e re territoriale, por një procedurë formale për një vendim të paracaktuar.

Reagimi i Bardhit erdhi pasi kryeministri Rama tha se propozimi i PS për hartën e re territoriale është ende në fazë konsultimi. Përmes një postimi në rrjetet sociale Bardhi shkruan se kundërshtimet e disa socialistëve dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor nuk lidhen me çështje historike apo simbolike, por me shqetësime për përfaqësimin, vendimmarrjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

Bardhi thekson se ‘socialistët u bënë flamingo’, sepse refuzojnë ‘të bëhen sërish kavje për vendimet e çmendura të kryetarit dhe kryeministrit të tyre.’

Sipas tij, një reformë territoriale duhet të ndërtohet mbi interesin e qytetarëve dhe jo mbi llogari elektorale. Ai kritikon gjithashtu mënyrën e reagimit të Ramës ndaj kundërshtimeve, duke e akuzuar kryeministrin se zgjedh ironinë në vend të reflektimit.

Në përfundim të reagimit, Bardhi i kërkon kryeministrit që për këtë çështje të përballet me qytetarët përmes një referendumi, në vend që vendimi të mbështetet vetëm te vota e Parlamentit.

Reagimi i kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi:

Për flamingot socialistë të bashkive në protestë!

Edi Rama nuk po zhvillon një konsultim për hartën administrativo-territoriale. Po zhvillon një konsultim formal për një vendim të paracaktuar, njësoj si tenderat e Belindës. Prandaj edhe tallet me ata që flasin. Sepse Edi Rama nuk ka ndërmend të dëgjojë askënd që mendon ndryshe prej tij dhe prek interesat e tij të ngushta.

Nëse konsultimi do të ishte i sinqertë, kryeministri nuk do t’i kërcënonte kryetarët e bashkive dhe socialistët 24 karatësh që kundërshtojnë projektin e tij. Minimalisht, do t’i dëgjonte dhe do të reflektonte.

Socialistët nuk i dogjën teserat e PS-së as për historinë, as për gojëdhënat, as sepse u dhimbsen 2 mijë dëshmorët që nga antikiteti, siç ironizon Edi Rama. Socialistët u bënë flamingo, sepse refuzojnë të bëhen sërish kavje për vendimet e çmendura të kryetarit dhe kryeministrit të tyre.

Socialistët, demokratët, ata qytetarë të tjerë pa parti nuk po kërkojnë privilegje. Ata po ngrenë shqetësime për një reformë që e largon vendimmarrjen prej tyre, dobëson përfaqësimin e tyre dhe rrezikon t’i lërë ata me më pak shërbime.

Për këto shqetësime, Edi Rama nuk jep asnjë përgjigje. Përkundrazi, zgjedh t’i përqeshë, si gjithmonë, kur argumentet nuk janë në anën e tij.

Një reformë administrativo-territoriale duhet të ndërtohet mbi interesin e qytetarëve: shërbime më të mira, përfaqësim më të drejtë dhe pushtet vendor më funksional. Jo mbi interesin e kryeministrit për të vizatuar një hartë që i shërben llogarive të tij elektorale.

Në vend që të harxhojë kohën me konsultime të paracaktuara, Edi Rama nuk duhet të fshihet pas votës së Parlamentit noter. Le të shkojë të përballet me qytetarët  në referendum.

R.Xh/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00

    Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?