"Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 152, pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dekretoj caktimin e datës 22 dhjetor 2013, për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë."- thuhet në dekretin me nr 8093, Tiranë, më 8 Prill 2013.
Më 5 mars Gjykata Kushtetuese i hapi dritёn jeshile mbajtjes sё referendumit, pas kёrkesёs sё paraqitur nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave dhe aktivistёtё shoqёrisё civile, duke dalë kundër qeverisë e cila nuk ishte dakord me mbajtjen e këtij referendumi.
Kërkesa u mor në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese pasi u mblodhën mbi 60 mijë firmave me të cilën kërkohej shfuqzimimi i dy neneve për ligjin e integruar të mbetjeve.
Ndër argumentimet në vendimin e zbardhur, më 8 mars, thuhej se: “Kushtetuta, në nenin 150 parashikon të drejtën e popullit, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, për të kërkuar referendumin për shfuqizimin e një ligji. Gjykata ka theksuar se referendumi është mjeti kushtetues që lidhet me nocionin e sovranitetit të popullit (neni 2/1 i Kushtetutës), që ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur prej tij ose në mënyrë të drejtpërdrejtë (neni 2/2)"
KU NDAHEN AKIP E QEVERIA
Sipas Alekancë Kundër Importit të Plehrave në Shqipëri nuk ka kapacitete për trajtimin e mbetjeve. Fillimisht duhen trajtuar mbetjet që prodhon vendi, ndërsa importi do ta përkeqësojë ndotjen e ambientit. Nga ana e saj qeveria thotë se ligji aktual kufizon importin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa i ka të gjitha kapacitetet për riciklimin e mbetjeve që parashikohen me ligj.
PSE NISHANI DEKRETOI DATEN E REFERENDUMIT
Bashkëngjitur me dekretin presidenca shton dhe relacionin për caktimin e datës së referendumit:
Më datë 30.11.2011, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është paraqitur një kërkesë për fillimin e procedurave për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Me Vendimin nr. 1236, datë 22.12.2011, KQZ ka vendosur miratimin e modelit të fletës tip për mbledhjen e nënshkrimeve të 50 mijë zgjedhësve, siç sanksionohet në nenin 150 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 127 të ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të procesit të verifikimit të nënshkrimeve dhe saktësisë së dokumenteve të identifikimit të zgjedhësve, KQZ me vendimin nr.10, datë 28.06.2012 vendosi pranimin e kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit nr. 10463, date 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” si dhe dërgimin e kërkesës Presidentit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese më datë 03.01.2013. Shtyrja e dërgimit të kërkesës nga KQZ është arsyetuar dhe bazuar në përcaktimet e pjesës së nëntë të ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.
Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr.8, datë 08.03.2013, ka vendosur pranimin e kërkesës si dhe deklarimin si të pajtueshme me Kushtetutën të kërkesës për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Bazuar në nenin 152, pika 3 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës cakton datën e referendumit brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv nga Gjykata Kushtetuese. Në përputhje me këtë përcaktim kushtetues si dhe me nenin 119, pika 6 të Kodit Zgjedhor të vitit 2003, kërkesa për referendum duke mos kaluar në të gjitha procedurat e kërkuara, brenda datës 15 mars 2012, u shty deri në vitin 2013. Ndërkohë, neni 119, pika 2 e Kodit Zgjedhor të vitit 2003 nuk lejon mbatjen e një referendumi të përgjithshëm brenda periudhës 6 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit deri 3 muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri (sipas një përllogaritje kjo periudhë korrespondon me datat 7 mars 2013 -17 dhjetor 2013).
Për sa më sipër, Presidentit të Republikës i mundësohet caktimi i datës 22 ose 29 dhjetor 2013 si datë për zhvillim referendumi.
Në këto kushte, Presidenti i Republikës vendosi të caktojë datën 22 dhjetor 2013 si datë për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
(sg/shqiptarja.com)