Reforma në drejtësi në Itali nuk do të bëhet. Referendumi kombëtar në shtetin fqinj përfundoi me fitoren e atyre që ishin kundër ndërhyrjes në ligjet e drejtësisë.

Me një pjesmarrje prej rreth 59 % në rang kombëtar, rreth 55% e atyre që votuan të dielën dhe këtë të hënë deri në orën 15:00, refuzuan që Italia të ndryshonte 7 nene të Kushtetutës që prekin karrierën e magjistratëve dhe institucionet e drejtësisë.

Në kuadrin rajonal, nga 20 rajone në total, vetëm 3 votuan për ndryshimet në drejtësi.

Referendumi për reformën e drejtësisë u propozua nga qeveria italiane, e drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni, e cila pranoi rezultatin pas numërimit të votave.

Në një mesazh të shpërndarë pas konfirmimit të rezultatit, kryeministrja italiane tha: ‘Italianët kanë vendosur dhe ne e respektojmë këtë vendim. Do të vazhdojmë përpara, siç kemi bërë gjithmonë, me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt ndaj popullit italian dhe ndaj Italisë.’

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:13
Italianët ‘jo’ ndryshimeve në drejtësi, Meloni reagon për rezultatet e Referendumit: Respektojmë vendimin e popullit

1773418767_xtdyuoo.jpg

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar pasi numërimi i votave për referendumin për drejtësi në Itali po shkon drejt fundit. Qytetarët italianë mesa duket po i thonë ‘jo’ ndryshimeve në drejtësi, të propozuara nga qeveria italiane.

Përmes një video-postimi në rrjetet sociale, Meloni ka deklaruar se qeveria në Itali e respekton vendimin që qytetarët kanë marrë në referendum.

Po ashtu Meloni ka deklaruar se qeveria italiane do të ecë përpara me punët e nisura, me vendosmëri dhe respekt për popullin italian.

“Italianët kanë vendosur. Dhe ne e respektojmë këtë vendim. Ne do të ecim përpara, siç kemi bërë gjithmonë, me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt për popullin italian dhe për Italinë”, ka shkruar Meloni krahas videos së publikuar në rrjetet sociale.