Islanda po hyn në një nga debatet më të nxehta politike të viteve të fundit, ndërsa qeveria paralajmëron se referendumi për Bashkimin Europian mund të kthehet në një “moment Brexit”.
Ministrja e Jashtme islandeze, Thorgerdur Katrin Gunnarsdottir tha se ka frikë nga dezinformimi, manipulimi online dhe ndikimi i aktorëve të huaj në prag të referendumit të 29 gushtit, ku islandezët do të votojnë nëse duan apo jo rifillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Në një intervistë për “The Guardian”, ajo akuzoi grupe dhe individë brenda dhe jashtë Islandës për përhapje frike dhe propagandë të ngjashme me fushatën e Brexit në Britani. “Kam frikë se do të përballemi me një moment Brexit”, tha ministrja.
Sipas saj, referendumi mund të bëhet objektiv i Rusisë dhe aktorëve që kërkojnë të ndikojnë negativisht debatin publik përmes dezinformimit dhe inteligjencës artificiale.
Ajo tha se Brexit duhet të shërbejë si shembull “si nuk duhet bërë një fushatë”, duke kujtuar premtimet dhe shifrat e diskutueshme që u përdorën gjatë referendumit britanik. Qeveria islandeze, e përbërë nga socialdemokratët, Partia e Popullit dhe partia liberale pro-europiane e ministres, habiti shumëkënd kur njoftoi në mars se referendumi do të mbahej këtë verë dhe jo deri në vitin 2027 siç ishte planifikuar fillimisht. Sipas ministres, një nga arsyet kryesore ishte edhe tensioni i krijuar pas deklaratave të SHBA për Groenlandën.
“Rendi ndërkombëtar që garantonte sigurinë dhe prosperitetin tonë prej dekadash është nën presion serioz. Bota ka ndryshuar ndjeshëm”, tha ajo.
Ministrja kritikoi edhe mënyrën si SHBA trajtoi Groenlandën dhe Danimarkën në fillim të këtij viti, duke thënë se “një mik dhe aleat nuk trajtohet në atë mënyrë”. Megjithatë, ajo theksoi se marrëdhëniet mes Islandës dhe SHBA mbeten të forta dhe se anëtarësimi në BE nuk bie ndesh me aleancën me Uashingtonin.
Në referendumin e gushtit, islandezët nuk do të votojnë direkt për hyrjen në Bashkimin Europian, por vetëm nëse qeveria duhet të rifillojë negociatat me Brukselin. Islanda aplikoi për herë të parë për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe negociatat nisën në vitin 2010, por procesi u ndërpre nga qeveria islandeze në vitin 2013.
Nëse qytetarët votojnë pro, negociatat do të rinisin dhe çdo marrëveshje finale do të duhet të miratohet më pas në një referendum të dytë.
Komente




