Në referendumin për drejtësinë të mbajtur gjatë dy ditëve të fundit në Itali, pjesëmarrja e votuesve arriti në 58.9% të numrit të qytetarëve me të drejtë vote.
Italianët votuan në referendumin dy-ditor mbi reformat që kryeministrja Giorgia Meloni tha se do ta bënin gjyqësorin më të pavarur, ndërsa kritikët argumentojnë se ndryshimet do të bënin të kundërtën.
Qendrat e votimit, u hapën të dielën nga ora 07:00 deri në orën 23:00, si dhe sot nga ora 07:00 deri në orën 15:00, kur edhe u mbyllën përfundimisht.
Fill pas mbylljes së kutive të votimit, numërimi i votave u krye me ritëm të shpejtë. Rezultatet, të certifikuara nga Ministria e Brendshme në Itali, tregojnë se vota "Jo" kryesoi me 54.5%, ndërsa vota "Po" arriti në 45.5%.
Ndryshimi më i rëndësishëm për të cilin po votohet në referendum, lidhet me mënyrën si funksionon sistemi i drejtësisë.
Sot gjyqtarët dhe prokurorët ndjekin të njëjtën karrierë. Ata mund të kalojnë nga një rol në tjetrin (me disa kufizime). Me reformën (nëse fitojnë “Po”): karrierat ndahen plotësisht. Një person do të zgjedhë që në fillim nëse do të bëhet gjyqtar apo prokuror dhe nuk mund ta ndryshojë më detyrën e tij.
Ndërkohë lidhur me rezultatet e referendumit, kanë ardhur reagime të shumta nga politika italiane, mes të cilëve edhe nga kryeministrja Giorgia Meloni.
Teksa shprehur keqardhjen për mos-realizimin e ndryshimeve në drejtësi, Meloni përmes një postimi në rrjetet sociale deklaroi se respekton plotësisht vullnetin e popullit italian.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar pasi numërimi i votave për referendumin për drejtësi në Itali po shkon drejt fundit. Qytetarët italianë mesa duket po i thonë ‘jo’ ndryshimeve në drejtësi, të propozuara nga qeveria italiane.
Përmes një video-postimi në rrjetet sociale, Meloni ka deklaruar se qeveria në Itali e respekton vendimin që qytetarët kanë marrë në referendum.
Po ashtu Meloni ka deklaruar se qeveria italiane do të ecë përpara me punët e nisura, me vendosmëri dhe respekt për popullin italian.
“Italianët kanë vendosur. Dhe ne e respektojmë këtë vendim. Ne do të ecim përpara, siç kemi bërë gjithmonë, me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt për popullin italian dhe për Italinë”, ka shkruar Meloni krahas videos së publikuar në rrjetet sociale.
Komente









